Reshjet e dendura të dëborës të cilat kanë nisur që prej dy ditësh në të gjithë rajonin e Kukësit,e që po bien me intensitet tepër të lartë, kanë sjellë bllokimin e të gjitha zonave të thella. Kështu,të izoluara janë të gjitha komunat e rrethit të Kukësit, Hasit dhe Tropojës pasi dëbora atje ka arritur në më shumë se 1 metër, ndërsa në qytetin e Kukësit trashësia e dëborës ka arritur deri në 30 centimetër.
Nëse reshjet do bien me të njëjtin intensitet trashësia e saj mund të arrijë deri në gjysëm metri në qytet dhe në 1.5 metër në zonat e thella si Shishtaveci, Kalisi, Grykë çaja, Zapodi, Topojani, Lekbibaj, Margegaj, Arrni etj.
Sipas Shtabit të Emergjencave Civile deri tani nuk është shfaqur ndonjë emergjencë shëndetësore në zonat e izoluara prej dy ditësh. Lidhur me akset rrugore, nacionale dhe rurale, ato janë tërësisht të bllokuara nga dëbora dhe pirgjet e akujve të krijuara nga ngricat si rezultat i temperaturave të ulëta ndërsa i kalueshëm është vetëm aksi kombëtarë Morin-kukës-Kaliash si dhe përshklohet me mjaft vëshitrësi aksi Kukës-Krumë.
Në këtë situatë,në autostradë janë dislokuar 5 borëpastruese për të pastruar dëborën e cila në afërsi të tunelit të Kalimashit ka arritur më shumë se 60 cëntimetër. Mjetet borëpastruese gjatë gjtihë kohës punojnë për largimin e borës por ajo ngrin si pasojë e temperaturave mjaft të ulëta ndaj dhe policia rekomandon drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë në këtë aks që të përdorin zinxhirët,të kenë goma dimërore si dhe të ulin në maksimim shpejtësinë.
Kjo e fundit ka ngritur në çdo aks rrugor posto-blloqe policore për të penguar çdo mjet që futet në rrugë pa mjete dimërore. Lidhur me energjinë elektrike,zonat e thella vijojnë që të mos furnizohen pasi ekipet e riparimit të defekteve nuk kanë mundur që të shkojnë në vendet ku ka defekte për shkak të dëborës së madhe dhe izolimit të rrugëve.