WhatsApp ka disa muaj që ka përshtatur platformën e vet për përdorim në kompjutera të lidhur me internetin dhe kyçja në të është mjaft e thjeshtë, mjafton skanimi i kodit (QR Code) që të shfaqet në momentin që hap shfletuesin.
Por kompania e blerë nga Mark Zuckerberg muaj më parë nuk mjaftohet me kaq. Ajo ka hedhur në dispozicion një aplikacion që instalohet në çdo kompjuter që ka Windows 8 e lart dhe për pajisjet e Apple me version iOS 10.9.
Shkarkimi i këtij aplikacioni mundësohet përmes faqes së vet të internetit dhe më pas instalohet si çdo program tjetër.
Funksionet ekstra që përfitojnë përdoruesit nga instalimi, në ndryshim nga hapja e versionit web, janë njoftimet që të mbërrijnë në desktopin e kompjuterit tuaj, aksesi tek kategoritë e preferuara me lehtësi dhe me komoditetin që të jep një kompjuter dhe rregullimi i aplikacionit dhe njoftimeve sipas dëshirës tuaj që vjen më e thjeshtë.
Këto janë përparësitë, ndërsa sa u takon të tjerave, është njësoj si aplikacioni për telefona.
Analistët e interpretojnë këtë lëvizje të WhatsApp si një revolucion të vogël që e zbret atë në ‘zyrat’ dhe kompjuterat e përdoruesve të vet, që tashmë janë mbi një miliardë.