Home Aktualitet Ambasada e SHBA-së: Prokuroria ka kërkuar asistencë ne verifikimin e videos

Ambasada e SHBA-së: Prokuroria ka kërkuar asistencë ne verifikimin e videos

705
0

Ambasada Amerikane në Tiranë ka pranuar sot kërkesën e Prokurorisë për asistencë nga ekspertë amerikanë në vërtetimin e vërtetësisë së video-skandalit ‘Meta’. Ambasada e SHBA-së tha se kërkesa e Prokurorisë është në shqyrtim.

Task-Forca e prokurorisë së Tiranës përmes një shkrese zyrtare, i ka kërkuar ndihmë Ambasadës Amerikane në Tiranë, për të kryer akt-ekspertimin audio dhe video të kasetës 13 minuta e 30 sekonda të filmuar dhe regjistruar nga Dritan Prifti, ku ish-zv/kryeministri Ilir Meta “urdhëron” zbatimin e urdhrave të tij, duke favorizuar persona dhe kompani të ndryshme. Sipas të dhënave zyrtare nga organi i akuzës, mësohet se eksperti i huaj do të përcaktojnë autencitetin e kasetës dhe lidhjen mes zërit dhe të figurës, pasi janë ngritur aludime të ndryshme se pamjet janë të montuara. Gjithashtu, organi i akuzës, ka caktuar njëkohësisht edhe dy ekspertë shqiptarë për të kryer të njëjtin ekspertim. Pritet që ekspertimi i pamjeve filmike me zërin të përcaktojnë edhe rrjedhën e hetimit të çështjes, për ta vlerësuar si provë këtë material të dorëzuar nga deputeti Prifti dy ditë më parë në prokurori. Ndërkaq, sipas të dhënave të grupit hetimor, kaseta është administruar si provë materiale së bashku me procesverbalin e dorëzimit nga deputeti Prifti që mbështet pamjet filmike me deklarimet e tija dhënë para prokurorit. Kjo provë materiale, në një rast analog në Gjykatën e Tiranës nuk është pranuar, ndërsa në Gjykatën e Kavajës është pranuar si provë dhe administruar në një proces penal.

***

Dritan Prifti ka rrëfyer të vërtetën e videos me Ilir Metën, presionet e ushtruara ndaj tij për afera korruptive, miqësinë e Metës me persona të dënuar nga drejtësia dhe mënyrën se si ata mbajnë peng edhe Sali Berishën. “Meta ka dhjetëra biznese në emër të personave të tjerë. Ja faktet…”

Dritan Prifti ka shpjeguar dje për herë të parë detajet e video-skandalit që ka tronditur qeverinë dhe ka treguar se si funksionojnë linjat e korrupsionit në qeverinë Berisha. Nga studio e emisionit “Top Story” të Sokol Ballës, Prifti ka deklaruar se ajo që është parë në video është shumë pak në krahasim me atë që Ilir Meta ka bërë gjatë kësaj kohe. Ish-ministri deklaroi se ka marrë kërcënime mafioze kundrejt jetës së familjes së tij dhe se Ilir Meta bashkë me Sali Berishën dhe Lulzim Bashën kanë një skenar ogurzi për Shqipërinë. Ata kanë planifikuar që të blejnë vota dhe të largojnë Edi Ramën nga bashkia. Më pas, sërish duke blerë vota, dhe me ndihmën e Fatos Nanos, t’i marrin PS-në Edi Ramës. “Imagjinoni Shqipërinë me një lider të tillë të opozitës, me këtë lider të mazhorancës e me president Fatos Nanon. Ilir Meta ka folur për këtë skenarin jo vetëm me mua, por edhe në biseda me persona nga vetë Partia Socialiste për marrjen e kësaj partie”, – tha dje Dritan Prifti.


Zoti Prifti faleminderit që pranuat të ishit sot në studio.

Faleminderit për ftesën, nuk mund të mungojë.

Ju sot keni qenë në prokurori. Mund të na thoni diçka më tepër…
Mora një njoftim nga Prokuroria e Tiranës ku më kërkohej të paraqitesha në cilësinë e dëshmitarit. Shpreha gatishmërinë time që të shkoja dhe të tregoja çdo gjë që unë di rreth asaj ngjarje. Kam depozituar në prokurori provën kryesore, videon e shkarkuar nga origjinali dhe për 3-4 orë iu kam dhënë përgjigje prokurorëve për pjesë të ndryshme të kësaj video, si edhe marrëdhënien time me Ilir Metën dhe persona të tjerë që përmendën në këtë bisedë.


Me zotin Tom Doshi çfarë lidhje keni…?

Iliri e ka rregull, kjo është një nga karakteristikat kryesore të një njeriu mafioz që mbrohet duke goditur. Unë me zotin Doshi jam takuar 3-4 herë, ma ka prezantuar Ilir Meta. Kam marrëdhënie shoqërore. Ilir Meta më akuzoi përpara disa kohësh se kisha lidhje me Tan Leprin. Tan Leprin ma ka prezantuar Ilir Meta, se ai ishte shoferi i gruas së tij. Kam marrë një mesazh nga një diplomat i huaj, gjëra rrëqethëse. Meta mendon se duke sulmuar Edi Ramën, opinioni publik do të çojë mendjen tek këto gjërat e tjera për të mbuluar pisllëqet e veta.

Tomës, Meta i ka privatizuar në vitet 2000-2001 “Profarma”-n, i cili më pas i ka shitur dhe është bërë me para. Tomë Doshi i është gjendur Metës në ditë të vështira, kur nuk ishte kryeministër, kur u zgjodh, kur u shkarkua dhe kur u rizgjodh kryeministër.


Çfarë doni të thoni?

Kohë kur Ilir Meta ka pasur probleme të mëdha, kur iku nga kryeministri në vitin 2000, në 2002-in dhe Tomë Doshi i ka qëndruar pranë. Një mik i Ilir Metës i ka telefonuar Tomë Doshit, Bekim Haliaj, i thotë që jam me Ilir Metën dhe hajde të pimë kafe. Ai i tha se nuk ka kohë. Tani sot Meta e shan.

