Home Aktualitet Trafik kokaine ne Itali, arrestohen 6 biznesmene ne Durres

Trafik kokaine ne Itali, arrestohen 6 biznesmene ne Durres

857
0

tepshiGjashtë durrsakë, disa me lidhje gjaku dhe biznesmenë të njohur të qytetit bregdetar janë arrestuar nga policia mëngjesin e sotëm. Ata akuzohen si pjesë e një grupi kriminal ndërkombëtar të trafikimit të lëndëve narkotike. Personat u arrestuan nga policia e Durrësit, gjatë një operacioni ndërkombëtar të koduar “Ricarica 2013”, të shtrirë në Itali dhe Gjermani, pas hetimeve të prokurorisë së Antimafias së Firences.

Në pranga ranë, Edmond Tepshi 52 vjeç dhe djali i tij 25-vjeçar Guido, dy vëllezërit e 52-vjeçarit Artur dhe Luan Tepshi respektivisht 49 dhe 46 vjeç, Kastriot Dyrmyshi 32 vjeç dhe Laert Teneqexhi. Guido Tepshi, është futbollist i Kastriotit dhe ish- pjestar i ekipeve zinxhir të 19 dhe 21 vjeçarëve të Kombëtares.

Arturi, Edmondi dhe Guido Tepshi u arrestuan në një pallat të ndërtuar prej firmës së tyre në zonën e Vollgës. Luan Tepshi u arrestua në lagjen numër 4, Kastriot Dyrmyshi në zonën e ish kënetës dhe Laert Teneqexhi u prangos vetëm 100 metra larg drejtorisë së Policisë së Durrësit.

Sipas informacioneve të siguruara nga A1 Report të arrestuarit janë ndërtues, pronarë lokalesh dhe pikash karburantesh. Ndaj tyre ka nisur edhe hetim pasuror me dyshimin se të arrestuarit mund t’i kenë ngritur këto aktivitete përmes parave të fituara nga trafiku i kokainës. Sot policia e Durrësit ka referuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda hetimin pasuror.

Urdhër arresti ndaj tyre ka dalë në orën 18:00 të së hënës nga Gjykata italiane, natën kanë mbërritur me faks në Shqipëri dhe në 05:00 të mëngjesit të së martës janë bërë arrestimet.

Operacioni “Ricarica 2013”, i koduar nga Karabineria e Firences nisi, pas vrasjes së Kaludio Rucajt 31 vjeç, dhe plagosjes Ilir Qokajt, 28 vjeç, me 15 korrik vitin 2012, në Fuçekio (Fucechio) pranë Firences. Hetimi zbuloi se grupi për gjatë vitit 2013- 2014, ka transferuar në Shqipëri shuma të mëdha parash deri në 300 mijë euro. Po ashtu hetuesit zbuluan se personat e merrnin kokainën nga Holanda dhe e shpërndanin në Firence dhe në Itali. Prokuroria e Antimafias së Firences, ka nxjerrë 19 urdhër arreste prej të cilëve 12 për në burg dhe 7 arreste shtëpie. Hetimet pritet të zgjerohen edhe në Gjermani, ku prokuroria italiane gjithashtu ka kërkuar arrestimin e disa personave.

Të arrestuarit
Kastriot Dyrmyshi 32 vjeç
Artur Tepshi 49 vjeç
Edmond Tepshi 52 vjeç
Laert Teneqexhi 25 vjec
Guido Tepshi 24 vjeç
Luan Tepshi 46 vjeç

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here