Home Aktualitet Stresi: Lutemi për Denisin, fansat t’i thonë STOP dhunës

Stresi: Lutemi për Denisin, fansat t’i thonë STOP dhunës

4032
1

Pas botimit të historisë së Denisit, Arkimed Lushaj bën thirrje për qetësi dhe rrëfen si nisi konflikti që ka ndezur gjimnazistët

Ajo që ka ndodhur me ta i ngjan një skenari filmi. Ngjarjet më tronditëse janë zhvilluar në orët e vona të natës në lagje dhe lokale të ndryshme të kryeqytetit. Makina, krisma armësh, grushte, shkopinj, thika, kanë qenë sendet që janë përdorur më shumë. Protagonistët kryesorë janë Stresi (Arkimed Lushaj) dhe Noizy (Rigels Rajku). Ndërsa të tjerët janë qindra adoleshentë në gjimnazet e Tiranës dhe jo vetëm, ata mbështesin dy “liderët” e grupeve “OTR” dhe “TBA”.
Kanë filluar të merren me muzikë dhe kjo ka sjellë përplasjet mes tyre. Përplasje këto që u kanë rrezikuar të gjithëve disa herë jetën. Një fans i tyre, Denis Dollapi, gjendet në gjendje kome pas një plagosje të rëndë në prill të këtij viti.
Sipas Stresit, lufta filloi në botën virtuale, në internet dhe në sitet e ndryshme sociale, dhe më pas gjithçka zbriti në terren në botën reale, ku gjërat nuk ndodhin më me një të shtypur tastiere, por me… armë.
Pas botimit të historisë prekëse të Denisit në Shekulli, kemi kontaktuar të dy pjesëtarët e grupeve, të cilët thonë se janë munduar t’i sheshojnë këto konflikte, por asgjë nuk ka funksionuar. Sot është vetë Stresi ai që bën thirrje për mospërfshirje të adoleshentëve dhe fansave në këtë situatë. Në këtë intervistë për Sh2 në Shekulli, ai u drejtohet fansave me fjalët; “ju lutem rrini jashtë kësaj historie.. Ju them të dëgjoni muzikë dhe jo të veproni. Në asnjë mënyrë!”

Pse mendoni se shkoi puna deri në këtë sherr që po i kushton jetën shokut tuaj? Ai po luan mes jetës dhe vdekjes…
Sherri ka nisur 2 vjet më parë, ku askush s’e kishte idenë se çfarë ndodhi vërtetë mes meje dhe rivalit tim (Noizy). Kështu 2 palët e fansave filluan të kuptonin vërtet sherrin dhe ishin në dijeni të ngjarjeve që ndodhnin. Por, di të them që kjo ngjarje arriti deri këtu për budallallëqet e dy palëve dhe të nxituara, dhe në rastin konkret një fans i pafajshëm, një djalë i pafajshëm, një vëlla i pafajshëm ndodhet në koma, për shkak të kësaj historie.

Ju keni shkuar ta vizitoni atë?
Unë Denisin e kam vizituar 2 herë në spital, pasi kam parë gjendjen e tij shumë-shumë rëndë dhe besomëni nuk kam rezistuar dot më shumë se 5 minuta të rrija dhe ta shihja në atë gjendje ku nëna e tij i thërriste dhe i thoshte: “Denis, shpirti mamit të ka ardhur Stresi, hapi sytë”.

Ju e njihnit më parë këtë djalë?
Denisin e njoh familjarisht, vjen nga një familje shembullore. Denisi ka qenë pjesëmarrës në çdo koncert tonin, ka qenë një fans si çdo adoleshent i rrymës hip-hop .

Keni shpresa që ai të jetë sërish Denisi i dikurshëm?
Me vetëbesimin e plotë, me dëshirën time dhe të të gjithëve që e njohin Denisin ka një karakter të fortë, një zemër që rrallë djalë e ka. I lutem Zotit ta rikthejë Denisin e dikurshëm, besoj në mrekulli.

Po me familjen e tij keni folur?
Nga familja e Denisit kam folur me të atin kur ndodhi incidenti dhe kur e kam vizituar nuk gjeja fjalë çfarë të komunikoja, ishte moment shokues.