Ju i keni bërë presion?
Absolutisht nuk e kam çuar ndërmend t’i bëj presion. Por, ka qenë detyra ime të dokumentoj presionet mafioze që më ka bërë Ilir Meta mua për një vit rresht. Që kur mora detyrën, ai më ka bërë një presion të jashtëzakonshëm duke thënë: këtë tender këtij, këtë tender atij. Dhe unë e kam pasur për detyrë të tregoj se me çfarë mafiozi kam pasur të bëj. Unë do të dokumentoj ato që kanë ndodhur.


Pranoni autorësinë e videos?

Videon e kam regjistruar unë për të dokumentuar se kush është ky lloj burri. Shqiptarët e njohin përmes deklaratës që pamë sot. Ai burri është njeriu më i korruptuar në tokën shqiptare. Ka 10-12 vjet që vjedh, akuzon, kërcënon dhe mashtron. Deri tani ia ka hedhur.

Pse i keni qëndruar pranë?
Të gjithë këto që them sot i kam të dokumentuar gjatë këtij viti të fundit. Nuk është se nuk kam pasur Ilir Meta në vitin 2000. Ai ka një vit që mashtron dhe ia ka hedhur. Unë i kam qëndruar pranë, pasi këto që tregova sot i kam regjistruar gjatë vitit të fundit. Videon e kam regjistruar unë. Unë isha drejtor i KESH-it. 10 ditë u largova në Amerikë dhe Meta mori në telefon nëndrejtorin dhe bleu 10 milionë dollarë energji. U ktheva dhe e luftova këtë. Ndërkohë, në vitin 2001, Meta më ka thirrur në zyrë dhe më ka thënë: Më duhet të blej disa anëtarë të KPD-së tek PS, më gjej 500 mijë marka. Gjeji ku të duash.


Pse nuk e denoncove atë ditë kur ndodhi ky bashkëbisedim?

Kam tentuar disa herë që të gjej rrugën për ta bërë publike atë video. Edhe gjatë kohës që isha ministër. Pasi kjo gjë ndodhi kam njoftuar kryeministrin. Unë me kryeministrin kam pasur një marrëdhënie që flisja çdo javë, i komunikoja çfarë ndodhte, ai është në dijeni të gjithçkaje. Më vjen mirë që e ka pranuar se unë ia kam dhënë këtë video.


Keni një koment për kryeministrin Berisha?

Nuk e kam më. Pas këtij deklarimi të kryeministrit më vjen keq, ai duhet të ketë marrëdhënie më shumë me Ilir Metën, se sa mendoj unë. Ai duhet të jetë i lidhur në mënyrë të sëmurë me Ilir Metën, jo për gjëra të mira. Ai me rastin e Ylli Pangos e shkarkoi për 4 minuta, ndërsa për këtë deklaratë duhet të jetë shumë në hall për atë që duhet të bëjë me Ilir Metën. Zoti Berisha duhet të flasë përpara drejtësisë. Nuk e prisja që ai të merrte anë. Ai tha se video është e trukuar. Me këtë ai i tha drejtësisë që kjo është e trukuar, ia diktoi. Më vjen mirë që e pranoi.


Kur ia keni ofruar?

Në kohën e duhur, kur ai kishte mundësi ta shikonte dhe të reagonte për atë video. Me atë që ka bërë sot, ka rënë miti i kryeministrit si njeri i pastër. Deri dje, ai ka dalë përpara shqiptarëve si një njeri i pastër, por unë tashmë e them me shumë keqardhje, po filloj të kujtoj dhe episode të tjera të marrëdhënieve tona, të cilat po filloj të dyshoj. E kam informuar për kontrabandën e naftës Virgin, nuk bëri asnjë reagim. Pasi unë bëra deklaratën publike, ai nuk reagoi përsëri, e la zotin Kuliçi të rrijë atje, në punën që bën. Kryeministri merr në mbrojtje Ilir Metën vetëm për interes të zgjedhjeve të ardhshme elektorale, se mund t’i jepet shansi që t’i afrohet ndopak Edi Ramës. Kur isha ministër jam mbytur me ankesa për ministrin Genc Ruli. Kontrolli i brendshëm i Ministrisë aty ka gjetur gjëra të tmerrshme. Ia çova kryeministrit, deri më sot nuk kam dëgjuar asnjë fjalë nga kryeministri për atë raport. Nëse Genc Ruli kishte dhënë rreth 80 koncesione gjatë katër viteve, vetëm gjatë muajve të verës dha 40, në mungesë të Parlamentit, vetëm pak muaj përpara zgjedhjeve.


Janë disa prej atyre që ka denoncuar opozita?

Janë disa, por ka gjëra që nuk janë dëgjuar. Le ta kërkojë opozita. Edhe mund ta kërkoj, por unë ia dhashë kryeministrit. Pra, jam shumë i zhgënjyer prej tij.

Ju thatë që mund të publikoni gjëra të tjera. Për herë të parë Brukseli kërcënoi nëse kjo video është e vërtetë do të shikojë marrëdhëniet me Shqipërinë. Ju garantoni se kjo video nuk është e manipuluar?
E kam bërë me ndërgjegje të plotë, ia kam dorëzuar emisionit “Fiks Fare” dhe prokurorisë të paprekur.


Ju thoni se zoti Meta ka vjedhur?

Unë ia kam thënë zotit Meta edhe atë ditë kur më dërgoi me sms që tek vendi jot do të vi unë. Unë i thashë që po më shkarkon se do të vjedhësh. Nuk kam dyshim se ai ka shkuar atje vetëm për të vjedhur.

Tek ky koncesion që përmendët, zoti Meta nuk e ka bërë…
Ai nuk e ka bërë, sepse këtë bisedë ia kam regjistruar. Këtë regjistrim për t’ia dhënë vëllezërve Kola unë ia kam thënë.


Çfarë thuhet në video për të?

