Home ShowBiz Flet shoqja: Jona sillet ndryshe me meshkujt

Flet shoqja: Jona sillet ndryshe me meshkujt

650
0

jona-big-brother-albania6“Humbja e të fejuarit në aksident e ka distancuar Jonën nga meshkujt, Arditi nuk më duket personi i duhur për të”

I ka hapur derën të keqes, për ta kthyer fatin në forcë. Jona Kalemaj, 28-vjeçarja nga Elbasani, ka pasur një arsye ndryshe pse ka marrë pjesë në “Big Brother 7”. “Pas dy humbjeve të mëdha të jetës sime, të tretën e dua fitore”, është shprehur ajo para hyrjes në lojë. Publiku u intrigua për të ditur më shumë, kur të premten e kaluar të spektaklit kur ajo rrëfeu se kishte provuar tragjedi në jetën e saj, si fillim humbjen e babait dhe më pas të të dashurit të saj prej 9 vitesh, Arditit. Dëshmoi tmerrin që kishte përjetuar para dy vitesh në humbjen e personit të zemrës në një aksident tragjik, ku kishte qenë edhe vetë e pranishme, dhe refuzimit për të krijuar lidhje tjetër më pas. Për të na zbuluar më shumë rreth të shkuarës së saj të dhimbshme dhe sa ka ndikuar në karakterin e saj, flet për gazetën “Panorama” mikja e saj më e ngushtë, Jona Kaçuli.

Jona është lojtarja që së fundi ka përlotur publikun me historinë e saj të dhimbshme, me dy vdekje të njëpasnjëshme. Ajo është një vajzë që ka bërë jetë të lirshme apo të kufizuar?
Jona është një vajzë me jetë normale, me bukuritë, vuajtjet dhe sakrificat e saj.

Javën e kaluar dëgjuam rrëfimin e saj rrëqethës për humbjen e dy njerëzve të afërm, babait dhe më pas të dashurit. Si u përball me këto fatkeqësi?
Po, e vërtetë. Dashuria e madhe e çdo vajze është babai, të cilin fatkeqësisht Jona e humbi shumë shpejt. Babai ka qenë për të epiqendra, pasi çdo gjë vërtitej rreth tij dhe dashurisë së të dyve. Humbja e të atit ishte shkatërruese për të, por me shumë dashuri e përkushtim nga ana e të gjithëve dhe në veçanti e Arditit (të dashurit) mundi ta superonte. Por fatkeqësisht, jeta i mori dhe gjysmën e zemrës, që i kishte mbetur, Arditin, dhe për të kjo ishte shembja e gjithë botës.

Ajo ka pohuar se në “Big Brother” do dëshmojë forcën e karakterit të saj. Ti si e ke njohur në përballimin e ndarjes tragjike nga jeta të të dashurit?
Në këtë pikë mund të them që Jona u përball me vetminë e saj, me vuajtjen, me mungesën e dëshirës për të jetuar. Mund të insistoj që ajo periudhë ishte shumë e vështirë për të. I lutesha Zotit që pas këtyre vuajtjeve t’i jepte asaj dhe forcën! Jona mendoj se ende nuk ka arritur ta kapërcejë këtë vuajtje, por ka mësuar si ta fshehë atë. Kujtimet më të bukura të jetës së saj me Arditin që tashmë s’jeton më, do t’i duhet t’i përjetojë vetëm në fantazi.

Banorët e tjerë në “BB” evidentojnë faktin se ajo bëhet shpejt agresive, madje duke i qëlluar djemtë në shtëpi. Ky ka qenë tipi i saj edhe para se të humbte të dashurin?
Unë edhe pse jam 22 vjeçe, pra më e re se Jona në moshë, nuk jam thjesht një shoqe e saj. Unë e kam fituar atë vend të veçantë tek ajo pasi u njohëm shumë mirë me njëra-tjetrën. Ndaj dua t’ju them që aty brenda është personi më i ëmbël që unë kam njohur në jetën time… Por gjithashtu mund të shtoj në lidhje me sjelljet që konsiderohen agresive, që nuk njoh njeri që të shkojë në xhungël e të mos bëhet si Tarzani. Them se nuk është fajtore vetëm ajo që reagon, por fajtor është ai person që nxjerr në pah më të keqen që njeriu ka dhe e detyron atë të reagojë në atë lloj mënyre.