Ju me thatë se në shkolla ka “plasur sherri”, na tregoni, çfarë po ndodh mes adoleshentëve dhe fansave?
Mes shkollave ka pasur shumë, shumë sherre mes të rinjve që duan hakun e Denisit dhe që do t’i kundërvihen grupit rival, por unë ju lutem që të rrinë jashtë kësaj historie, pasi jam unë ai që di si t’i shkoj deri në fund, dhe ju them të dëgjojnë muzikë dhe jo të veprojnë, në asnjë mënyrë.
Unë i kuptoj se ka edhe diçka peng në këtë përleshje që mbahet nga ana e atyre, ose më saktë kanë bërë një gjest shumë të pabesë dhe nuk i falet kurrë. Rasti me i fundit ka qenë natën e Halloween-it kur grupi rival mundohet të provokojë dhe presin me padurim reagimin tonë. Është një lojë që ata e luajnë bukur, por di të them që nuk biem pre e saj.

Pse nuk i jepni fund kësaj historie dhe gjithsekush të shikojë punën e vet, kaq urrejtje keni me njëri-tjetrin?
Kësaj historie 2 herë i kemi dhënë fund dhe nuk ka funksionuar. Gjithmonë kam parë punën time, por intrigat e tyre, lojërat e tyre nëpër “youtube” janë shumë provokuese revoltojnë, frymëzojnë deri në atë pikë sa nuk ka më durim dhe kjo gjë ndodh shpesh.

Ju thoni se ky sherr nuk ka filluar për xhelozi profesionale, po për diçka private. A nuk mendoni se ka ardhur momenti të na tregoni si filloi kjo histori?
Ka nisur për xhelozi profesionale të jem realist, pastaj ka kaluar shumë-shumë private. Na erdhën disa informacione që “Noizy” ka bërë një këngë dedikuar një shokut tonë dhe ne kërkuam ta takonim dhe na tha: Ju jeni njerëzit e fundit në këtë botë që unë t’ju bëjë këngë juve, ne duhet të mblidhemi të rrëzojmë rivalët e tjerë jashtë Shqipërie”. Këto kanë qenë fjalët e tij dhe jemi larguar paqësisht, mbas dy jave del kënga që na premtoi që s’do e nxirrte, kjo është e vërteta dhe vetëm e vërteta si ka nisur.

Çfarë ndodhi me ju më pas, në ditën në vijim?
Në ditët në vijim ndodhën sherre, fyerje banale nëpër muzikë, gjendja u revoltua kaloi në personale, madje në të shtëna armësh në orët e vona. Ishte me të vërtetë një botë shumë ndryshe nga çka e mendoni. Por, di të them, jemi me fat si ne si ata që jemi gjallë, sepse është e lehtë të vrasësh dikë, por pasojat janë të rënda.

Si po shkon muzika…?
Unë po i përkushtohem shumë-shumë muzikës kohët e fundit, startoj një turne kudo në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni. Do të jem nëpër skenat shqiptare duke performuar dhe kjo gjë më bën të ndihem mirë për momentin.
____________

Ne pergjigje te interesimit te shume lexuesve, familja Dollapi me sugjerimin e redaksise, ka hapur nje numer llogarie ku mund te kontribuohet financiarisht per te ndihmuar mjekimin e Denisit. Ky numer ne Emporiki Bank eshte nje llogari ne emer te babait te Denisit, Kujtim Dollapi: 01 0000 1 0000 2022.
Per cdo sqarim mund ti drejtoheni redaksise ose drejtperdrejt familjes Dollapi ne numrin fiks 04 24 01 45 4

****
Të vdesësh si “fans i Stresit” (!)

Denisi i mbushi 19 vjeç në shtratin e spitalit. Prej 6 muajsh ai nuk është as i gjallë, as i vdekur. E vetmja shenjë jete është një .. klithmë e lehtë, e rrallë e shoqëruar me një ngërç të fytyrës në pjesën e syve, si fillimi i një lotimi.. As zë nuk është tamam. Mjekët janë habitur fillimisht por më pas prindërit e kuptuan. Denisi as flet, as ha, as lëviz.. Por ai ndjen vetminë.
“Nëse njëri nga ne nuk i lëviz këmbën vazhdimisht ose ta prekë në faqe, ai lëshon atë klithmën. Ndaj i rrimë gjithnjë te koka. Djali nuk do të rrijë vetëm.. Dhe unë nuk do ta lë kurrë vetëm..”. Nënës së tij, Xhevit, i dridhet zëri.. Denisi është në vdekje klinike.