Është shumë e qartë si kristali që këtë koncesion duhet ta bëj sot. Aty nuk ka asnjë lloj shkëputje. Aty dukej insistimi dhe presioni: mbaroje sot! Po sikur të shkojë në Gjykatë të Lartë? Është punë e mbaruar se e mbyll unë me Shpresën, se ia kam çuar vajzën në ambasadë. Më vjen keq që ka dalë emri i zonjës së nderuar. Por, është e vërtetë që vajza e saj ka shkuar në Vjenë, e ka çuar Ilir Meta. Është e vërtetë që do ta mbyllte Ilir Meta. Tani çfarë prove duhet? E filloi me një kërkesë për punësim, me një që është oficer police sot, që ka qenë shef i madh në “Albpetrol” kur ka qenë Meta kryeministër në 2001-ën. Iku nga puna dhe i ka 800-900 milionë lekë borxh “Albpetrolit”. Si ta merrja këtë unë dhe ta bëjë drejtor për inspektoratin e naftës për Tiranën, Durrësin etj. Ai njeri është i punësuar sot në Policinë e Shtetit, me atë historik problematike unë ta bëja inspektor. Prandaj Ilir Meta erdhi në zyrë dhe më kërkoi llogari. Episodi tjetër është për të anuluar një tender në “Albpetrol”.


Si mund të anulohet?

Nëse je në një post politik nuk ka rëndësi asgjë, unë të jap urdhër, zbatoje. Unë dua fëmijët e mi përpara se çdo gjë tjetër. Unë nuk mund të ndërhyrja në një tender të “Albpetrol”, se punëtorët kishin ngelur pa rroga. Si ta anuloja? Unë mezi po prisja që ta blinte atë naftë dhe të merrnin rrogat punonjësit. Për këto qejf mbetje, për këto urdhra të jashtëligjshëm erdhi ajo që erdhi më mbrapa, që unë u largova. Tani që po flasim, gjysma e Fierit është pa drita, gjysma e Jugut është pa drita. Ishalla nuk ka gisht Ilir Meta, që të mos shohin njerëzit emisionin.


Rezistenca juaj duket e pakët ndaj zotit Meta. A ndiheni bashkëfajtor? A do të jeni i gatshëm të lini imunitetin?

Imunitetin e lë në çdo sekondë që do ta kërkojë çdo organ i ligjit në Shqipëri. Qëndrimi im i butë kishte të bënte me faktin që unë doja ta lija të fliste. E vërteta është se asnjë nga kërkesat e tij për favorizime të jashtëligjshme nuk e kam zbatuar. Jo vetëm këto që janë përmendur në këtë video nuk i kam zbatuar. Unë punoj për ato katër fëmijë që kam në shtëpi, nuk punoj as për Ilir Metën dhe as për një tjetër. Nuk ndjej asnjë lloj faji, më vjen mirë që Ilir Meta më mirëkuptoi dhe zbrazi barkun.


Zoti Meta e referoi shifrën 700 si një dëm shkaktuar…

Ilir Meta mund të sajojë justifikime për eurot që u afruan, apo 7%, të dyja më ofroheshin mua. Se sa ishte pjesa e tij. Por pjesa e tij ishte 20%, e kishte vënë në emrin e Fatmir Merkaj, ose të firmës së tij. Është një person i mirë, por ashtu e ka parë ai për të ndërtuar jetën. Më duket se ka qenë shofer i Ilir Metës. Tani merret me ndërtime. Pra, Ilir Meta kishte pjesën e vet tek kjo.


Janë akuza shumë të rënda…

Të ikin të marrin regjistrimin e kompanisë në QKR dhe të shikojnë, nëse është kjo që them unë.


Prokuroria bëri një deklarim mbi hetimin që ka bërë mbi disa koncesione. Mendoni që ky fakt që keni nxjerrë do të hetohet për një koncesion që nuk është dhënë?

Ky i është dhënë një bashkimi tjetër kompanisë, kompanisë “Kurum” dhe kompanisë “Doko” nga Elbasani. Ajo është bërë, pasi unë kam ikur. Ilir Meta më ka bërë mua presion dhe më ka bërë mua ofertë të paligjshme për t’ia dhënë vëllezërve Tola.


Ju përmendët emrin e një biznesit, por thoni se ai është djalë i mirë. Akuzoni se 20% i tij, është i Ilir Metës. Ju thoni se ka një shtresë biznesmenësh që kërkojnë ndere të paligjshme?

Ju jetoni në të njëjtin realitet që jetoj unë. Disa përfitojnë në kurriz të tjerëve në mënyrë të padrejtë. Favorizime ka në realitetin shqiptar në mënyrë të rëndomtë. Çdo shqiptar po të pyesësh do të japë raste të tilla.


Në një moment dëgjohet dhe prokuroria. Biseda është e marsit 2010. Më duket sikur dëgjoj emrin Belegu dhe një herë Stojku. Keni deponuar për këtë pjesë të bisedës?

Në prokurori kam diskutuar për pjesën e zbardhur nga emisionin “Fiks Fare”. Përmendja e kryeministrit ka qenë kur ne mendonim të zëvendësonim drejtorin e KESH-it. Më kërkoi të emëroja atë që është sot. Kontekstin e prokurorisë nuk e mbaj mend plotësisht, mund të ketë qenë për Belegun. Bëhej fjalë për të tjerë. Mund të ketë qenë Belegu, ku Meta më thoshte ki kujdes se prokuroria mund të veprojë. Mund të ishte për Belegun. Meta ma ka përmendur disa herë, më ka kërkuar ta largoja nga detyra.

Sot Nikollë Lesi, një nga aleatët e koalicionit qeverisës ka deklaruar se do të deklarojë tre emrat e ministrave që janë të korruptuar… Keni ju dijeni?
Unë mund të kem dy të sigurt, Ilir Meta dhe Genc Ruli. Për të tretin nuk dëshiroj të abuzoj me asnjë nga ish-kolegët e mi.

Si do të mendoni se duhet të ishte reagimi i mazhorancës, nëse vërtetohet autenticiteti i kasetës?
Kjo është një gjë për 3-4 ditë mund të verifikohet. Nëse nuk ka ekspertë prokuroria, mund të merren të huaj. Është detyra e prokurorisë që të mos e lejojë opinionin kaq të varur, duhet të japë një deklaratë. Nëse thotë se faktet konfirmohen në versionin origjinal, e gjithë qeveria duhet të japë dorëheqjen dhe të ketë guximin që Berisha të kërkojë një mazhorancë të re. Për Shqipërinë, do të ishte më mirë që të shkonim në zgjedhje të parakohshme.

