Zbulohet korrespondenca e fshehtë e shtetit shqiptar me kompanitë e huaja të naftës. Si u shmangën gjigantët botërorë për t’i dhënë koncesionin e naftës bashkëjetuesit të Albana Vokshit
Deputeti socialist, Erjon Braçe, ka publikuar dje dokumentet sekrete shtetërore se si u shmangën kompanitë e huaja dhe qeveria i dha koncesionin e naftës bashkëjetuesit të deputetes Albana Vokshi. Një ditë më parë, Braçe ishte paralajmëruar nga zyrtarët shtetërorë se do të paditej në gjykatë nëse publikonte dokumentet. Në to tregohet korrespondenca me kompanitë prestigjioze ndërkombëtare dhe shmangia që qeveria iu bëri atyre.
Tre kompani të huaja janë refuzuar gjatë vitit 2006 nga kompania shtetërore “Albpetrol”, më tej nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në fund, përfundimisht nga Qeveria e Kryeministrit Sali Berisha! Të tre kompanitë kishin shprehur interesin, kishin blerë paketat ekonomike, kishin bërë ofertat e tyre ekonomike për të arritur marrëveshje me Qeverinë e Kryeministrit Sali Berisha për vlerësimin, zhvillimin dhe shfrytëzimin e 4 nga 6 vendburimet kombëtare në naftë e gaz të Shqipërisë.
Dokumentet e reja dëshmojnë se Saxon International Eenergy ltd, Hellenic Petroleum, Bankers Petroleum prej muajsh kishin hyrë në marrëdhënie me Albpetrol”, kompani shtetërore nën administrimin e Qeverise së Kryeministrit Sali Berisha. Interesi dhe ofertat e tyre i referoheshin katër vendburimeve karbonatike në naftë dhe gaz; konkretisht Gorisht-Koçul, Cakran-Mollaj, Ballsh-Hekal dhe Delvine.
Por “Albpetrol” ka ndërprerë në mënyrë të njëanshme praktikën e nisur me Saxon dhe Hellenic, ndërsa ofertën e kompanisë Bankers nuk e ka bërë fare të njohur për autoritetet e ngarkuara nga ligji për vendimmarrje. Ministria e Ekonomisë e ka favorizuar këtë praktikë skandaloze. Madje ka bërë më shumë, ka detyruar qeverinë të pranojë një praktikë thellësisht jo ligjore, jo konkurruese dhe të pa favorshme për interesin publik.
Ka qenë Stream Petroleum ldt që ka “joshur” Albpetrolin, zyrtarët shqiptarë të së cilës kanë qenë si “të dehur” kur kanë flakur ligj e rregull për të krijuar një marrëdhënie “konfidenciale” dhe “ekskluzive” negociatash dhe marrëveshjesh me kompaninë e panjohur më parë të “doktor” Sotirios Kapotas.
Jo vetëm “të dehur” por edhe të pa informuar! Mbi të gjitha euforikë, të njëanshëm, këmbëngulës deri në kokëfortësi kur kanë refuzuar në mënyrë kriminale rekomandimet e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore që synonin kthimin në ligjshmëri të procesit dhe ndërtimin e tij në favor të interesit publik.
Historia
Duke nisur nga mesi i vitit 2006, kompanitë Saxon, Hellenic dhe Bankers kanë hyrë në marrëdhënie me kompaninë Albpetrol. Interesi i tyre ka qenë konkret, për vendburimet karbonatike Gorisht-Kocul, Cakran-Mollaj, Ballsh-Hekal në naftë dhe vendburimin Delvinë në gaz.
Dokumentet e reja tregojnë gjithë praktikën e ndjekur, duke nisur nga prezantimi, shprehja e interesit, blerja e paketave teknike-ekonomike nga Albpetrol, oferta, negociimet, marrëveshja për periudhën e vlerësimit, marrëveshja hidrokarbure, vendimmarrja e qeverisë, dorëzimi i puseve në vendburimet nën marrëveshje.