***
Në 28 prill të këtij viti, Denis Dollapi u sulmua nga bashkëmoshatarë të tij. Denisi ishte fans i Stresit, kurse agresorët fansa të Noizy OTR. Të dy këta këngëtarë kanë mjaft ndikim te fansat e tyre. Të dy shkëmbejnë kërcënime njëri me tjetrin. I fundit prej këtyre kërcënimeve, kaloi gjithë barrierat e etikës dhe u dha në transmetim direkt në televizion dy net më parë në “Zonën e Lirë” të Arjan Çanit. Dhe fansat jashtë studios, janë gjithë sy e veshë.
Rastet e dhunës mes të rinjve adoleshentë, ndjekës të këtyre dy këngëtarëve, janë shtuar frikshëm. Denisi është njëri nga viktimat. “Ishte gjithnjë i qetë, i pëlqente të pikturonte, të shkruante tekste këngësh dhe të vishej bukur,- thonë shokët. Por djali me origjinë nga Tropoja, që ëndërronte të bëhej muzikant tashmë dergjet në koma në shtëpinë e tij, pasi kaloi disa muaj në spital, pa mundur të rikthehet në jetë pas sulmit. Ai u qëllua 14 herë me thikë. Sulmuesit, “rivalët” e grupit të fansave, e arritën në një lokal të rinjsh, dhe e qëlluan në fillim në këmbë, pastaj në trup e më pas, në zemër..
Babai i tij, Kujtim Dollapi, nuk e mban dot dhimbjen as sot: “Më treguan shokët.. Ashtu i plagosur djali ka kërkuar ndihmë ta sjellin në spital. Ka shkuar i gjakosur me lekë në dorë tek dy taksi, më pas tek një makinë dhe askush nuk ka dashur ta marrë.. Deri sa është rrëzuar përdhe. Nëse do të shkonte pak më herët në spital nuk do të ishte në këtë gjendje”..

Kujtim Dollapi kërkon drejtësi. Bashkë me gruan, Xhevin, dhe vajzën ata i rrinë mbi kokë Denisit, me shpresën se do të rikthehet sërish mes tyre si më parë. Nuk largohen asnjë minutë. Një prej tyre duhet të jetë patjetër aty. Ndryshe Denisi nxjerr atë klithmën që ia shtrëngon zemrën nënës së tij, Xhevit:
“Im bir u bë 19 vjeç dhe nuk më ka trokitur askush në derë për ndonjë problem me të. Nuk e kuptoj se pse duhet të ma bënin djalin kështu për një këngë.. pa asnjë arsye”. Ajo gjen forca të tregojë për “Shekullin”, tmerrin e ditës kur morën vesh ngjarjen
“Shkuam menjëherë në spital dhe e pashë që trupi i djalit ishte bërë shoshë. Ai ende mbahej dhe më shikonte në sy, diçka donte të më thoshte. Infermierja më tha të bëhem e fortë dhe të mos reagoja në sy të tij, ndryshe ai do të vdiste menjëherë. Ashtu bëra, durova.. Por zemra ime e di..”,- ofshan Xhevi. Por ajo ka besim: “Zoti nuk do ma marrë djalin…”

Prindërit dhe motra e Denisit thonë se do luftojnë deri në fund dhe me të gjitha mundësitë që Denisi të jetë sërish mes tyre. “Im bir meriton të jetojë. Edhe shteti mund të na ndihmojë, së paku të mund ta çojmë djalin jashtë sepse këtu nuk ka një qendër rehabilitimi për ta trajtuar”, – thotë Kujtim Dollapi.