Ju besoni se Ilir Meta nuk thotë të vërtetën?
Nuk është çështja se çfarë besoj unë, por çfarë kanë parë sytë e mi dhe çfarë kanë dëgjuar veshët e mi, dhe të gjithë shqiptarëve. Ai tani tregon përralla. Unë mora vesh që e kanë fituar Apelin dhe ma thotë ai, ma tha edhe personi në telefon. I thashë që ma dërgo në protokoll, siç bën zyrtari i shtetit.

Zoti Prifti keni pasur kërcënime të reja?
Kam pasur 2-3 mesazhe pas dhënies së video, kryesisht sharje, ofendime, jo kërcënime të drejtpërdrejta. Ky mafiozi, mua më duket kaq komik, se e njoh kush është, ai përpiqet të hiqet si një njeri tjetër dhe vazhdon përditë e kërcënon. Edhe muajt e fundit nga celulari i tij më kanë ardhur disa mesazhe që mos i turpëro ato fëmijët e t’u. Siç vepron mafia. Ky ka 3 muaj, që kur ka shkuar atje, ka kthyer përmbys të gjithë ministrinë ku kam hedhur firmë unë. Kanë ardhur dy policë në administratë, aty kanë thirrur të gjithë administratën dhe i kanë pyetur mbi mua. Disa na kanë ardhur dhe na kanë thënë që na thirrën. Atyre i kërkojnë që të shpifin për mua. Kanë instaluara kamera të fshehta në zyra dhe i bëjnë terror.


Keni besim se do të dali ndonjë gjë në lidhje me ju?

Dy herë e kam bërë kontrollin unë. Për pasurinë më janë bërë akuzat përpara se të isha ministër. Pasuria s’ka pasur lidhje me detyrën. Ky pretendon se një ditë do të vijë një ditë që do të bëhen hetimet dhe do të dalë e vërteta, ky burri bashkë me Lulëzim Bashën dhe Sali Berishën kanë bërë plan që me çdo mënyrë t’i marrin Bashkinë Edin Ramës, prandaj rrinë mëngjes-drekë-darkë bashkë. Ta them unë skenarin. Pastaj Ilir Meta, me disa njerëz që janë brenda PS, dhe disa që janë jashtë, do të ndërmarrë një fushatë të tmerrshme që të bëhet kryetar i opozitës. Do t’i sulet Edi Ramës për të marrë kryetarin e Parisë Socialiste. Imagjino se çfarë skenari ogurzi është ky për Shqipërinë, që këta njerëz të kenë mazhorancën dhe opozitën, punët i bëjnë vetë. Nëse kjo do të ndodhë, unë nuk do të jem në atë kohë në Shqipëri. Ky është skenar i pafalshëm.

Ju keni bërë disa deklarata dhe më pas i keni cilësuar si emocionale. Mos janë edhe këto emocionale?
Unë kam thënë që janë emocionale, por jo të pavërteta.


Çfarë skenari bëhet fjalë?

Bëhet fjalë për një skenar që të marrë Meta PS-në. Unë kam informacione. Edhe në takimin që ka qenë Meta-Nano, kjo ka qenë temë, se si njëri do të kthehej në krye të PS-së dhe njëri president. Fiksimi i Ilir Metës, partia e vet tani ka 1-2%, fiksimi i tij është që Edi Rama ta humbë Bashkinë e Tiranës me çdo kusht, që ta heqë dhe të marrë kreun. Ai është mësuar duke i blerë votat. Në 2001-in më ka kërkuar mua 500 mijë marka për të blerë votat. Nuk është shfaqur ndonjëherë në publik siç është shfaqur këtu. Mua nuk më intereson nëse e dënojnë apo jo, vetëm efekti që ka bërë tek njerëzit që kanë parë fytyrën reale të Ilir Metës, mua më mjafton.


Këtë skenar ua ka treguar vetë?

Jo vetëm mua, por këtë skenar e diskuton me lloj-lloj njerëzish. Sot ka disa njerëz brenda në grupin e PS-së që e diskuton këtë gjë.

Kush janë këta njerëz? Për transparencë…
Unë nuk mund të them emra tani. Ata që duan të dinë, i dinë se kush janë këta njerëz.

Lidhur me videon ju keni përmendur një emër: Bekim Halilaj. Ky person më ka dërguar një sms ku më thotë: Ju lutem bëjini një pyetje zotit Prifti. Kur është bërë ankandi i parë dhe çfarë marrëdhëniesh kam unë me të, a më ka ftuar në shtëpi…
Bekimi ka qenë dje me Ilir Metën, i kanë kërkuar Tom Doshit të pinë një kafe. Nuk e mohoj që nuk është mik me Tom Doshin. Nuk e mbaj mend ta kem ftuar ndonjëherë në shtëpi. Për mendimin tim nuk ka ndonjë rëndësi. Ai është mik i Ilir Metës. Fakti që donte t’ia jepte atij është lehtësisht i verifikueshëm. Nuk e ka pasur garancinë për ta marrë. Komisioni e ka skualifikuar.

Një tjetër mesazh më thotë: A ka zoti Prifti ndonjë hobi si gjuetia apo peshkimi dhe nëse ka mos të shkoni në gjueti. Keni frikë mbi sigurinë tuaj?
Disa aludojnë për ish-mikun tim Kosta Trebicka që u vra kur shkoi në gjueti.

Zoti Prifti, po thoni që u vra?
U vra, a e vranë, a u vra vetë, fakti është që ai u vra. Jam i frikësuar për familjen time, nuk kam frikë për vdekjen time. Por, jam i frikësuar për familjen time dhe brenga e vetme që kam nga gjithë kjo histori, është se atyre iu kam sjellë rrezikun e jetës. Unë po përpiqem që t’i mbroj. Ilir Meta është një njeri jashtë mase i rrezikshëm. Mjafton të marrësh videot. Mjafton të marrësh çfarë hyn dhe çfarë del në zyrën e tij në një javë. Njerëzit që hyjnë dhe dalin në zyrën e tij i kanë bërë 100 vite burg. Ai është një njeri, i cili shoqërohet me këta njerëz. Jam i shqetësuar për sigurinë, por s’i dihet asnjëherë.


Do të jeni i gatshëm të përballeni me Ilir Metën?

