Gjendja e alarmit nga përmbytjet në jug të vendit, ende nuk ka kaluar pasi sipas metereologëve dita e sotme do të ketë stuhi të fuqishme shiu me intensitet të lartë, ndërsa në veri do të ketë reshje dëbore. Ndërkohë Kreu i Komunës së Novoselës, në një lidhje telefonike për A1 Report jep alarmin për pasojat që do të sillte çarja e kaskadës së Selevecit në Vlorë e cila është 6 km e gjatë. Sipas tij nëse kjo kaskadë do të çahej uji do të vërshonte deri në Vlorë.
Petrit Zorba nga Shërbimi Meteorologjik Kombëtar, tha se situata nga sot në mbrëmje do të jetë akoma dhe më e vështirë dhe për këtë arsye duhet gatishmëri e plotë e të gjitha forcave të emergjencës që janë aktualisht në terren.
Ndërsa përmbytjet kanë lënë pasoja të konsiderueshme, e sotmja mund të jetë edhe më kërcënuese. Kjo pasi, sipas metereologut Zorba, ka gjasa që lumenjtë të dalin sërish nga shtrati, pasi tashmë e kanë krijuar terrenin nga vërshimet intensive të dy ditëve më parë.
Po ashtu Shërbimi Meteorologjik përmes kontaktit me Shqiptarja.com i ka bërë thirrje banorëve të cilët janë evakuuar nga shtëpitë e tyre të përmbytura që pavarësisht rënies së nivelit të ujit në banesat e tyre të mos rikthehen pasi gjendja kritike nuk ka kaluar ende dhe gjasat janë për përkeqësim të situatës.
Zorba tha se situata meteorologjike në të cilën ndodhet vendi ynë ka përfshirë gjithë rajonin duke shkaktuar dëme jo vetëm në Shqipëri por edhe në vendet fqinje.
Në të njëjtën linjë, edhe kryeministri Edi Rama ndërsa udhëtoi këtë të martë drejt Urës Vajgurore, ngriti alarmin për kërcënimin që mund t’i vijë vendit si pasojë e reshjeve të dendura në mbrëmje dhe sot.
“Sot është dita për të përsëritur një shfrim të dytë të tërbuar të motit prandaj i bëj thirrje të gjithëve të bashkëpunojnë ngushtë me emergjencat civile dhe të përfshirët në këtë proces në mënyrë që të mos kemi asnjë ngurrim për të evakuuar dhe të përballojmë këtë situate dramatike kështu siç kemi ecur deri tani”, tha Rama.
Prej katër ditësh jugu i Shqipërisë po përballet me një situatë të vështirë përmbytjesh si pasojë e shirave të dendur dhe daljes së lumenjve nga shtrati, ku deri më tani janë evakuuar 420 familje, kryesisht në fshatrat e komunës Novoselë dhe në fshatra të Fierit, ndërsa rreth 5 mijë hektarë tokë janë nën ujë.
Ora 20:32 Vjosa rrezikon Kaskadën e Selevecit, nëse çahet përmbytjet deri në Vlorë
Kreu i Komunës së Novoselës, Kanan Shaka, jep alarmin për pasojat që do të sillte çarja e kaskadës së Selevecit në Panaja të Vlorës. Sipas tij nëse kjo kaskadë do të çahej uji do të vërshonte deri në Vlorë.
“Vjosa rrezikon kaskadën e Selevecit. Nëse do ketë çarje të kaskadës, përmbytjet deri në qytetin e Vlorës. Rrezikohet që të dëmtohet argjinatura mbrojtëse që është rreth 6 kilometra e gjatë”-tha Shakaj në një lidhje telefonike për A1 Report. Vjosa rrezikon të çajë Kaskadën
Novosela dhe Levani, ende nën pushtetin e ujit, rreziku nuk ka kaluar
Rënia e nivelit të ujit në lumin Vjosë që përmbyti jugun, veçanërisht fshatrat e komunës Novoselë në Vlorë dhe në Fier, ende nuk e largon rrezikun për banorët që jetojnë buzë lumenjve, por situata këtë të martë paraqitet më e qetë pasi reshjet e shiut kanë pushuar. Rreth 200 shtëpi dhe qindra hektarë tokë bujqësore në Novoselë vijojnë të jenë ende nën pushtetin e ujit, në ditën e tretë të përmbytjeve që u shkaktuan si pasojë e motit të keq dhe daljes nga shtrati të lumenjve. Mbi 400 familje janë evakuuar nga shtëpitë e tyre gjatë këtyre ditëve, ndërsa një pjesë e madhe janë larguar para “trokitjes” së fatkeqësisë natyrore, duke u strehuar tek të afërmit e tyre.