Por nuk ka ekzistuar barazi në këto praktika. Madje secila prej tyre ka qenë nën vlerësimin subjektiv të zyrtarëve përgjegjës, nën vëzhgimin dhe më pas urdhrat e Ministrisë së Ekonomisë. Kjo ka bërë që të mos ketë pasur konkurrencë, përzgjedhjeje në favor të interesit publik por klientelizëm dhe thjesht paracaktim e asociim të vendburimeve të rëndësishme me kompaninë e “përcaktuar”!!!
Dokumenti i ri që publikohet sot për herë të parë dëshmon këtë.
DOKUMENT (1) , date 04.09.2006 titullohet: “INFORMACION SHUMË I HOLLËSISHËM MBI ECURINË E NEGOCIATAVE TË ALBPETROL SHA ME PARTNERET E HUAJ”; Albeptrol i drejtohet Këshillit Mbikëqyrës së Albpetrol sh.a; për dijeni Ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.
Kompania Saxon, referencë në faqen 3-4 të dokumentit:
“….Më datën 31.07.2006, me kërkesën tonë, në zyrat e Saxon në Fier, u organizua një takim me drejtuesit e kësaj kompanie….
Në fund të takimit, drejtuesit e Saxon shtruan kërkesën për të tërhequr paketat informative të vendburimeve karbonatike Gorisht-Kocul, Cakran-Mollaj, Ballsh-Hekal.
Nga ana jonë, u kërkua që Saxon të paraqiste kërkesë zyrtare pranë Albpetrol, kërkesë kjo që u përpilua nga ata……. dhe ka mbërritur në Albpetrol më datë 06.08.2006 dhe në mungesë të punonjësve të protokollit i është dorëzuar Drejtorit Teknik.
Drejtori Teknik përgatit draftin e marrëveshjes konfidenciale për blerjen e paketave për të tre vendburimet së bashku dhe më datën 07.08.2006 i jepet Saxon-it për ta shqyrtuar. Më datën 08.08.2006 firmoset nga Saxon.
Saxon për të tre paketat i paguan Albpetrol-it shumën prej 7500 euro
Kompania Hellenic Petroleum, referencë në faqën 8-9 të dokumentit:
“…..Takimi me përfaqësuesit e Hellenic Petroleum Babis Karolidis, Stefanos Xenopoulos, Fedon Marnelis dhe Konstantinos Nikolaou u realizua më 29.06.2006 në zyrat e Albpetrol ku u bë një prezantim i aktivitetit të Albpetrol, të cilën e bënë dhe përfaqësuesit e Hellenic Petroleum.
Përfaqësuesit e Hellenic Petroleum në mënyre të veçantë shfaqën interes për bllokun e Delvinës dhe kërkuan nga ne të blinin paketën informative përkatëse.
Me 07.07.2006 Hellenic Petroleum paraqiti kërkesën zyrtare vetëm për blerjen e paketës informative për bllokun e Delvinës, e cila mbërriti në Albpetrol më 12.07.2006.
Albpetrol përgatiti draftin e marrëveshjes konfidenciale për paketën e Delvinës dhe ju dërgua me e-mail Hellenic Petroleum për të bërë vërejtjet përkatëse. Hellenic kthen në Albpetrol 2 kopje të marrëveshjes konfidenciale të firmosura prej tyre më datën 28.07.2006; më datën 30.07.2006 firmoset nga Albpetrol-i dhe së bashku me faturën për pagesën përkatëse më datën 31.07.2006 i niset kopja Hellenic-ut e shoqëruar me njoftimin se nëse do të ishin të interesuar për këtë bllok, pasi të studionin paketën teknike, afati për propozimet e tyre për Marrëveshjen e Termave Bazë për Bllokun e Delvinës duhet të vijnë deri më datën 25.08.2006 (pasi zyrtarisht ata nuk kishin bërë kërkesë zyrtare për fillimin e negocimeve) për të mos vonuar ecurinë e negocimeve me kompanitë e tjera të cilat ishin më të avancuara në procedurë. Ky njoftim iu dërgua me e-mail.
