Kolumbia ka siguruar lehtësisht kualifikimin për në 1/8-at e Kupës së Botës, duke i fituar të tria ndeshjet e zhvilluara, me plot nëntë gola të shënuar dhe dy të pësuar. Takimi i fundit, ai kundër Japonisë, përfundoi me rezultatin 4-1. Edhe pse kishte bërë shumë ndryshime në formacion, Xhekson Martinez realizoi një dopietë, shoqëruar nga golat e Kuadrados dhe Xhejms Rodrigezit. Në raundin tjetër, kolumbianët i pret një përballje mjaft e vështirë, kundër Uruguait.
Greqia – Një eliminim dramatik për Bregun e Fildishtë, por edhe kualifikim në “frymën e fundit” për ekipin e teknikut Fernando Santos. Helenëve u duhej që Japonia të humbiste dhe të fitonin ndeshjen e tyre ndaj afrikanëve. Ndeshja nisi shkëlqyeshëm, kur arritën të kalojnë në avantazh në minutën e 42-të, nëpërmjet Samaris. Mesfushori përfitoi nga një gafë e mbrojtësit Samba, për të zhbllokuar rezultatin. Gjithsesi, Bregu i Fildishtë u tregua më kërkues dhe agresiv në pjesën e dytë, duke krijuar raste të shumta për shënim. U desh minuta e 74-t, që i sapofuturi në fushim, Vilfred Boni të barazonte gjithçka. Me këtë barazim, skuadra e Sabri Lamushit siguronte vendin e dytë të grupit. Por, pas disa rastesh të tjera të shpërdoruara për golin e sigurisë, erdhi edhe e papritura. Në sekondat e fundit, Samaras u pengua brenda zonës kundërshtare dhe gjyqtari Rodrigez akordoi penallti, e cila u ekzekutua saktë nga sulmuesi i Sëlltikut. Një tripikësh i artë, i cili i jep shansin Greqisë që në raundin tjetër të përballet me modestët surprizues të Kosta Rikës.