Prokuroria e Tiranës vendosi të pushojë padinë e këshilltarëve të PS-së ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës për ndryshimin e projektit të sheshit “Skënderbej” dhe shkaktimin e një dëmi që llogaritet se shkon deri në 4 milionë euro.
Vendimi është marrë muaj më parë, por u bë publik për mediat dje, duke shënuar fitoren tjetër të radhës së Bashës ndaj padive që i bëhen për abuzime me fondet, pas fitores me procedurë të gjyqit ndaj tij për abuzimin e rreth 220 milionë eurove në rrugën “Rrëshen-Kalimash”, prej vitit 2006 gjatë kohës kur ishte ministër i Transporteve.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, argumentimet për pushimin e hetimeve kanë qenë se nuk ka patur dëm ekonomik, se vendimi është marrë në mënyrë kolegjiale nga anëtarët e djathtë të këshillit bashkiak dhe se nuk ka vepër penale. Kaq ka mjaftuar që prokurori I çështjes Ardian Braho të vendosë mbylljen e dosjes.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, pas rreth një viti të hetimeve Task-Forca e Prokurorisë së Tiranës, vendosi t’i mbyllë hetimet, me argumentin se nuk ishin gjetur prova që të vërtetonin kryerjen e veprës penale të shpërdorimit të detyrës nga kryebashkiaku për shkak se vendimi i marrë për ndryshimin e destinacionit të punimeve të sheshit “Skënderbej” është kolegjial dhe jo individual, dhe kjo e përjashtonte nga përgjegjësia Lulzim Bashën.
Ndryshimi i projektit të sheshit “Skënderbej”, që po zbatohej prej dy vitesh, nisi pas marrjes së drejtimit të bashkisë nga e PD-së dhe fitores në gjykatë të Bashës, si kryetar i bashkisë së Tiranës, në vend të Edi Ramës. Devijimi nga projekti që e bënte sheshin “Skënderbej” nga një zonë pedonale, në zonë me trafik të dendur makinash siç është kthyer sërish, shkaktoi debat të ashpër publik, ndërsa të majtët në këshillin bashkiak të Tiranës kërkuan nga prokuroria e kryeqytetit që të ndiqen penalisht abuzuesit pasi, sipas tyre, duke filluar nga faza e projektimit dhe në vijim zbatimit të punimeve të fazës së parë të projektit, ishin investuar rreth 5 milionë euro.
Rreth tetë muaj më parë, këshilltarët socialistë, të përfaqësuar nga kreu këshilltarëve socialistë Aldrin Dalipi, depozituan kallëzimin penal ndaj shtetasit Lulzim Basha, me detyrë kryetar i Bashkisë, si dhe personave të tjerë përgjegjës, për kryerjen e veprës penale të ‘shpërdorimit të detyrës’ në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Kallëzuesit kërkuan nga prokuroria që të verifikonin dëmin financiar që u shkaktua për shkak të ndryshimit të punimeve në sheshin “Skënderbej”. Sipas akt-padisë së grupit të këshilltarëve socialistë, Bashkia e Tiranës nisi zbatimin e projektit për rindërtimin e sheshit “Skënderbej” në mars 2010, sipas një projekti të miratuar në bazë të ligjeve në fuqi.
Më 25 janar 2008 ishte nënshkruar me Këshillin e Ministrave marrëveshja e kontributit me vlerën e 5 milionë eurove nga qeveria kuvajtiane për financimin e projektit ‘Rinovimi i Sheshit Skënderbej’ dhe ‘Restaurimi i Xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë’, ku si agjenci zbatuese e këtij projekti ishte caktuar Bashkia e Tiranës.
Aldrin Dalipi, kreu i këshilltarë socialist në Bashkinë e Tiranës thotë se lajmi për faljen e radhës së Bashës, është i vjetër. “Unë e kam denoncuar këtë që në 12 dhjetor 2012”-tha Dalipi për “Shqiptarja.com”. Sipas tij, mbyllja e dosjes u bë në prag të ndërrimit të prokurorit të përgjithshëm Ina Rama, me pasuesin Adriatik Llalla.
Ish-prokurori i Tiranës Tiranës Sokol Malaj, e mbylli dosjen në ngarkim të kreut të bashkisë së Tiranës. Më 31 tetor 2011, 27 këshilltarët e PS në Këshillin Bashkiak në Tiranës dorëzuan padinë penale në prokurori duke thënë se ndryshimi i destinacionit të sheshit “Skënderbej” kishte shkaktuar një dëm ekonomik prej 5 milionë eurosh.
Sipas padisë, kjo ishte vlera e shpenzimeve që ishin kryer me projektin e parë të nisur në kohën e Edi Ramës, i cili zgjati më shumë se një vit, por nuk u finalizua, ndërkohë që Lulzim Basha fitoi në gjykatë zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës.