Home Sport Reali turperon Bayern, Ronaldo thyen rekordin

Reali turperon Bayern, Ronaldo thyen rekordin

515
0

christiano-ronaldo-recordBAJERN MYNIH-REAL MADRID 0-4 
Golat: Sergio Ramos 16′, 20′, Ronaldo 34′, 90′
Bajerni (4-2-3-1):
 Neuer Lahm, Dante, Boateng, Alaba; Schweinsteiger, Kroos; Robben, Muller (Pizarro 72′), Ribery (Goetze 71′); Mandzukic (Javi Martinez 46′). Trajner: P.Guardiola
Real Madrid (4-4-2): Casillas; Carvajal, Pepe, Ramos (Varane 74′), Coentrao; Di Maria (Casemiro 84′), Alonso, Modric, Bale; Benzema (Isco 80′), Cristiano Ronaldo. Trajner: K. Anceloti
Arbitër: P.Proença (Portugali)
Kartonë të verdhë: Dante / Alonso


I kishin paralajmëruar “Los Blancos” se do t’i priste “ferri” në gjysmëfinalen e kthimit të Ligës së Kampioneve, por “Allianz Arena” ka përjetuar një mbrëmje tejet zhgënjyese për kampionët e Europës. Ata janë shkurorëzuar nga Reali i Madridit, që ka bërë gjëmën, duke shënuar plot katër gola. Me rezultatin total 5-0, falë edhe triumfit minimal në “Bernabeu”, para një jave, mbretërorët e Madridit hakmerren me “manita” ndaj Pep Guardiolës, duke shpaguar atë deisfatë me të tilla shifra në La Liga, ndaj Barcelonës, kur katalanasit drejtoheshin nga trajneri aktual i Bajernit. Dy dopieta kanë vulosur epërsinë taktike, para së gjithash, të Realit. Serxhio Ramos dhe Kristiano Ronaldo janë autorët e pokerit madrilen në Bavari, duke korrur një sukses mëse të merituar, në shifra të paparashikueshme nga askush. Reali i Madridit shkon në finalen e madhe të Lisbonës, duke qenë shumë afër “Decima”, e kthyer në një obsesion për gjithë kampin e “Los Blancos”. Në pritje të finalistit tjetër, që do të dalë nga ballafaqimi i së mërkurës në mbrëmje, mes Celsit dhe Atletiko Madridit, Karlo Anceloti ka gjithë të drejtën të gëzojë me të tijtë. Triumfi ndaj një skuadre të konsideruar si favorite kryesore për kurorën e kampionit të Europës, Bajerni i Mynihut, ka dëshmuar superioritetin taktik të italianit ndaj spanjollit, sa u takon stolave respektivë, ndërkohë që yjet e Realit kanë shokuar mijërat e tifozëve bavarezë, që kishin ardhur në “Alianz Arena” për një tjetër shfaqje nga të besuarit e tyre, por kanë dalë të zhgënjyer si rrallëherë më parë. Pep Guardiola nuk ndryshoi thuajse asgjë nga stili i lojës së gjysmëfinales së parë, i kritikuar nga shumë specialistë gjermanë, duke u bazuar te “tika-taka”, te qarkullimi i dendur i topit, por pa asnjë efikasitet. Anceloti, nga ana tjetër, i beson armës së vet vrasëse, kundërsulmit, që përbëhet nga treshja Benzema-Ronaldo-Bejl. Mirëpo, golat do të dilnin në dritë fillimisht nga një mbrojtës, Serxhiop Ramos, që gjendet në kohën dhe vendin e duhur në dy goditje standarde. Me kokë, lojtari luftarak i Realit mposhti portierin Nojer dhe qetësoi përfundimisht të tijtë. Nuk arrin të bëjë asgjë Riberi, në një mbrëmje për t’u harruar, as Roben, që angazhohet në veprime individuale, ndërsa skuadra e Bajernit nuk funksionon si e tërë. Ajo “thyen kokën” përballë mbrojtjes madrilene, me në krye dyshen Pepe-Ramos, që janë të pakalueshëm. Nuk mund të mungonte në këtë triumf madhështor as “Topi i Artë”, Kristiano Ronaldo, që shënoi dy herë, duke shkuar mëse i plotë në kryeqytetin e vendlindjes së tij, Lisbonë, në finalen e madhe të Ligës së Kampioneve. Bajerni konfirmon momentin e vështirë që po kalon, i pasqyruar në disa rezultate negative të fundit, shkurorëzohet si kampion i Europës, ndërsa pret tashmë finalen e Kupës së Gjermanisë, pa pasur mundësinë të bëjë “tripletë” si sezonin e shkuar. Pep Guardiola mbetet nën nivelin e suksesit të Jup Hejnkes, i shënjestruar nga klritika të ashpra, mes të cilave edhe nga legjenda bavareze e futbollit, Franc Bekenbauer, ndërsa Anceloti e ka kthyer në një “makinë vrasëse” Realin e tij. Ky i fundit duket shumë pranë “Decimas”, edhe pse i ka mbetur edhe një finale për t’u luajtur. Ka fituar Kupën e Mbretit dhe shpreson ende të titulli në Spanjë. Realit ndoshta do t’i duhet të sfidojë ish-trajnerin e vet, Hoze Mourinjon, që me Celsin e tij duket më pranë finales, pasi ka barazuar në “Vincente Calderon” me Atletikon e Madridit, gjysmëfinalen e parë.


Ndërkohë, Kristiano Ronaldo ka arritur ta thyejë rekordin e Lionel Mesit sa u përket golave në një sezon të Ligës së Kampionëve. Me dy golat e shënuar ndaj Bajernit, ylli portugez numëron 16 të tillë këtë edicion, duke kaluar me dy gola argjentinasin. Kristiano Ronaldo dëshmoi edhe njëherë se e meritoi ‘Topin e Artë’ të fituar në fillim të këtij viti. Duke qenë se portugezi ka edhe një ndeshje për të luajtur, atë finale, ka gjasa të shtojë numrin e golave brenda një sezoni në më shumë se 16.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here