Avokati mbrojtës i koleksionistit Gjergji Thimio, nën akuzë për vjedhje të veprave të artit, deklaroi sot në gjykatë se aksioni i policisë në shtëpinë e klientit të tij ishte i qëllimshëm. Sipas avokatit mbrojtës, gjatë inventarizimit të veprave të artit janë shkelur procedurat. Mbrojtësi theksoi se Thimio nuk mund të akuzohet për vjedhje të ikonave të cilat i ruajti për 50 vite, bashkë me babain e tij.
Në seancën e kaluar, Prokuroria e Tiranës kërkoi dënimin me 9 vite burg për koleksionistin Gjergji Thimo, i cili akuzohet për “vjedhje të veprave të artit dhe kulturës, në bashkëpunim”. Për të pandehurin tjetër Arben Spaho, u kërkua një dënim me 7 vite burg për të njëjtën akuzë. Për shkak të gjykimit të shkurtuar të pandehurit përfitojnë ulje të 1/3 së dënimit.
Në seancën e kaluar prokurori Ervin Karanxha tha se nga hetimet rezulton se dy të pandehurit Thimo e Spaho, në bashkëpunim kanë konsumuar veprën penale të “vjedhjes së veprave të artit”. Sipas prokurorisë, nga hetimet e kryera rezulton se Gjergji Thimo ka qenë bazë për hajdutët që vjedhin kishat dhe ky shtetas është marrë me veprimtari të paligjshme. Madje sipas prokurorisë, Gjergji Thimo ka qenë i dënuar më parë për vjedhje dhe, sikurse thekson në pretencë prokuroria, “hajduti ka thënë kapeni hajdutin”, pasi edhe Spaho ka qenë i dënuar më parë për vjedhje të veprave të artit.
THIMIO AKUZON RAMEN DHE KOKEDHIMEN
Koleksionisti Gjergji Thimio ka hedhur akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama dhe deputetit të Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima. Thimio pretendon se arrestimi i tij, u bë menjëherë pasi refuzoi t’i dhuronte një ikonë të Onufrit, deputetit dhe biznesmenit të PS-së, Kokëdhima, të cilin e konsideron edhe mik të familjes, ku sikurse thekson, për një periudhë katërvjeçare kanë pasur marrëdhënie të ngushta familjare.
Mandej ai shprehet se një tjetër shkak i arrestimit, është se nuk ka pranuar t’i shesë Kokëdhimës, licencën e muzeut të tij, për një shumë sipas Thimios prej 200 mijë eurosh, së bashku me pesë piktura.
Duke u ndalur tek operacioni “IKONA”, i organizuar në tetor 2013, në kuadër të të cilit u arrestua, koleksionisti Thimio deklaron se ky operacion është ideuar nga vetë kryeministri Rama dhe, sipas tij, jo për të luftuar trafikun e veprave të artit, por një operacion famëkeq, për të zhdukur përfundimisht një muze privat, të cilin për ta ngritur i janë dashur plot 18 vite.