Përfundon shumë herët Botërori i Italisë. Për të luajtur në 1/8-at, në Rio de Zhaneiro, do shkojë Uruguai. Janë njerëzit e ndjekur nga fati: një prej tyre është Diego Godin. Është sezoni i tij! Vendosi titullin kampion në Spanjë, ishte duke vulosur triumfin në Champions me golin e shënuar në finale, ndërsa dje dhuroi kualifikimin e Uruguait. Gjithnjë në të njëjtën mënyrë, ashtu si mund ta bëjë një mbrojtës qendre: goditje me kokë pas krosimeve në zonë. Kombëtarja e Prandelit rikthehet në shtëpi, e mundur nga një rival që nuk dukej i paarritshëm, e ndëshkuar nga një karton i kuq që do diskutohet gjatë dhe e rrëzuar përtokë nga një goditje këndi, pak minuta para fundit. Një Itali “e kafshuar” dy herë nga “drakulat” që ishin në fushën e lojës. Ky ishte pseudonimi i arbitrit meksikan Rodrigez, i cili u bë protagonist me vendimet e tij dhe gjithashtu i Luis Suarezit, që në fakt bëri atë që di të bëjë më mirë përveç golave: i nguli dhëmbët kundërshtarit dhe fatkeqi dje ishte Kielini…
ITALI-URUGUAI 1-0
GOLI: Godin: 81′
ITALI (3-5-2): Bufon, Barzali, Bonuçi, Kielini, Darmian, De Shilio, Pirlo, Markizio, Verrati (T.Mota 75′), Baloteli (Parolo 46′), Imobile (Kasano 71′) Trajner: Çezare Prandeli
URUTGUAI (4-4-2): Muslera, Kaseres, Godin, A.Pereira (Stuani 63′), Gimenez, Rodrigez (Ramirez 78′), Arevalo, Lodeiro (M.Pereira 46′), Suarez, Kavani Trajner: Oskar Tabarez
KARTONËT TË VERDHË: De Shilio, Baloteli / Arevalo, Muslera
I KUQ: Markisio 59′
GJYQTAR: Marko Rodrigez Moreno
Starti nervoz
Në stadiumin “Das Dunas”, deri në përfundim të pjesës së parë, ishte një ndeshje e bllokuar nga frika, ose mbase nga durimi i tepruar, për të përdorur një term më dashamirës. Italia nuk ka interes që të rrisë ritmin, Uruguai e di që një gol mund ta gjejë në çdo moment të takimit, ndërsa dy ishte një mision shumë i komplikuar. E vërtetë, në sulm ishin Kavani e Suarez, por pas tyre gjendeshin mesfushorë që nuk ishin të aftë të furnizonin si duhet yjet e skuadrës. Mbrojtja juventine e hedhur në fushë nga Prandeli, pati një punë shumë të thjeshtë për gjithë pjesën e parë. I vetmi shqetësim ishte një bashkëpunim mes Lodeiros dhe Suarezit pasi kishte kaluar gjysmë orë, por mendoi Bufon për të bllokuar si duhet aksionin, duke bërë pritje të dyfishtë brenda pak sekondash.
Verrati perfekt – Verrati ishte një lider i vërtetë, me një saktësi mbresëlënëse në pasime. Driblim dhe personalitet, ku 31 nga 31 pasimet e tij në 45 minutat e para, shkuan në destinacion. Italianët tentuan në dy raste me Markizion dhe Barzalin, por pa shumë shqetësim për Muslerën. Pirlo realizoi të vetmen gjuajtje në kuadrat, e cila erdhi nga një goditje dënimi. Baloteli? Keq, ashtu si një Imobile mjaft i zbehtë. Dyshja e sulmit nuk funksionon si duhet, madje Mario tregon edhe anën e tij negative: një karton i verdhë plotësisht i evitueshëm, i cili e pezulloi për takimin e radhës, nëse do ishin kualifikuar. Një paraqitje mjaft zhgënjyese për të dhe do e ndiqte pjesën e dytë nga stoli, pasi në vendin e tij do futej Parolo.