Më 11.08.2006 bëhet pagesa nga ana e Hellenic Petroleum për paketën……
Në një bisede verbale telefonike, përfaqësuesit e Hellenic Petroleum kërkuan mundësinë e shtyrjes së afatit për datën e parashtrimit të propozimeve të tyre. Nga ana e Albpetrolit iu bë e qartë se limiti maksimal i mundshëm mund të jetë data 15.09.2006, por për të realizuar këtë shtyrje afati, kompania duhet të paraqesë kërkesën zyrtare gjë e cila deri më sot më datën 03.09.2006 nuk ka mbërritur në Albpetrol.
KOMPANIA BANKERS PETROLEUM
Për këtë kompani, interesin dhe ofertën e saj, Albpetrol nuk ka asnjë informacion në dokumentin informues të cituar më sipër. Por në një dokument të dytë, edhe ky i publikuar sot për herë të parë-gjejmë shenja të dukshme të interesit dhe ofertës së Bankers paraqitur pranë kompanisë Albpetrol.
DOKUMENT(2), datë 26.01.2007, nr.61 prot, titullohet: “MBI TERMAT BAZË TË MARRËVESHJES HIDROKARBURE PËR VENDBURIMET E NAFTËS NË GËLQERORE”; Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore i drejtohet ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli.
Referencë në faqen 1 të Dokumentit:
“….gjithashtu vëmë në dukje se AKBN-së më datën 28.12.2006, i është dërguar nga Bankers, propozimi që kjo kompani i bënte Albpetrol për të aplikuar për hyrjen në marrëveshje për vendburimet e naftës ne Gorisht-Kocul, Cakran-Mollaj, Ballsh-Hekal. Në lidhje me këtë propozim të Bankers, Albpetrol nuk ka bërë asnjë kalkulim, për të parë se si vjen ai për interesat e tij dhe AKBN nuk ka asnjë prononcim prej Albpetrol.
…..Më parë duhet të qartësojmë se Bankers ka aplikuar për vendburimet e naftës Gorisht-Kocul, Cakran-Mollaj, Ballsh-Hekal por jo për vendburimin e Delvinës”
Të dy dokumentet e cituar, dëshmojnë qartë se tre kompani të huaja, të cilat operonin me sukses edhe në Shqipëri, kishin nisur procedurat për të hyrë në Marrëveshje me kompaninë Albpetrol, Ministrinë e Ekonomisë dhe Qeverinë e kryeministrit Berisha me qëllim zhvillimin dhe shfrytëzimin e 4 prej 6 vendburimeve kombëtare të naftës e gazit!
Ndërkohë, të dy dokumentet dëshmojnë edhe më qartë se kompania Stream Petroleum ishte e preferuara e Albpetrol, madje e favorizuara e saj. Për këtë shkak, Albpetrol paracaktonte për kompanitë e tjera të interesuara afate të pa logjikshme për të bërë propozimet e tyre. Madje as që merrte në konsideratë propozimet e tyre kur ato ndodhnin.
Në një akt të pa precedentë, Albpetrol vendos të lidhë një marrëveshje ekskluziviteti me Stream Petroleum, marrëveshje që i nxori të tre kompanitë e tjera nga një garë e mundshme që mund t’i jepte Albpetrol, Ministrisë së Ekonomisë dhe Qeverisë së Kryeministrit Sali Berisha, marrëveshjen më të mirë nisur nga interesi publik.
Por mesa duket, interesi publik është gjeja e fundit që udhëheq Qeverinë e shqiptarëve. Qeveria e Kryeministri i kanë humbur shtetit interesin natyral, atë publik duke e përdorur thellësisht për interesin personal, përfitimet që burojnë prej tij e që në fakt dalin prej grabitjes së pasurisë publike.