Ti po thua që ajo veçse po vetëmbrohet?
Po, pasi të mos harrojmë që në ambientet jashtë shtëpisë ne e zgjedhim me kë të shoqërohemi, ndërsa në “BB” bashkëjetesa është e detyrueshme. Kështu që absolutisht përgjigjja ime është jo. Jona në shoqëri është e pastër, e ndjeshme dhe debatuese normalisht, por kurrë agresive. Brenda në shtëpi vetë banorët me sulmet e tyre, me sa shoh, e detyrojnë të jetë agresive.

Për koincidencë në shtëpi gjeti një tjetër Ardit, me të cilin pati edhe momente afrimiteti. Mendon se ajo ndien për të brenda shtëpisë, njësoj si Xhuli?
Shoqërinë dhe dashurinë i ndan një ndjenjë më tepër, por e parë nga jashtë mund ta keqkuptohet kjo marrëdhënie e tyre. Kështu që duke njohur Jonën më nga afër, them se me Arditin nuk ka qenë më shumë se shoqëri, ndaj në këtë situatë askush nuk ka pse të luftojë për askënd.

E keni fjalën për Xhulin? Sa gjasa ka që ato të bëhen mikesha?
Me Xhulin mendoj se ka gjasa të pajtohet, nëse karakteri i tyre përputhet.

Këto dy vite pas humbjes së të dashurit ka pasur Jona ndonjë histori tjetër dashurie?
Jo. Ajo nuk vendos dot asnjë në pozicionin e Arditit. Ai ishte aq perfekt për të, sa s’mund ta arrijë askush. Historia e madhe dhe e vetmja e dashurisë së Jonës është lidhja me Arditin, një lidhje 9- vjeçare. Ka qenë një dashuri si në përralla dhe si gjithë historitë e mëdha shekspiriane përfundoi tragjikisht. Dashuritë e mëdha kurrë nuk përfundojnë bashkë dhe Zoti vendosi t’i ndajë në këtë jetë.

Cili tip mashkulli do mund t’ia ndryshonte kryekëput jetën, pra që do e bënte të harronte gjithçka dhe t’ia nisë nga e para?
Në një lidhje Jona është shumë e tërhequr, e vendosur, e dashuruar, e llastuar, e përkushtuar… Tipi i mashkullit që Jona pëlqen, nuk është ai mashkulli i bukur, me trup të gjatë, me sy të bukur, por njeriu që e bën të lumtur.

Pavarësisht realitetit të saj prekës, ajo ka hyrë në një lojë për të sfiduar të tjerët. Mendon se po luan si duhet?
Mendoj që Jona meriton ta fitojë këtë lojë, jo sepse po luan, por sepse i ka dedikuar gjithë shpirtin e saj. Është shumë e pastër dhe mundohet të krijojë marrëdhënie si në një shoqëri të vërtetë. Dhe, nëse shohim ndonjë sjellje pa takt të saj, ajo e bën sepse realisht mendon se ka të bëjë me shokë e shoqe dhe jo me konkurrentë.

A mund të jetë Jona model për t’u ndjekur nga vajzat, dhe cilat janë pluset dhe minuset që ti veçon në karakterin e saj?
Besomëni, nëse e meriton një person ta fitojë këtë lojë, duke u bazuar në nivel, kulturë dhe nga pasuria shpirtërore, e them me plot gojën, Jona është ky person. Ajo ka shumë forcë për të vazhduar përpara, çdo gjë e çon deri në fund, ndaj mendoj se kjo është pika e fortë e saj. Ndërsa pika e dobët është besimi i tepërt te njerëzit dhe ndjeshmëria.

Paratë janë synimi i saj, apo thjesht të fitojë vëmendjen që të jep ky “reality show”?
Hyrja në “Big Brother” është një eksperiencë ndryshe për të, për të sfiduar në radhë të parë veten. Sa për paratë, nëse i fiton ato janë dhuratë, e dhuratat i pranon dhe mbreti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here