Në disa nga fshatrat e komunës Novoselë mungon energjia elektrike si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet. Shtabi i Emergjencave, forca të policisë e ushtrisë si dhe drejtues të pushtetit vendor ndodhen sërish në terren në ndihmë të banorëve të përmbytur, edhe me ushqime. Pavarësisht rënies së konsiderueshme të nivelit të ujit në Vjosë, Ura e Mifolit në Vlorë vijon të jetë ende e bllokuar.
Pjesa me kritike e kësaj situatë, janë dëmet materiale, kryesisht ato në blegtori dhe kulturat bujqësore. Ende nuk ka një bilanc zyrtar, por të dhënat paraprake flasin për dëme të konsiderueshme në këtë sektor, ku mijëra hektarë tokë u vunë nën pushtetin e ujit.
Sipas qarqeve situata paraqitet si më poshtë:
Qarku Fier
Gjatë 24 orëve të kaluara reshjet e shiut kanë qënë me intesitet të dobët deri mesatar. Lumi Seman mbetet në nivele kritike. Në komunat Frakull, Levan dhe Darëzezë ka prezencë të ujit. Situata po monitorohet e po bëhen matjet e nivelit të ujërave.
Të përmbytura dhe me prezencë uji janë rreth 220 banesa.
Të evakuara janë 160 familje.
Sipërfaqe tokë të përmbytura dhe me prezencë uji janë rreth 3500 ha.
Qarku Vlore
Gjatë 24 orëve të kaluara në të gjithë qarkun ka patur reshje shiu me intesitet të dobët deri mesatar. Niveli i prurjeve të ujrave të lumit Vjosë ka patur rënie.
Në rrethin e Vlorës të përmbytura dhe me prezencë uji janë rreth 602 banesa.
Të evakuara janë 200 familje.
Sipërfaqe toke të përmbytura dhe me prezencë uji janë rreth 100 ha.
Aksi rrugor Vlorë – Selenicë është përmbytur në disa segmente nga dalja e ujrave të lumit Vjosë.
Në rrethet Sarandë dhe Delvinë, sipërfaqe toke me prezencë uji janë rreth 165 ha.
Qarku Berat
Gjatë 3 ditëve të fundit në territorin e rretheve Berat, Kuçovë dhe Skrapar, kanë rënë rreth 100 mm reshje shiu çdo ditë.
Prurjet e lumenjve Osum dhe Devoll kanë qenë të shumta. Për rrjedhojë ka patur dalje të ujërave nga shtrati i tyre, të cilat kanë shkaktuar përmbytje në bashkitë Berat dhe Ura Vajgurore, si dhe në komunat Otllak, Poshnje dhe Perondi.
Sipërfaqe tokë të përmbytura dhe me prezencë uji janë rreth 150 ha.
Të evakuara janë 58 familje.
Biznese të përmbytura janë 1.5 ha sera.
Nga rrëshqitjet e tokës janë shfaqur problem në 3 pika të aksit rrugor Pronovik-Çorovodë.
Qarku i Gjirokastrës.
Gjatë 24 orëve të kaluara në të gjithë qarkun ka patur reshje shiu me intesitet të dobët deri mesatar. Në zonat malore, konkretisht në komunat Zagorie, Frashëri dhe Kurvelesh, kanë rënë gjatë natës e deri sot në mëngjes rreth 20cm reshje dëbore. Qarkullimi i automjeteve për në këto komuna kryhet me zinxhirë.
Sipas informacioneve të marra niveli i ujrave të lumit Vjosë në rrethin e Tepelenës ka qënë në ulje gjatë ditës së djeshme.
Aksi rrugor nacional Tepelenë-Gjirokastër nuk ka patur probleme nga rënia e inerteve.