Liridona: Nuk dua të ndahem nga vëllai, Zoti do bëjë mrekullinë

“Interesoheni për Denin vëllain tim?!” Liridona është paksa e habitur që një gazetare pyet për Denisin. Motra e vetme e Denisit del të na presë afër shtëpisë së saj dhe na shoqëron me shumë mirësjellje brenda. Ajo ka një fytyrë të trishtuar, shumë të trishtuar. “Unë nuk e di nëse ju keni parë ndonjë njeri në gjendjen e vëllait tim. Është e rëndë. Megjithatë unë prapë rri me të. I tregoj kujtimet që kemi kaluar.. Mami nuk më beson po ai më buzëqesh mua ndonjëherë. Unë e dua, mjafton të jetë mes nesh, është drita e shtëpisë tonë, është gjithçka për ne..”.

Liridona na tregon edhe besimin që ka Denisi, ajo dhe familja e saj tek një vend i shenjtë që quhet Tyrbe në Tropojë. Beson se atje mund të ndodhë mrekullia dhe Denisi të jetë sërish si më parë. “E di që Zoti dhe Tyrbja do bëjnë mrekulli për vëllain tim të mirë. Ai nuk ka bërë kurrë keq në këtë botë, është vëllai më i mirë në botë. Jo, Zoti nuk do na e marrë..”
Tek shtrati i Denisit vijnë shpesh edhe shokët e tij. I bëjnë muhabet edhe pse nuk janë të bindur se Denisi po i dëgjon. “Denisi nuk ishte nga ata të sherreve. Kurrë nuk bënte sherre me askënd. Adhuron muzikën, shkruan bukur tekste edhe bën vizatime vërtet interesante. S’e kuptojmë pse duhej t’i ndodhte pikërisht Denit kjo”,- thotë Ermali që e gjejmë pranë shtratit, gjatë vizitës zonë në familjen Dollapi. Ai dëshiron ta quajë Denisin vëlla sepse ka pirë gjakun e gishtit me të dhe për të gjithnjë kështu do të jetë.

Mjekët: Është rast i rrallë..

Për mjekët Denisi është një rast i rrallë. Më saktë, është ngjarje e rrallë, që ai vazhdon e jeton. “Është rast i rrallë që thika të godasë zemrën në ato përmasa dhe pacienti të mos vdesë. Por tashmë problemi është se nga kjo goditje i ka ardhur si pasojë dëmtimi i trurit.. Nga mungesa e qarkullimit të gjakut truri është dëmtuar”,- pohon kirurgu që e ka pritur adoleshentin, Skënder Buci. Mjeku shton se 19-vjecari me kalimin e kohës mund të përmirësohet dhe të reagojë.

Nga Facebook te Zonë e Lirë, një valë mesazhesh dhune që duhen ndalur

Mesazhet e dhunës në TV dhe në ‘Facebook’

A mund të arrihet “sukses” nëpërmjet dhunës? Kjo është rruga që kanë zgjedhur dy nga të rinjtë e hip-hopit shqiptar Stresi (Arkimed Lusha) dhe Noizy (Rigels Rjaku). Sikur të mos mjaftonin fyerjet në tekstet e këngëve, këngëtarët e kanë çuar konfliktin e tyre në një tjetër nivel: në një luftë bandash që të kujtojnë përleshjet e fund-viteve ’80 mes bandave amerikane të rrepit East Coast-Ëest Coast. Konfliktet e atjeshme u pasuan me disa vrasje. Nëpër këtë rrugë po ecin me shpejtësi edhe mbështetësit e dy këngëtarëve, ndaj kjo duhet ndalur sa pa pasur viktima të tjera si Denisi.

Në emisionin e fundit “Zonë e Lirë” këngëtari Stresi tha se dëshira e tij ishte që konflikti i disa muajve me parë mes mbështetësve të tij dhe atyre të këngëtarit Noizy “të kishte përfunduar ndryshe”. Gjatë një evenimenti muzikor, të rinjtë u përplasën me njëri-tjetrin, por për fat të mirë asnjëri prej tyre nuk pësoi gjë. Por për Stresin ky happy end, nuk ishte fundi i duhur. “Do të doja një fund ndryshe u shpreh ai”, duke dhënë një mesazh që fansat e tij ndoshta do ta lexojnë në një tjetër mënyrë. “…S’ka mëshirë për bandën tjetër”. Madje në bisedë e sipër me drejtuesin e emisionit Stresi jep edhe një tjetër mesazh me nënkuptim. Duke përshkruar armën të cilën kishin adhuruesit e tij, “jo shot gun por sharrs” – saktëson ai moderatorin kurioz.