Në sekondën që ai do të pranojë, unë do ta pranoja. Do të kisha kënaqësinë të përballesha edhe brenda LSI, por u bë e pamundur të qëndroja. Ilir Meta është një person me intelekt mesatar. Ai ka mbaruar shkollën dhe s’ka bërë një ditë punë. Direkt në politikë dhe e ka pasur të lehtë. Për sa i përket nivelit të intelektit, në çdolloj konkursi, çfarëdo lloj gjëje unë jam i gatshëm të dalë përballë tij.


A ka video të tjera?

Faktet dhe abuzimet janë pafund të kohës kur unë isha ministër dhe të kohës që Ilir Meta është ministër. Ilir Meta ka marrë në punën një njeri që quhet Astrit Banushi. Ai rrinte prapa derës sime se duhej t’i firmosja një pagesë prej 200 milionë lekësh për një gjë që nuk e meritonte. 3-4 muaj prapa derës sime nuk ia firmosja. Pasi u bë ministër, Ilir Meta ia firmosi dhe i mori lekët nga buxheti i shtetit. Javën e fundit, kompania CEZ bëri një mbledhje bordi. Ilir Meta ka shkuar në Çeki për t’i kërkuar CEZ që t’i jepej një mikut të vet një kontratë. Ai është Kastriot Ismailaj. Donte që t’i jepte kontratë për t’i mbledhur borxhet e vjetra, për të mbledhur 200 milionë euro. Nëse do të mblidheshin do të merrte 50%. Procesi i privatizimit të “Albpetrolit” është i bllokuar komplet, ai nuk firmos asnjë. Ka tre muaj që nuk ka dërguar në Ministrinë e Financave asnjë dosje për privatizim të ri. Ai nuk do ta privatizoj “Albetrol”. Meqë më pyete për videon. Kur jam përgjigjur herën e parë të thashë që nuk ka video. Doja të thosha që nuk ishte koha për t’i nxjerrë. Është shpejt dita tjetër, jo javë të tjera, por më shpejt. Kam dokumente të tjera, sigurisht.


Video-skandali

Tre ditë më parë është publikuar video-skandali i korrupsionit të zhvilluar në zyrën e Dritan Priftit, në atë kohë ministër i Ekonomisë. Në video shfaqet Ilir Meta, i cili hyn në zyrë me një bllok në dorë ku mban të shënuar të gjitha llogaritë që duhet të kërkojë nga Prifti. Biseda është e tensionuar. Duket që marrëdhëniet mes dy zyrtarëve të LSI janë të acaruara. Meta i kërkon në fillim të bisedës zgjidhjen e një çështje për llogari të një personi që quhet Tur Hajdari. Pjesa më kulminante është kur Meta kërkon anulimin e një tenderi dhe më pas dhënien e një koncesioni. Ai thotë që e zgjidh çështjen e koncesionit me kryetaren e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj. Në formë urdhri ai i kërkon Priftit ta mbarojë punën e koncesionit të Hidrocentralit brenda ditës, edhe pse nuk janë letrat në rregull. Në bisedë shfaqet edhe emri i Doktorit, i cili i ka dhënë garanci Metës që do mbyllë çështjen brenda javës.


LSI

Menjëherë pas publikimit të videos ka reaguar Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila e ka konsideruar video-skandalin si një shfaqje të neveritshme realizuar përmes një montazhi të pështirë, ku në rolin e një çimke të komanduar nga Edi Rama përpëlitet në grahmat e fundit, i detyruar ta hedhë vallen sipas vijësjelljes së klaneve kriminale dhe korruptive, që me largimin e tij nga qeveria humbën instrumentin për realizimin e interesave të tyre kriminale. Për Lëvizjen Socialiste për Integrim, shfaqje të tilla – pjellë e krimit të organizuar, nuk përbejnë asnjë shqetësim. Përkundrazi, lufta pa kompromis e deri në qelizën e fundit ndaj krimit të organizuar dhe veprimtarisë mafioze e korruptive mbetet një konstante e pandryshueshme, një prioritet gjithnjë i pazëvendësueshëm, nga i cili nuk mund të na largojnë makinacionet dhe montazhet e një çimke të skaduar.

Komisioni Europian
Një ditë pas publikimit të video-skandalit Meta-Prifti, Komisioni Europian ka kërkuar marrjen e të gjitha masave nga drejtësia shqiptare për të hetuar materialin. Zëdhënësja e Komisionit Europian për Zgjerimin, Natasha Butler, ka folur nga Brukseli për këtë çështje duke iu kujtuar autoriteteve shqiptare se duhet të tregojnë përgjegjshmëri në këtë rast, pasi lufta kundër korrupsionit është një nga 12 kërkesat e Komisionit Europian për Shqipërinë. “Ne sapo jemi informuar për këto zhvillime të fundit në Shqipëri e nuk mund të komentojmë në mënyrë specifike. Siç e dini, ekziston një sistem ligjor në Shqipëri dhe ky sistem ligjor duhet të zbatohet dhe për këtë rast. Nëse ky rast do të konfirmohet, i takon së pari prokurorisë që të ndjekë bazuar në informacionet e dhëna dhe të ndërmarrë hetimet që i vlerëson relevante”, – deklaroi Butler


Edi Rama

Një ditë pas publikimit të videos kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha se u pa nga të gjithë, me zë e me figurë, një ndër episodet e panumërta që ndodhin prej kohësh nën çatinë e qeverisë së krijuar me vota të vjedhura për të vjedhur Shqipërinë. “Ndërsa ndje, u panë e u dëgjuan, të dy bashkë, kryeministri dhe zëvendësi i tij, kusari i zgjedhjeve të 28 qershorit dhe matrapazi i votave opozitare, t’u tregonin shqiptarëve se jo vetëm kanë vjedhur votat për të vjedhur Shqipërinë, po me fuqinë e shtetit të kapur e të parasë së pistë, duan të vazhdojnë të vjedhin votat e të plaçkitin gjithçka, madje duke u tallur me një popull të tërë”, – vlerësoi Rama. Kryetari i Partisë Socialiste e cilësoi ngjarjen si episodin më të turpshëm që ka tronditur vendin dhe është thjesht një provë më shumë, në malin e provave, fakteve e grupfakteve të dokumentuara të keqqeverisjes së Saliut e Metës.


