Home Aktualitet Tirane, atentate grupit te Shullazit, 1 i vdekur, 3 te plagosur

Tirane, atentate grupit te Shullazit, 1 i vdekur, 3 te plagosur

646
0

ambulancaPritë në dy kohë grupit të Emiliano Shullazit. Beteja e përballjeve ndodh në rrugën e Kavajës dhe në Qafë Kashar, brenda një harku kohor prej rreth 30 minutash. Në rrugën e Kavajës është qëlluar mbi Pajtim Serjani, mikun dhe një ndër njerëzit më të afërt të Shullazit. Serjani është plagosur, por policia në vendin e ngjarjes është përballur me një person të vrarë dhe dy të tjerë të plagosur.

Dy të plagosurit janë nisur për në spitalin Ushtarak, ku ka rezultuar se njëri prej tyre është efektiv policie ndërkohë që duke u marrë me zbardhjen e mekanizmit të vrasjes dhe të dy plagosjeve në rrugën e Kavajës, policia është lajmëruar për një breshëri të ndodhur në qafën e Kasharit. Pavarësisht post-blloqeve të panumërta të ngritura, mësohet se personi i palgosur në Qafë-Kashar ka mbërritur në spitalin Ushtarak, ndërsa ka rezultuar të jetë Emiljano Shullazi, emri proverbial, i cili më shumë se për gjithçka tjetër njihet për arrestimet e panumërta, po ashtu edhe për lirimet nga drejtësia.

Policia duke tentuar të lidh ngjarjet me njëra-tjetrën, për shkak se i plagosuri i Rrugës së Kavajës dhe Shullazi janë miq, miqësi e njohur prej vitesh, ka tentuar zbulojë shkakun e gjetjes së viktimës, një emër i panjohur për ta në vendin e ngjarjes. Sipas policisë, viktima mban kartë identiteti me emrin Arjanit Sterjo, i moshës 42 vjeç, por që dyshohet të mos jetë emri i tij i vërtetë.

Dinamika e ngjarjeve
Rreth orës 20.00, në afërsi të rrugës së Kavajës, në rrugën “Islam Alla”, pikërisht në vendin ku u qëllua për vdekje tri javë më parë Shkëlzen Leka, një person ka qëlluar mbi Pajtim Serjanin, mikun e Shullazit, i cili i ka shpëtuar edhe një tjetër atentati tri vite më parë. Plumbat që janë lëshuar mbi Serjanin, mësohet se kanë kapur edhe efektivin e policisë, Roland Meta, prania e të cilit në atë vendngjarje ende nuk është zbardhur, pasi deri orëve të vona të mbrëmjes së djeshme, Meta ka qenë në sallën e operacionit, duke iu nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale.

Policia kur ka shkuar në vendin e ngjarjes, që është lajmëruar nga banorët e zonës, ka gjetur të pajetë një person, në rrugicën ngjitur “Him Kolli”, ndërsa nga spitali Ushtarak është thënë se ka mbërritur i plagosur ‘Altin Dani’ dhe Roland Meta. Sipas informacioneve të mbledhura, orë pas krimit, mësohet se me emrin Altin Dani është prezantuar pikërisht Pajtim Serjani. Policia ka gjetur viktimën, që më pas ka rezultuar të jetë Arjanit Sterjo të kamufluar me një kapuç bluze, ndërsa sipas të dhënave mbante shumë mjekër. Duke verifikuar ngjarjen dhe të dhënat paraprake, policia hedh dyshimin se viktima ka qenë vrasës me pagesë, i cili ka ardhur të qëllojë mbi njerëzit e Emiljano Shullazit, por ka mbetur vetë i vrarë në vendin e ngjarjes.

Atentati ndaj Shullazit
Rreth 40 minuta pas ngjarjes në rrugën e Kavajës, mësohet se në Qafë-Kashar, iu ka ngritur pritë Emiljano Shullazit. Në fakt policia ende nuk e ka zbardhur itenerarin e rrugës së përshkruar nga Shullazi, por ky i fundit ka braktisur makinën në vendin e pritës dhe ka mbërritur në Spitalin Ushtarak i plagosur rëndë, por jashtë rreziku për jetën.

Sipas të dhënave, dyshohet se Shullazi duhet të jetë telefonuar për ngjarjen ku i është bërë pritë Serjanit dhe grupi i vënë në lëvizje për vrasjen e tyre duhet të ketë qenë i informuar për kthimin e tij në drejtim të Tiranës. Ende nuk dihet se kush e ka sjellë në spital Shullazin, pasi policia mbrëmë nuk ishte në gjendje të saktësonte këtë detaj, por mësohet se në vendin e ngjarjes janë gjetur mbi 20 gëzhoja kallashnikovi. Mjeti i Shullazit është sekuestruar në vendin e ngjarjes, ndërkohë që atentatorët janë larguar në drejtim të paditur.

Policia: Viktima dyshohet se është vrasës me pagesë
Krerë të Policisë së Shtetit dhe prokuror të Krimeve të Rënda kanë mbërritur mbrëmë në vendin e ngjarjes, ndërsa është mësuar se mes të plagosurve është edhe një efektiv policie. Sipas të dhënave ende nuk është qartësuar prania në vendin e ngjarjes së një efektivi të skuadrës operacionale, ndërsa mësohet se policia ka nisur hetimet për të zbardhur pikërisht të shkuarën e viktimës.

Fillimisht është dyshuar për ndonjë person të vrarë rastësisht, por më pas, duke iu referuar të dhënave për të, është mësuar se personi me emrin Arjanit Sterjo është deportuar disa herë nga Greqia dhe rezulton të jetë me precedentë të vazhdueshëm kriminal në Greqi. Dyshohet se ai është paguar për të vrarë njerëzit e Shullazit, ndërsa i mbetet ekspertizës balistike të zbulojë se nga çfarë arme është vrarë viktima, që sipas policisë është nga Çorovoda.

Policia e Tiranës ka nisur shoqërimet mbrëmjen e djeshme dhe mësohet se janë shoqëruar mbi 40 persona. Policia dhe prokuroria presin të marrin dëshmitë e tre personave
të plagosur, ku personi kyç i kësaj dëshmia do të jetë pikërisht efektivi i skuadrës operacionale të Policisë së Shtetit Roland Meta. Njëkohësisht, priten sekuestrimet e kamerave si dhe pritet të merret dëshmia e Emiljano Shullazit, personit, emri i të cilit lidhet me një mori ngjarjesh, por që asnjë prej tyre nuk iu vërtetuan dot, përveç dy armëmbajtjeve pa leje dhe dy sherreve në prag zgjedhjesh.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here