“Një ditë o ai o unë” – vijon më tej në transmetim direkt. Ky ultimatum i drejtohej vetëm Noizyit. Moderatori i “Zonë e Lirë” e zhvendos bisedën te familja, duke e pyetur 24 vjeçarin se si reagonte babai i tij kur dëgjonte këtë vendim të të birit. “ai e di se si jam”, përgjigjet këngëtari, duke buzëqeshur. Biseda përfundoi me një tjetër deklaratë. “I love geto, I ëill day for geto” (e dua geton do vdes në geto). Po në cilën geto?
Në vendin tonë, në rast se nuk ekziston një etikë transmetimi, të paktën në letër ekziston një ligj për transmetimet televizive. Ky ligj ndalon transmetimin e mesazheve apo pamjeve të dhunës, të cilat ndikojnë tek fëmijët dhe adoleshentët. Por kur Stresi bënte këto thirrje, mbi ekran nuk kishte asnjë shenjë. Çuditërisht logoja u vu pas bisedës me Stresin. Vetë moderatori i emisionit Arjan Çani i pyetur dje nga Shekulli, lidhur me këto mesazhe dhune, nuk donte të komentonte duke dhënë vetëm disa lëvdata për “emisionin e tij ndryshe”. Në polici është e pamundur të marrësh një prononcim zyrtar për gjëra të tilla. I pyetur nëse duhej të arrestohej dikush që jep mesazhe dhune në TV, një zyrtar policie (edhe ky duke kërkuar të ruajë anonimatin) u përgjigj me një kundër-pyetje: “Po pse nuk e dini ju, djali i kujt është ai tipi..?!”

FACEBOOK
Armë dhe poza kërcënuese të imituara. Këto janë ajo çka gjen në profilin në Facebook të njërit prej “rivalëve” muzikorë të Hip-Hopit, Stresit. Në profilin që ka mijëra fansa është e vështirë të hysh për shkak të masivitetit, por pasi hyn ajo që sheh janë këto foto.
Y.Lezo

Kolegët e Noizyt dhe Stresit i shmangen komenteve për dhunën *

Një nga këngëtarët e tjerë të njohur të rrymës Hip-Hop është edhe Fugaa. Në një intervistë të cilën mund ta lexoni të plotë në faqen 16 në SH2-shin e sotëm, këngëtari kosovar është pyetur edhe për Noizyn dhe Stresin. Ja përgjigjet e tij, për ata që duan të kuptojnë diçka më shumë, nga kjo histori:

Fugaa, po Noizy si ju duket? Shumë i kërkuar është në Shqipëri…
I mirë është ai.. Ka stil unik që s’e ka tjetërkush. Ajo lypet në hip-hop. Shumë MC, më shumë stile, shumë ngjyra të zonit, shumë lloje t’floë-it. Q’ajo pengon të 2 milion MC-të e ri që “krijohen”, sepse s’kanë gjo autentike por kapin për bazë ndoj’ rreper të hershëm edhe “bëhen” sikur ata. Kap kopjo prej Amerikës se ka 2 milionë MC e jo prej shqiptarëve se janë vetëm 20 që ia vlen. Ky është mendimi im.
Unë personalisht kam ndëgjuar shumë, jam bazuar në Methodman sa i përket liricizmit, ndërsa tek Redman sa i përket flokit. Vite më vite, deri sa dikur e “gjen” veten edhe s’ke nevojë për asgjë tjetër po vetëm “ecën” vetë.

Po në lidhje me grindjet dhe sherret midis Noizy dhe Stresit çfarë mendoni? Dua të them, gjithmonë ka pas grindje midis rreperave, por ata e kanë çuar disi në ekstrem sepse ka pasur goditje reale me armë, sherre midis fansave etj….
Besomë që e di si fjalë që “nuk e qojnë mirë ata t’dy” po ma shumë info s’kam n’lidhje me kit’ punë.

*Intervistën e plotë mund ta lexoni sot në faqet e SH2

1 COMMENT

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here