Ilir Meta

Ilir Meta reagoi një ditë pas videos duke pretenduar se ajo që ishte e filmuar ishte e vërtetë, por se zëri i tij ishte dëgjuar gabim. Me pretendimin se “nuk i janë lexuar mirë buzët”, Meta ka thënë se nuk është përmendur në asnjë rast shifra 7%. Për shifrën 700 që aludohet të jetë 700 mijë euro, Meta është shprehur se nuk e mban mend se çfarë është. Ai ka pohuar se ka hequr dorë vullnetarisht nga mandati në mënyrë që prokuroria ta hetojë. “Besoj se veprimet e mia janë të kristalta. Për dorëheqjen time, unë do ta jap dorëheqjen. E kam premtuar. Por në 28 qershor të 2013. Unë nuk e di se çfarë është ajo 700, sepse unë nuk mund të mbaj përgjegjësi për interpretimin që i bëhet buzëve të mia dhe as për përkthimin nga shqipja në shqip, dhe për gjithçka që pretendohet nga organizatorët, nga retusherët e kësaj kasete të pështirë. Unë kam kërkuar, kërkova prapë dhe do të kërkoj gjithmonë që të hetohet nga prokuroria”, – tha Meta.

Dritan Prifti
Pas Metës ishte radha e Priftit që të jepte shpjegimin e tij për video-skandalin. “Dua të konfirmoj si dëshmitar i ngjarjes se videoja është e saktë dhe përmban thënie origjinale të Ilir Metës në bisedën me mua. Urdhri për anulimin e tenderit në “Albpetrol”, në mënyrë që tenderin tjetër ta fitonte miku i tij, Bekim Halilaj, është i qartë si kristali me figurë dhe me zë. Urdhri kërcënues për të dhënë një koncesion hidrocentrali bashkimit të firmave të udhëhequr nga vëllezërit Tola dhe pasuar nga miku tij Agim Rrapaj dhe ortaku i tij Fatmir Merkaj, janë të kristaltë në figurë dhe në zë. Ai me figurë dhe zë kristali telefonon Agim Rrapajn nga telefoni i tij dhe ma nxjerr mua në telefon. Ai ofron 7% si shpërblim. i ofrova atij (Berishës) kopje të videos dhe ai nuk pranoi ta merrte dhe ta shihte. Shumë njerëz e kanë ditur brendinë e videos, por deri dje nuk e kishin parë”, – tha Prifti.

Prokuroria
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për video-skandalin e publikuar tre ditë më parë, ku zv.kryeministri Ilir Meta implikohet në afera korruptive. “Prokuroria e kryeqytetit, me iniciativën e saj pas publikimit të videos ku shfaqen dy deputetet Ilir Meta dhe Dritan Prifti, të filmuar në zyrën e këtij të fundit ku dhe diskutohet për disa dyshime “kriminale” ka nisur verifikimin. Fillimisht, do të kryet verifikimi i faktit kriminal, që ekzistojnë apo jo elementë të veprës penale të “korrupsionit pasiv dhe aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror” dhe asaj të “shpërdorimit të detyrës” dhe më pas do të procedohet si në të gjitha rastet hetimore. Në rastin kur evidentohet përgjegjësia penale në këtë video dhe konstatohet se protagonist të këtij fakti kriminal janë deputetë, atëherë dosja do të delegohet në Prokurorinë e Përgjithshme për të përpiluar kërkesën drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit”, – tha prokurori.

Bamir Topi
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ka dhënë mbështetje të plotë kryeprokurores Ina Rama që të bëjë detyrën e saj pa u ndikuar nga politika. “Tashmë, kjo është një çështje e Institucionit të Prokurorisë dhe, patjetër, inkurajoj Prokurorinë, jo thjesht në sensin për të bërë detyrën e saj, sepse ndonjëherë është e panevojshme të thuhet që inkurajoj Prokurorinë, duke qenë se Prokuroria është një Institucion që ka një ligj. Por, e them këtë për të bërë transparencë. Pra, inkurajoj Prokurorinë të bëjë punën e saj, të hetojë dhe të bëjë transparencë hap pas hapi, sepse ka mjaft ngjarje, që kanë një sensibilitet të lartë publik, me të drejtë, dhe këto ngjarje duhet patjetër të certifikohen hap pas hapi, qoftë në sensin e pohimit të gjërave, qoftë në sensin e kontestimit të gjërave. Pra, kemi nevojë të respektojmë institucionet, shtetin ligjor dhe vetëm atëherë do të shkojmë në parametrat e shtetit të së drejtës. Komentet politike pastaj nuk më takojnë mua t’i bëj, u takojnë të tjerëve”,- tha dje presidenti.


Sali Berisha

Kryeministri Sali Berisha është personi i fundit që ka komentuar parë video-skandalin e zv.kryeministrit Ilir Meta. Teksa ditën e parë Berisha u shfaq në mbledhjen e qeverisë duke folur për arrat, gështenjat dhe ullirin, dje ai u shfaq duke vlerësuar vartësin e tij Ilir Meta që ka vendosur të heqë dorë nga imuniteti. Kryeministri ka sulmuar edhe kreun e PS-së, Edi Rama, duke i akuzuar se kanë falsifikuar materialin dhe bisedën. Ai shpjegoi se Dritan Prifti e ka informuar për videon përpara se ajo të transmetohej, por ai vetë nuk ka marrë asnjë masë. Madje, Berisha ka marrë edhe “meritën” për publikimin e videos: “Ajo video ka ardhur tek ju, sepse kam dashur unë. Është e vërtetë që Dritan Prifti më ka ofruar videon, por i kam thënë çoje ku të duash, është shumë e vërtetë. Ju videon e morët, sepse nuk e mora unë. Po ta merrja unë, ju nuk e merrnit, por kjo nuk mund të ndodhte, sepse nuk është morali im. Ai është një material i trukuar”, – tha dje Berisha.

***

Dritan Prifti një nga personat kryesorë në video-skandalin e Ilir Metës , publikuar nga ‘Fiks Fare’, pas katër orësh ka lënë Prokurorinë e Tiranës. Prifti tha për gazetarët se dorëzoi në Prokurori kasetën origjinale, ndërsa shtoi se është pyetur për detaje në lidhje me ngjarjen. Pas daljes nga Prokuroria Prifti pohoi se do të jetë në dispozicion të drejtësisë për të zbardhur plotësisht çështjen.

