Home Sociale Kremtohet e Premtja e Zeze

Kremtohet e Premtja e Zeze

1102
0

Besimtarë ortodoksë të qytetit të Korçës kanë kremtuar të Premten e Zezë, e cila simbolizon përkujtimin e vuajtjeve të Jezu Krishtit dhe vdekjen e tij në kryq.

Gjatë pasdites, nga Mitropolia e Shenjtë është organizuar riti i kalimit nën epitaf dhe varrimi i Krishtit, pjesë e të cilës janë bërë qindra qytetarë të Korçës, por edhe mjaft vizitorë të ardhur nga qytete të tjera të vendit.

Me një marshim të heshtur, qindra persona kanë bërë parakalimin tradicional në dy bulevardet kryesore të qytetit.

Në sheshin para katedrales ‘’Ngjallja e Krishtit’’ janë bashkuar epitafet e dhjetë kishave, të cilët më pas, të shoqëruar nga besimtarë, kanë përshkuar bulevardin ‘’Shën Gjergji’’, për të ndaluar në hyrje të parkut Rinia.

Procesionin e ka udhëhequr mitropoliti i Korçës, imzot Johani, ndërsa banda e qytetit ka ekzekutuar marshe funebre. E premtja para Pashkës, e cila njihet si e Premtja e Zezë, shënon ditën e kryqëzimit të Krishtit dhe vuajtjeve të tij me kryqin mbi shpinë, duke ecur drejt vendit ku u kryqëzua, për t’u ringjallur të dielën e Pashkës.

Kjo ditë është kremtuar edhe në Elbasan, nga qindra qytetarë. Besimtarët e krishterë kanë përshkuar në këmbë rrugën nga sheshi para Kishës së Shën Kollit, në Unazën Jugore të qytetit, deri në rrethrrotullimin pranë bashkisë, për të ndaluar edhe një herë tjetër tek sheshi para Kishës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here