____________
Kercenohet Braçe: Mos publiko dokumentet e korrupsionit
Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe ka publikuar dje një nga skandalet qeveritare në fushën e karburanteve dhe së bashku me të kërcënimin e shtetit se asnjë nga dokumentet nuk duhet publikuar.
Ai ka arritur të sigurojë dokumentet për shkak të statusit të tij si deputet por institucionet shtetërore i kërkojnë që të mos i publikojë sepse në rast të kundërt do të dënohet.
Bëhet fjalë për rreth 1500 faqe me dokumente të ndryshme që tregojnë korrupsionin qeveritar që nis me ministrin Genc Ruli, deputeten Albana Vokshi dhe bashkëjetuesin e saj, Arjan Tartari e përfundon në sferat më të larta të shtetit. Një biznes miliarda lekë që nuk duhet të publikohet për arsye “sekreti shtetëror”.
“Hesht! Për 35 vjet”. Ky është mesazhi i qartë dhe zyrtar, me të cilin, Ministri i Ekonomisë në qeverinë e kryeministrit Sali Berisha, Ilir Meta, kërkon të mbyllë për një kohë shumë të gjatë – deri në pleqërinë e tij të vonë – dosjen e skandalit “STREM OIL”!
Bëhet fjalë për katër marrëveshje hidrokarburesh, mes qeverisë së kryeministrit Berisha dhe kompanisë “STREM OIL”. Marrëveshjet kalojnë nën administrimin e kompanisë, 4 nga 6 vendburimet kombëtare të naftës e gazit, në Jug të Shqipërisë.
Por, marrëveshje të arritura përmes një praktike korruptive, e cila ka shmangur thuajse me dhunë konkurrencën e tri kompanive të mëdha shumëkombëshe amerikane, kanadeze e greke.
Dokumentet që materializojnë skandalin, dëshmojnë për veprime haptazi të paligjshme të një numri shumë të madh zyrtarësh të qeverisë, duke përfshirë tre ministrat e Ekonomisë, Genc Ruli, Dritan Prifti dhe Ilir Meta.
Të tre në një përpjekje të qartë për të përfunduar me çdo çmim, praktikën më të madhe korruptive në sektorin strategjik të naftës; të nisur në 2006-ën, ndihmuar gjatë atij viti, miratuar në fazë tranzicioni në 2007-ën dhe marrë trajtën përfundimtare në 2010-ën!
Nuk ka rast tjetër të ngjashëm, ku vullneti politik të shkelë me këmbë interesin publik, në favor të ngritjes e zhvillimit të një biznesi kryekëput klientelist, me prapavijë të fortë qeveritare e përfitime të jashtëzakonshme personale! Gjithnjë, nga pasuria kombëtare nën administrim të Qeverisë!
Në linjë të parë, deputetja që i përket mazhorancës së Kryeministrit Berisha, Albana Vokshi, babai i fëmijëve të saj, Arian Tartari, si vendimmarrëse dhe përfitues! Më tej, ministri Genc Ruli si urdhëruesi dhe miratuesi i praktikës antiligjore! Pak më tutje në kohë, si në stafetë zyrash, letrash, interesash, firmash e vulash, ministrat Prifti e Meta, kur kanë lejuar miratimin “në heshtje” të planeve të zhvillimit dhe marrëveshjeve afatgjata, të cilësuara nga oponenca shtetërore teknike e Universitetit të Tiranës si “Shkatërruese e të papranueshme”! Vula e fundit, por përmes një vendimi shpëtues kolegjial, si gjithnjë Sali Berisha!