***

TIRANË – I kontaktuar nga “Shekulli” pasditen e djeshme, deputeti Dritan Prifti ka shpjeguar se çfarë “fshihet” në pjesën tjetër të videos që Meta pretendon se është e prerë. Sipas Priftit, shkaku përse kjo pjesë e videos është prerë është thjesht teknik, pasi në ato momente zëri është shumë i ulët dhe është e pamundur që të dëgjohet se çfarë po bisedojnë dy personazhet.
Për aq sa mban mend ish-ministrit Prifti, në atë pjesë të videos diskutohet për emërime të tjera që Ilir Meta kërkonte që të bëheshin në administratën shtetërore. Në fillim të videos tregohet që ai mbante me vete një bllok ku kishte shënuar një nga një të gjitha porositë që kishte për ministrin Dritan Prifti.
Në pjesën e prerë ndodhen porositë e emërimeve. Në këtë pjesë është biseduar edhe në lidhje me prokurorinë dhe mundësinë që ajo të nisë hetimet për çështjen e koncesionit të hidrocentralit Egnatia-Shushica në lumin e Gostimës.
Meta i shpjegon Priftit që duhet të kenë kujdes që kjo bisedë të mos hapet shumë, pasi ndokush mund të flasë në prokurori. Burime të prokurorisë kanë pohuar dje se kanë marrë një kontakt paraprak me deputetin Dritan Prifti dhe se ai u ka pohuar që do të shkojë sot paradite për të dorëzuar materialet e çështjes. Bëhet fjalë për videon origjinale, të cilën ministri do ta dorëzojë zyrtarisht si provë.
Sot pritet që ai të japë edhe një dëshmi të shkurtër për të gjithë çështjen. Që nga momenti i transmetimit të videos, deputeti Dritan Prifti ka marrë disa kërcënime në telefon. Kërcënimet kanë ardhur përmes telefonatave të panjohura dhe mesazheve. Këto do të depozitohen në prokurori në cilësinë e provës. “Kam shpërndarë provat brenda dhe jashtë Shqipërisë në miq të besueshëm.
Nëse më ndodh gjë mua apo familjes, fajtor janë 2 persona: Sali Berisha dhe Ilir Meta. Berisha deri tani nuk ka motiv, kurse Meta është shprehur që është gati të marrë kallashin kundër meje.
Kriminelët ordinerë nuk kanë punë me mua, ata mund të veprojnë vetëm me urdhër politik. Fëmijët nuk dinë asgjë, sepse janë të vegjël dhe ne i mbajmë larg televizorit. Të mëdhenjtë janë të shqetësuar.
Kam menduar ta largoj familjen në SHBA për disa kohë, por me vjen keq t’i shkëpus fëmijët nga shkolla dhe shoqëria e tyre”, është shprehur Prifti në një intervistë për Shekullin, pak dite para publikimit te videos, interviste e cila mund te lexohet e plote me poshte:
Zoti Prifti, ju tashmë jeni larguar nga LSI. Si e gjykoni këtë vendim?
Jam shumë i qetë që nuk kam të bëj dhe nuk jam në një familje politike me Ilir Metën, politikanin më të paburrë dhe më të pabesë që ka lindur ndonjëherë ndonjë nënë. Ka qenë një vendim i vështirë të ndahem përkohësisht prej mbështetësve të mi në Fier, Lushnjë dhe Mallakastër, por ka qenë vendimi i duhur për të ikur prej LSI-së. LSI është një parti që tani ka 2% elektorat në gjithë vendin dhe një forcë politike pa të ardhme. Jo vetëm shpëtova prej intrigave të LSI-së, por shpëtova dhe të ardhmen time politike dhe investimin tim 13-vjeçar në politikë aktive. U largova nga një barkë peshkimi që po mbytej dhe falimentonte. Edhe peshqit janë aq të mençur sa të mos bien në rrjetën e Ilir Metës.
Duke bërë një retrospektivë, si lindi LSI-ja shtatë vjet më parë dhe në çfarë situate jemi sot?
Nuk dua të flas fare për LSI-në më gjatë. LSI ka qenë një gabim i madh i imi. Nuk duhet të isha bërë kurrë partner politik në këtë aventurë me Ilir Metën. LSI tani është parti e Ilir Metës. Të tjerët aty janë mbushës topi, që Meta i hedh si t’i mbushet mendja. Më vjen mirë që shqiptarët e kanë braktisur këtë parti dhe më në fund e kanë njohur Ilir Metën siç është.
Ju keni përmendur mundësinë e krijimit të një grupi të ri parlamentar. Keni nisur negociata me deputetë të tjerë?
Unë kam synim të krijojmë një grup në Parlament që të ketë mundësi të diktojë mazhorancë. Në këtë mënyrë, ne do të mund të kontribuojmë për ligje më të mira dhe për politikë më të përgjegjshme dhe atdhetare. Deri sot, unë me z. Paulin Stërkaj jemi për këtë projekt. Do të punojmë dhe me shokë të tjerë dhe shpresoj të kemi sukses. Sigurisht që është vështirë se PD dhe LSI luajnë me shuma gjigante parash për të blerë deputetë, kurse ne duhet të punojmë me parime dhe bindje për të ndërgjegjësuar deputetët që projekti ynë është për të mirën e vendit dhe të tyre, por s’ka oferta financiare.
Ku do të pozicionohet ky grup?
Ky grup do të pozicionohet në opozitë, por nuk do të votoj kundër apo bojkotoj çdo ligj. Ne do të gjykojmë me qetësi dhe do të votojmë ligjet që i duhen integrimit dhe vendit. Ligjet që ofrojnë mburojë për korrupsionin dhe favorizime për një kastë të caktuar, ne do t’i kundërshtojmë fuqishëm…
Në rast në një mocioni votëbesimi për qeverinë, si do të jetë vota juaj?
Kjo do të gjykohet nga gjithë anëtarët e grupit në kohën kur vjen mocioni mosbesimit për qeverinë. Do të gjykojmë motivet e mocionit dhe emrin e kryeministrit të ri dhe do të vendosim. Unë personalisht jam për rrëzimin e qeverisë ku Ilir Meta është pjesë.