Markizio – Tabarez ndryshon skemën sapo ekipet rikthehen në fushë, duke futur Maksi Pereirën në vendin e Lodeirës dhe kaluar në modulin 3-5-2. Gjithsesi, Prandeli gjithashtu ndryshoi rreshtim, ku pas Imobiles të vetëm në sulm, mbështetësit ishin Verrati dhe Parolo. Uruguaianët duken më të rrezikshëm, japin shkëndijat e para dhe nuk kanë ndërmend të qëndrojë tepër pasiv. Por, kur të kaltrit po kontrollonin si duhet repartin defensiv, vjen edhe goditja e rëndë; Markizio merr karton të kuq, pas një goditjeje me takë ndaj Arevalo Rios. Arbitri Rodrigez nuk heziton dhe e nxjerr menjëherë nga fusha e lojës. Këtu ndryshon gjithçka…
Bufon – Në fushë futet Stuani dhe Uruguai kalon në modul me tre sulmues. Bufon bëhet heroi me pritjet e shkëlqyera, duke i dhënë zemër skuadrës. Atëherë kur duhej, të rinjtë premtues të Italisë rrëzohen si mushkonja: i pari dorëzohet Imobile (hyn Kasano), më pas dëmtohet edhe Verrati, vendin e të cilit e zë Tiago Mota. Uruguai sulmon me të gjithë forcën e tij, ndërsa “axurrët” shtrëngojnë dhëmbët. Kur minutat po kalonin, duket se Suarezin e lënë nervat dhe kafshon Kielinin, i cili proteston ashpër dhe mundohet t’i tregojë arbitrit shenjën e dhëmbëve. Gjithsesi, askush nuk duket se pa, apo askush s’e ndëshkoi.
Godin – Mbrojtësi i Atletikos është emri që nxori nga Kupa e Botës “Brazil 2014″ Italinë. Krosim në zonë nga goditje këndi, kërcim i bukur dhe goditja me kokë e dërgoi topin atje ku askush nuk mund të arrinte. Edhe pse mundohen të evitojnë humbjen dhe të dominojnë disi në minutat e mbetura, nuk u realizua asnjë tentativë serioze. Botërori “axurr” përfundoi aty. Në mënyrën më të keqe…
Tabarez“E merituam, por për Suarezin të vendosë FIFA”
Oskar Uashington Tabarez ka përmbysur gjithçka së bashku me skuadrën e tij, pas debutimit me humbje kundër Kosta Rikës. Por pavarësisht misionit të përmbushur, tashmë ai dhe Kombëtarja e Uruguait duhet të përballen me një dënim të mundshëm të Luis Suarezit: “Kundër Italisë pranuam të luajmë në një mënyrë tjetër, duke iu përshtatur planit dhe forcës së Italisë në qarkullimin e topit në mesfushë. Mendoj se Prandeli e kishte përgatitur shumë mirë ndeshjen për të arritur te kualifikimi, por kartoni i kuq i drejtë i Markizios na lejoi më shumë hapësirë dhe në fund shënuam një gol shumë të bukur. Për të gjithë ne, duke parë sesi e nisëm këtë Botëror, ky kualifikim është një ëndërr, por tani të shohim se çfarë do të ndodhë në vazhdim, sepse Kupa e Botës e vërtetë fillon tani, – nënvizon trajneri, i cili ndalet më pas te momenti i përplasjes Suarez-Kielini. – Nuk dua ta komentoj këtë episod, sepse nuk e kam parë, por unë mendoj se nga sfida e fituar, ka më shumë episode të tjera për t’u analizuar. Natyrisht që nëse Suarezi e ka bërë një gjest të atillë dhe mund të dënohet ky është një vend që ia lë FIFA-s, sepse ata i kanë të gjitha mjetet për ta evidentuar. Unë nuk e var punën time te një lojtar i vetëm, ndaj sido që të ndodhë, do punojmë me të tjerët për të shkuar sa më larg që të jetë e mundur”, u shpreh Tabarez.
NOTAT. ITALIA
BUFON 7: Shpëton portën me dy pritje madhështore në gjuajtjet e Lodeiros në pjesën e parë dhe në gjuajtjen e Suarezit në të dytën. Dorëzohet te goditja e pakapshme me kokë e Godinit, kur arbitri kishte katranosur gjithçka.
BARZALJI 6,5: Më i miri në mbrojtje. Një fortesë.
BONUÇI 5: I shpërqendruar dhe jo fort i saktë. Rrezikoi shumë duke shtrirë Kavanin në zonën e rreptësisë dhe gjyqtari në atë rast e fali. Fajtor edhe ai te goli i Godinit.
KIELINI 6: Bën shou sipas mënyrës së tij dhe e mbylli ndeshjen me dhëmbët e Suarezit në shpatull. Një luftëtar i plagosur dhe i zemëruar.
DARMIAN 5,5: Pa Kandrevën nuk është ai i Anglisë, por as ai zhgënjyesi kundër Kosta Rikës. E nisi mirë, por pësoi rënie në pjesën e dytë.
PIRLO 5: Në pjesën e parë menaxhon mirë ritmin e lojës, por kur ndeshja hyri në fazën “e çmendur” humb edhe ai kthjelltësi dhe saktësi. Në momentin kulmor një hap fals i shëmtuar.
VERRATI 6,5: Më i miri në pjesën e parë në mesfushë. Dominon lehtësisht në pozicionin e tij dhe ia del mirë në mbulim dhe në ndërtimin e aksioneve. Pëson rënie si gjithë shokët e tij në pjesën e dytë dhe del i dëmtuar pas një përplasjeje me Kavanin. (nga 75′ Tiago MOTA 5: Diferenca me Verratin është emblematike. Përgjegjës te goli i Godinit së bashku me Bonuçin është pika e ujit që derdh gotën. Mjaft më në kombëtare, faleminderit!)