Kjo është “arkiva” dokumentare, e cila, pasi është hapur ligjërisht, kërkohet të mos jetë e njohur për publikun. Domethënë: ne abuzojmë, ne përfitojmë, ne pasurohemi – gjithnjë nga pasuria publike, ju na kapni, por këtë nuk duhet ta marrin vesh shqiptarët! Ndryshe… Kompania jonë, “e përbashkët” ju gjobit! Pra, ju ndëshkon për gjithë jetën!
HISTORIA
Në javën e parë të shtatorit të këtij viti, një prej inxhinierëve më të rëndësishëm të naftës në vend vuri alarmin mbi atë që po ndodhte në sektorin e hidrokarbureve në vend!
“Qeveria po shkatërron industrinë e nxjerrjes e prodhimit të naftës në vend, e përfshirë në një proces korruptiv të kalimit të vendburimeve kombëtare në kompani pa kapacitete teknike e monetare, drejtues të të cilave janë politikanë pranë Sali Berishës”, – ky ishte konkluzioni serioz.
Në duar më ranë gati 1500 faqe dokumente, të mbledhura me mund në çdo fazë të praktikës korruptive në konsumim e sipër, të cilat hidhnin dritë mbi skandalin më të madh në administrimin e pasurisë publike, kombëtare.
Për të ballafaquar dokumentet, por edhe për të pasur dokumente të marra në rrugë zyrtare, me vlerën e provës, i jam drejtuar ligjërisht, mbështetur në Kushtetutë e në statusin e deputetit, ministrit të asaj kohe Dritan Prifti, drejtorit të Agjencisë kombëtare të Burimeve Natyrore, nën varësinë e tij.
Gara e çmendur për të përfituar më shumë, më parë, në LSI, solli tranzicionin në Ministrinë e Ekonomisë dhe bllokoi për një farë kohe përmbushjen e kërkesës ligjore. Mesa duket, kjo ishte dhe koha e mjaftueshme që ministri i ri, Ilir Meta, të merrte informacionin e duhur për praktikën e sulmuar.
Meta mori kohë! Dukej haptazi! Burimet tona në zyrën e tij, konfirmonin interesimin për ç’duhet të dilte në publik e ç’duhej të mbyllej në skutat burokratike të ministrisë, përfundimisht.
I vënë në dijeni të këtij fakti, kam kërkuar me ngulm, me një letër të dytë në adresë të ministrit Ilir Meta, dokumentacionin e kësaj praktike, dukshëm koncesionare. Letra ishte thellësisht politike, por e mbështetur në ligj e Kushtetutë. Kërkoja prej tij dokumentet e praktikes “koncesionare”, ose një refuzim me shkrim të kërkesës ligjore, për të nisur nga ajo një betejë gjyqësore për të marrë dokumentacionin.
Dhjetë ditë më pas, përgjigja mbërriti nga drejtori i porsa emëruar i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore. Përgjigja përmbante 61 shkresa zyrtare! Nuk mungonte asnjë dhe dokumentet përputheshin me ato që unë disponoja. Por, përgjigja paralajmëronte se dokumentacioni duhet vetëm të shuante kuriozitetin tim!
Në asnjë mënyrë ai nuk duhej të bëhej i njohur për publikun që edhe tani nuk di asgjë mbi mënyrën e administrimit, transferimit, përfitimit, të një prej pasurive më të mëdha kombëtare e më të kuotuara ndërkombëtare, naftës e gazit!
Dhjetë ditë të tjera më pas, një përgjigje e dytë mbërriti nga ministri i Ekonomisë, Ilir Meta. Përgjigja e tij nuk kish për qëllim transparencën. Ajo mbërriti tek unë, vetëm 24 orë, pasi në Kuvend, në cilësinë e deputetit, paralajmërova publikimin e një sërë dokumentesh të reja që vërtetojnë përfundimisht skandalin “STREM OIL” dhe dallojnë qartë përfituesit politik nga “ari i zi”, nafta e shqiptarëve.
