Home Politike Maxhoranca votoi ngritjen e komisionit që do të hetoje Kreshnik Spahiun

Maxhoranca votoi ngritjen e komisionit që do të hetoje Kreshnik Spahiun

696
0

Maxhoranca në parlament votoi ngritjen e komisionit që do të hetoj veprimtarinë e Nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu. Opozita dha votën kundër, me përjashtim të aleatit të tyre Vangjel Dule. Po ashtu të majtët refuzuan pjesmarrjen në komisionin hetimor.

“Komisioni përbëhet nga Enkelejd Alibeaj, kryetar, Paulina Hoti, Ramiz Çobaj, Gert Bogdani, Ledina Aliolli, nëse PS do sjellin emrat, por ata thanë jo. Komisioni do të zhvillojë veprimtarinë e tij brenda një afati 3-javor nga data e miratimit të këtij vendimi. 73, pro 57 kundër. Kuvendi miraton projektvendimin për ngritjen e komisionit hetimor”, bëri të ditur votimin kryeparlamentarja Jozefina Topalli.

Fillimisht në seancë u paraqit raporti i komisionit të ligjeve i cili shqyrtoi kërkesën e 33 deputetëve demokrat për shkarkimin e Kreshnik Spahiut. Sipas raportit kërkesa ishte e ligjshme. Për këtë arsye iu propozua parlamentit ngritja e komisionit hetimor

“Kërkesa e nismëtarëve respekton frymën dhe shkronjën e Kushtetutës, sepse ka të dhëna të mjaftueshme që të çojnë në konkluzionin e pashmangshëm se duhet të hetohet dhe të verifikohet për shkelje kushtetuese të kryera nga ana e zotit Kreshnik Spahiu”, tha relatori Viktor Gumi.

Qendrimin kundër të grupit socialist e shpalosi Fatmir Xhafaj. Siç tha ai socialistët nuk po mbrojnë Kreshnik Spahiun, por nuk mbështesin nisma antikushtetuese, që kanë si prapavijë interesa të caktuara politike të maxhorancës.

“Ne nuk jemi pjesë e luftës politike që ju keni brenda llojit,sepse është e qartë. Juve nuk ju intereson veprimtaria e zotit Spahiu si nënkryetar i KLD, por e ardhmja politike dhe në politikë e tij dhe e kryetarit të KLD. Trembeni se do tu marrin votat dhe nuk keni faj për këtë, po nuk do të arrini as të ruani votat dhe as të merrni vota duke prerë koka”, tha socialisti Fatmir Xhafaj.

Pretendimet e Xhafaj u hodhën poshtë nga deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj,

“KLD nuk është duke kryer vepritmarinë e vet, atë që Kushtetuta dhe ligji thotë, porse është duke u kuturisur nëpër pelegrinazhe politike të ndërmarra dhe të njehësuara me emrin e individit që ky Kuvend e ka emëruar”, tha Alibeaj.

Një kërkesë e Kreshnik Spahiut, drejtuar kryeparlamentares për të folur në seance, nuk u pranua. Nënkryetari i KLD-së nuk mundi të flas në komisionin e ligjeve, dhe sic thuhej ne raportin e kësaj strukturë parlamentare ai u dëbua për shkak të sjelljeve të padenja. Demokratët kërkojnë shkarkimin e Kreshnik Spahiut për shkak se ka kryer veprime që bien në kundërshtim me detyrën që ai mban si nënkryetar i KLD-së. Përvecse në këtë funksion, Kreshnik Spahiu është kreu i Aleancës Kuq e Zi që pritet të shndërrohet në një forcë politike.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here