MARKIZIO 5,5: I kujdesshëm në pjesën e parë si rregullator i brendshëm, por shumë dobët në pjesën e dytë, kur duhet të mbështesë Imobilen. Do ta kuptojë ndonjëherë trajneri se ai nuk është trekuartist apo jo? Sa i përket të kuqit, disi i tepruar, edhe pse ndërhyrja ishte e ashpër.
DE SHILJO 5: I rikthyer pas një dëmtimi, debutoi në një Botëror duke treguar se ende nuk është në 100 për qind të formës fizike. Në fund i mungon pak personalitet, por kjo është e kuptueshme.
IMOBILE 5: Mund të ishte ndeshja e tij, por jo, nuk rezultoi kështu. Preku pak herë topin dhe në shumicën e rasteve e menaxhoi keq. (nga 71′ KASANO 4,5: Nuk i jep thellësi skuadrës dhe pas aktivizimit të tij Italia mbyllet në portën e saj, deri sa pësoi golin vendimtar. Iu kërkua pak kthjelltësi, por vetëm atë nuk i dha dot skuadrës).
BALOTELI 4,5: Merr shkelma pa fund nga rivalët dhe ndëshkohet me një të verdhë të merituar, duke e detyruar Prandelin ta zëvendësojë. Një Botëror për t’u harruar. Goli kundër Anglisë tani nuk ka asnjë rëndësi. (nga 46′ PAROLO 5: I papërshtatshëm për skena të tilla të futbollit. Djaloshi është bujar, por është jashtë loje).
Trajneri PRANDELI 5: Në pjesën e parë Italia e tij ia del mirë, edhe pse nuk sulmon thuajse fare. Por me daljen e Balotelit (ndërrim i pashmangshëm, sepse sulmuesi mori të verdhë), diçka thyhet, sepse Markizio si trekuartist zhduket. Mos ndoshta do të ishte më mirë Çerçi? Zëvendësimet e tjera janë akoma më keq. Fut dy lojtarët më të ngadaltë, kur duhej të aktivizonte të rinj dhe energjik. Dorëheqja, vendim që pritej…
“Deja vu”, Italia si në 1966-n, një gjuajtje në portë në një ndeshje
Historia përsëritet. Për të dytën herë, kur luan në fazën e grupeve në Kupën e Botës, Italia merr vetëm një fitore. Të kaltrit e mbyllën Botërorin e Brazilit duke triumfuar vetëm ndaj Anglisë, në takimin hapës të grupit me rezultatin 2-1. Një nisje e mirë e skuadrës së drejtuar nga Çezare Prandeli, por që zhgënjeu në vazhdim. Ndërkohë që nisur nga paraqitja e sotme ndaj Uruguajit, vetëm në vitin 1966 kishte ndodhur që në një takim, ata të gjuanin vetëm një herë në portë. Ndërkohë që të tillë paraqitje të dështuar, të kaltrit e kanë bërë edhe në vitin 1966, ndërsa atëherë nga tri sfida, ata mundën të triumfonin ndaj Kilit me rezultatin 2- 0, po ashtu në ndeshjen e parë të tyre. 2 herë radhazi – Të kaltrit eliminohen dy herë radhazi nga Kampionati Botëror, pa mundur të kalojë fazën e grupeve, për herë të tretë në historinë e tyre. Hera e parë, kur ata nuk mundën që të shkonin në 1/8-at e Kupës së Botës ka qenë në vitin 1950. Atëherë, të kaltrit zhvilluan dy takime, nga tre të mundshme, sepse India u tërhoq, e morën vetëm një fitore. Në Botërorin e radhës, u eliminua prapë, por atëherë e përmirësoi paraqitjen, me një fitore e një barazim. Për të vazhduar më pas në vitin 1962 (botërori i Kilit), kur edhe pse mori një fitore e një barazim në grup, u largua nga kompeticioni më i rëndësishëm në botë. Në vitin 1966 zhgënjeu plotësisht dhe përgatiti valixhet pa kaluar fazën e grupeve. Për të vazhduar pastaj me Botërorin e 2010-s në Afrikën e Jugut, ku të kaltrit, e drejtuar nga Marçelo Lipi, morën vetëm dy barazime dhe përfunduan të fundit në grup, duke shënuar kështu paraqitjen më të dështuar të tyre në historinë e Botërorit kur kanë qenë ndër ekipet e kualifikuara për të luajtur në fazën finale. Dhe zhgënjimi e ecuria negative vazhdoi edhe në Botërorin e sivjetshëm në Brazil. Ndërkohë që dështimi më i madh i të kaltërve në një Botëror, ka qenë në vitin 1958, kur ata nuk arritën që të kualifikoheshin në takimet finale.