Siç i emëruari i tij, ministri Ilir Meta kërkonte gjithashtu mosbërjen publike të asnjë dokumenti! Dukej qartë se ministri Meta kish marrë vesh me shumë vonesë se dokumentet kishin dalë nga agjencia kompetente dhe po synonte të minimizonte dëmet politike që mund të vinin nga publikimi i tyre.
LETRA E PARË; DREJTORI I AGJENCIA KOMBËTARE E BURIMEVE NATYRORE, Z.
GJERGJI THOMAI
Drejtuar; Erjon Braçe, nr. 2409/1 prot, datë 4.10.2010
“……. AKBN ju bën të ditur se disa nga materialet që ju janë vënë në dispozicion, si marrëveshjet hidrokarbure dhe licence marrëveshjet, kërkojnë respektimin e klauzolës së konfidencialitetit, e cila parashikon që gjatë kohëzgjatjes së kësaj marrëveshje dhe për 5 vjet më pas, nuk mund të publikohen termat e kësaj licence dhe marrëveshje, as edhe ndonjë e dhënë apo informacion i siguruar në përputhje me këtë licencë dhe marrëveshje.
Gjithashtu në këto dokumente parashikohet se në rast të mos respektimit të klauzolës “konfidencialiteti”, pala e dëmtuar mund të kërkoj zhdëmtim, i cili do të përcaktohet nga arbitrazhi ndërkombëtar…”.
LETRA E DYTË; MINISTRI I EKONOMISË ILIR META
Drejtuar; Marlind Myftiu-sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit, për Erjon Braçe nënkryetar i Grupit Parlamentar të PSSH
Nr.8579/3 prot, datë 13.10.2010
“………..Nga ana e METE u kërkua që të informohemi për trajtimin që i ka bërë kësaj kërkese. AKBN me anën e shkresës nr. 2610/1, datë 8.10.2010 informon se i ka kthyer përgjigje z. Erion Braçe me shkresën 2409/1, datë 4.10.2010, duke i dërguar në të njëjtën kohë edhe një dosje voluminoze me dokumente në përputhje të plotë me kërkesën e këtij grupi Parlamentar.
METE dëshiron të informojë se materialet që janë vënë në dispozicion të grupit parlamentar të Partisë Socialiste kërkojnë respektimin e klauzolës së konfidencialitetit për periudhën e kohëzgjatjes së marrëveshjeve hidrokarbure dhe për 5 vjet më pas…”
Siç shihet qartë, të dy letrat e titullarëve që merren me administrimin e ekonomisë dhe pasurisë kombëtare, synojnë të mbrojnë vendimmarrësit e skandalit nga transparenca e vendimeve të tyre që ndërtuan një aferë të madhe korruptive, por përfituese! Shumë përfituese! Që zgjat afro 35 vite!
Detajet e kësaj praktike korruptive janë të rënda! Tre ministra dhe dy deputetë janë të përfshirë në të! Si vendimmarrës! Të tjerë zyrtarë të përgjegjshëm, dëshmojnë në dokumente të gjithë detajet e skandalit. Kanë paralajmëruar, madje shpesh me tone të ashpra, por nuk ka pyetur kush! Nga Këshilli Mbikëqyrës i ALBPETROL – organi i parë vendimmarrës, tek ministri përgjegjës, kryeministri- i fundit vendimmarrës në këtë histori.
Të gjitha faktet janë të renda. Por klauzola e “konfidencialitetit” është kulmi. Ajo është shkruar në marrëveshje për të mbrojtur skandalin nga bërja publike e dokumenteve që e materializojnë atë.
Shqiptarët nuk duhet të dinë asgjë! Thuajse janë të huaj në vendin e tyre! Nuk duhet të dinë se si vidhen e rrënohen ekonomikisht çdo ditë! Kur janë të pasur! Pasuria e tyre publike po i varfëron, por po pasuron një grusht njerëzish në dorën e gjatë e të madhe të kryeministrit Sali Berisha. SI NJË FAMILJE!