Sipërfaqe toke të përmbytur janë rreth 1000 ha, kryesisht në komunat Lunxhëri, Antigone, Cepo, Dropull i Sipërm, Qesarat, Krahës, Qendër dhe Fshat Memaliaj. Në fshatin Karjan të komunës Lunxhëri është çarë argjinatura e lumit Drino që rrezikon përmbytjen e mëtejshme të sipërfaqes së tokës dhe një zonë të vogël banimi.
Qarku Korce
Gjatë 24 orëve të kaluara ka patur reshje shiu me intesitet të dobët deri mesatar. Akset rrugore që qarkullohen me zinxhirë janë: Korçë-Boboshticë-Dardhë, Korçë-Voskopojë, Qafë Plloçë-Qafë Thanë. Akset e tjera rrugore janë të hapura dhe qarkullohen normalisht.
Qarku Shkoder
Akset rrugore nacionale janë të gjitha të qarkullueshme pa zinxhirë.
Akset rrugore rurale, nga akset rrugore nacionale për në qendrat e komunave, janë të gjitha të qarkullueshme, me përjashtim të aksit rrugor Fushë Arrëz-Iballë që është i bllokuar nga dëbora. Firma kontraktuese ka punuar me një mjet për hapjen e këtij aksi.
Aksi Vermosh-Tamarë është i kalueshëm me vështirësi.
Aksi Qafë Thore është i bllokuar pasi trashësia e dëborës është 1 metër.
Qarku Kukes
Gjatë 24 orëve të kaluara në territorin e qarkut ka patur reshje të dendura dëbore dhe me intesitet të lartë. Trashësia e dëborës në lartësitë mbi 400-600m varion nga 20-35 cm dhe mbi 800m lartësia e dëborës është 40-50 cm.
Autostrada e Kombit ka qënë e qarkullueshme pa zinxhirë. Në hyrje të Tunelit të Kalimashit trashësia e dëborës të rënë gjatë natës është 25 cm. Të gjitha akset rrugore kanë qënë të qarkullueshme pa zinxhirë.
Akset rrugore rurale: Nga akset nacionale për në qëndrat e komunave Kalis, Grykë-Çajë e Zapod, qarkullimi i automjeteve kryhet me zinxhirë. Në akset e tjera të komunave qarkullimi i automjeteve kryhet pa zinxhirë. Vazhdon të jetë i bllokuar aksi rrugor nga rruga nacionale për në qendrën e komunës Arrën.
Qarku Diber
Gjatë 24 orëve të kaluara në territorin e qarkut ka patur reshje të dobta shiu dhe reshje pakta dëbore me trashësi rreth 5 cm. Akset rrugore nacionale dhe rurale janë të gjitha të qarkullueshme pa zinxhirë.
Qarku Tirane
Si rezultat i reshjeve të shiut dhe prurjeve në Ujëmbledhësin e Bovillës ka patur rritje të nivelit të ujit. Për këtë arësye u bënë shkarkime të detyrueshme nga porta e ujëmbledhësit, të cilat nuk sollën probleme në zonat poshtë tij.
Në aksin rrugor nacional Tiranë-Elbasan qarkullimi i automjeteve ka rifilluar gjatë mbasdites së datës 02.02.2015.
Qarku Elbasan
Gjatë 24 orëve të kaluara në të gjithë qarkun ka patur reshje shiu me intesitet të dobët deri mesatar. Gjatë pasdites së djeshme ka patur reshje dëbore në aksin rrugor nacional Prrenjas-Qafë Thanë dhe qarkullimi i automjeteve është kryer me zinxhirë. Aksi rrugor nacional Librazhd-Stëblevë ka prezencë të dëborës rreth 60 cm. Po punohet nga firma kontraktuese për pastrimin e rrugës për normalizimin e qarkullimit të automjeteve. Aksi rrugor nacional Elbasan-Gjinar është i bllokuar nga rrëshqitja e trupit të rrugës në segmentin Shelcan-Shelcan Katund si dhe nga dëbora e rënë gjatë natës me trashësi rreth 20 cm.
Në fshatin Rrenës të komunës Grekan, rrethi Elbasan, është evakuar një familje për shkak të përmbytjeve nga dalja e ujërave të lumit Devoll. Në komunën Lenie të rrethit Gramsh, për shkak të përmbytjeve, janë evakuar 12 familje me rreth 48 banorë.
Nga qarqet e tjera të vendit nuk raportohen probleme për shkak të kushteve të motit.