Keni thënë se Berisha ka dijeni për korrupsionin e shumë ministrave, por nuk ka mundësinë t’i heqë, sepse i lëkundet qeveria. Cilët janë këta ministra, për çfarë aferash bëhet fjalë?
Berisha ka informacion për shumë nga ministrat dhe nuk ka çfarë iu bën. Me situatën e krijuar në Parlament, ai ka nevojë dhe për një votë të vetme. Ai nuk godet dot asnjë ministër të korruptuar, sepse humbet mazhorancën në Kuvend. Unë kam folur boll dhe s’kam ndërmend të bëhem prokuror për të denoncuar të gjithë. Nuk mund të rrezikoj më tepër nga jeta ime dhe e familjes sime.
Si e shikoni situatën e brendshme në LSI, por edhe në të gjithë mazhorancën?
Unë besoj se Qeveria është shumë e brishtë. Ajo mbahet në këmbë nga disa vota të majta të LSI-së, disa të PDU-së dhe disa deputet të PD-së që janë shumë të pakënaqur me trajtimin që i bën udhëheqja e PD-së. Ata kanë sy dhe shohin që disa pasurohen, kurse ata rrinë me rroga dhe shtëpi me qira. Unë parashikoj një vazhdim shumë të vështirë të mazhorancës. Ata do të punojnë në një terren shumë rrëshqitës gjithë javët që vijnë. Qeveria mund të bjerë nga çasti në çast. Është e sigurt që ajo nuk shtyn dot tre vjet. Çdo gjë është e pasigurt për ata.
Një rast tepër enigmatik është arrestimi dhe më pas zhdukja e ish-këshilltarit tuaj, Eduard Belegu. Si është e vërteta e kësaj çështjeje, përse u arrestua ai në mënyrë aq bombastike?
Zoti Belegu është arrestuar me motive politike, për të më trembur mua si ministër. Nuk ka asnjë shpjegim tjetër arrestimi me bujë i tij në zyrën në ministri. Çështja penale, me të cilën u arrestua Belegu, kishte vite që ishte hapur. Ajo s’kishte lidhje me detyrën e tij si këshilltari im, por me një aktivitet privat të tij para disa vjetësh. Ai ishte thirrur në prokurori për pyetje dhe pastaj për rreth një vit askush s’ishte kujtuar për çështjen, madje atij nuk i ishte bërë e njohur asnjë akuzë. Çështja nga informacionet e mia është hapur nga prokurori i rrethit të Elbasanit, me nxitjen e Agron Kuliçajt. Prokurori i çështjes i është shprehur vetë z. Belegu se e ka hapur me urdhër çështjen dhe pa vullnet. Unë habitem se përse Prokuroria nuk e heton këtë arrestim dhe çështje. Disa javë, pasi Z. Belegu doli nga burgu, çështja u pushua dhe akuzat që e futen në burg pushuan. Kjo histori ngjan me kohën e Enver Hoxhës kur njerëzit futeshin në burg me urdhër politik, me akuza të sajuara. Z. Belegu u zhduk në kohën kur po përgatitej të denonconte prokurorinë dhe policinë për arrestimin e tij. Zhdukja e tij ka të bëjë me burgimin e padrejtë. Kjo është një histori e trishtueshme e lidhjes së politikës me prokurorinë dhe policinë e shtetit për t’i bërë presion një ministri, por që përfundoi me zhdukje personi. Kjo histori duhet zbardhur. Unë e kam kontaktuar disa herë Agron Kuliçajn për këtë çështje, por s’kam marrë kurrë një përgjigje prej tij. Opozita duhet të kërkojë zbardhjen e kësaj. Presidenti duhet të kërkojë përgjegjësi për arrestin e bujshëm, kur nuk ekzistonte asnjë arsye e përligjur për arrestim dhe Znj. Ina Rama të gjejë përgjegjësit e vërtetë. Ed Belegu ka qenë një mik i mirë i mi dhe unë asnjëherë nuk do të ndal deri sa dikush të gjej të vërtetën.
A ju kanë bërë ju ndonjë presion në lidhje me Belegun?
Çdo gjë që i ndodhi Belegut ka qenë presion ndaj meje nga Ilir Meta dhe miku i tij i fundit, Agron Kuliçaj. Është skandaloze të mendosh që Eduard Belegu ka qenë një financues i madh i LSI-së, kandidat për deputet dhe anëtar i KDK-së, dhe Ilir Meta përsëri e goditi.
Në mendimin dhe dijeninë tuaj, kush mban përgjegjësi për zhdukjen e zotit Belegu?
Ilir Meta, Agron Kulicaj, prokurori Elbasanit dhe prokurori i çështjes. Këta njerëz në bashkëpunim janë fajtorë për fatin e Ed Belegut.
Ju jeni kërcënuar personalisht dhe familjarisht me jetë?
I denoncova në prokurori dhe pres të dalë e vërteta. Sigurisht, në këtë terren politik kur Agron Kulicaj vazhdon të mbështetet politikisht, dhe dhjetëra kriminelë që vijnë rreth tij, unë ndjehem i rrezikuar dhe për jetën. Familjen e kam të rrezikuar. Kam marrë masat e mia. Kam njoftuar ambasadat e huaja dhe institucione të tjera të inteligjencës. Kam shpërndarë provat brenda dhe jashtë Shqipërisë në miq të besueshëm. Nëse më ndodh gjë mua apo familjes, fajtor janë 2 persona: Sali Berisha dhe Ilir Meta. Berisha deri tani nuk ka motiv, kurse Meta është shprehur që është gati të marrë kallashin kundër meje. Kriminelët ordinerë nuk kanë punë me mua, ata mund të veprojnë vetëm me urdhër politik.


Sa kanë ndikuar këto kërcënime, por edhe akuzat politike të bëra ndaj jush, në jetën private, tuajën dhe të familjes?

Fëmijët nuk dinë asgjë, sepse janë të vegjël dhe ne i mbajmë larg televizorit. Të mëdhenjtë janë të shqetësuar. Kam menduar ta largoj familjen në SHBA për disa kohë, por me vjen keq t’i shkëpus fëmijët nga shkolla dhe shoqëria e tyre. Jam duke e gjykuar këtë punë në vazhdimësi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here