Home Shendetesi Kanceri i pankreasit, ja pse eshte shume i rrezikshem

Kanceri i pankreasit, ja pse eshte shume i rrezikshem

1624
0
pankreasi
pankreasi
pankreasi
Pankreasi

Kanceri i pankreasit konsiderohet si nje nga tumoret me te rrezikshme dhe arsyeja eshte mos diagnostikimi ne kohe. Simptomat nuk shfaqen ne fazat e hershme por me avancimin e semundjes shfaqen shenjat klinike

“Tumori përhapet shpejt në organet fqinje dhe rrallë zbulohet në stade të hershme”, shprehet mjekja gastrohepatologe, Albana Duni.

Sipas doktoreshës, disa nga shenjat klinike që konstatohen te pacientët janë: dhimbje në pjesën e sipërme të barkut që përhapet në shpinë, humbje oreksi dhe humbje e pakuptueshme në peshë, depresion, një vendosje e menjëhershme e diabetit, të përziera, lodhje, si edhe zverdhje e lëkurës dhe e syve. Në intervistën dhënë për gazetën, Duni thotë se përkundrejt grave burrat janë më të predispozuar për t’u prekur nga kanceri i pankreasit. Ndër faktorët e riskut krahas diabetit, obezitetit dhe faktorit moshë renditet edhe duhanpirja.

“Studimet tregojnë që kombinimi i duhanpirjes, i diabetit, për një kohë të gjatë dhe një diete të varfër ushqimore rrit riskun për tumor pankreatik”, vë në dukje Duni.

Çfarë është kanceri i pankreasit?
Pankreasi është një organ rreth 15 cm në abdomenin (barkun) tonë, që shtrihet horizontalisht pas pjesës së poshtme të stomakut. Pankreasi si organ çliron enzima që ndihmojnë digjestionin dhe hormonet (insulinën) dhe kontrollin e sheqerit në gjak. Kanceri i pankreasit fillon pikërisht në indin e pankreasit. Tumori përhapet shpejt në organet fqinje dhe rrallë zbulohet në stade të hershme. Por për personat me ciste pankreatike dhe ato me histori familjare për kancer pankreasi bëhen disa hapa depistues, pra kontrolle parandaluese për sëmundjen që të mund të zbulohet sa më herët.

Mosdiagnostikimi në kohë i kancerit të pankreasit është i lidhur me mosshfaqjen e shenjave klinike në faza të hershme. Çfarë shqetësimesh paraqesin kryesisht pacientët kur sëmundja ka progresuar?
Në stade të hershme kanceri i pankreasit nuk jep simptoma, por ato mund të shfaqen kur sëmundja ka avancuar. Shenjat mund të përfshijnë: dhimbje në pjesën e sipërme të barkut që përhapet në shpinë, humbje oreksi dhe humbje e pakuptueshme në peshë, depresion, një vendosje e menjëhershme e diabetit, të përziera, lodhje, si edhe zverdhje e lëkurës dhe e syve, në stad të avancuar atëherë kur janë bllokuar rrugët e tëmthit.

Si formohet ky kancer?
Kanceri i pankreasit shfaqet kur qelizat e tij pësojnë ndryshime gjenetike (AND). Këto ndryshime shkaktojnë një rritje qelizore të pakontrolluar, ndërkohë që qelizat tona kanë një cikël jete, ato vdesin. Duke prishur këtë rregull, këto ndryshime apo mutacione bëjnë që qelizat të akumulohen dhe të formojnë një tumor. Këto mutacione mund të trashëgohen nga nëna, nga babai, ose mund të fitohen gjatë jetës. Ne marrim nga prindërit dy çifte gjenesh. Nëse nga babai kemi trashëguar gjenin që lidhet me një sindromë kanceroze, gjeni tjetër nga mamaja është normal. Individët me një sindromë të trashëguar kanceroze mundet që të dëmtojnë edhe gjenin e mirë (të trashëguar nga mamaja). Pra, këto qeliza do të kenë dy gjene të dëmtuara (njërin të trashëguar dhe tjetrin të fituar gjatë jetës) dhe si rezultat qeliza e pankreasit do të rritet në mënyrë anormale dhe eventualisht do të formohet një kancer.

Pra, faktori gjenetik është shkaktari kryesor?
Duhet theksuar se jo çdokush që ka një predispozitë të trashëguar do të pësojë kancer. Ne e dëmtojmë AND-në me sjelljen tonë, p.sh. substancat kancerogjene si duhani mund të dëmtojnë AND-në, duke çuar kështu në formimin e tumorit. Thjesht mos pini duhan. Rruga e tretë e dëmtimit të AND-së sonë është shansi. Në mënyrë të përmbledhur, kanceri pankreatik shkaktohet nga mutacione të ADN-së dhe ekzistojnë tri rrugë që dëmtojnë AND-në tonë: trashëgimia nga nëna apo babai, diçka që varet nga sjellja jonë (p.sh. duhanpirja) dhe dëmtim i rastësishëm siç mund të jetë shansi ynë. Tumoret pankreatike të patrajtuara përhapen në organet fqinje dhe nëpërmjet gjakut në distancë, duke dhënë limfonoduj dhe metastaza.

Të mbetemi te shkaktarët e kancerit të pankreasit, cilët janë ata?
Faktorët që mund të rrisin riskun për tumor të pankreasit janë: inflamacioni kronik i pankreasit (pancreatitis). Pankreatiti kronik, një inflamacion i zgjatur i pankreasit, është i lidhur me një rritje të riskut për kancer, sidomos te duhanpirësit dhe te persona me mutacione të trashëgueshme gjenetike, por ka shumë njerëz me pankreatit kronik që nuk kanë zhvilluar kancer të pankreasit. Shfaqja ose një shpërthim i papritur i diabetit mund të jetë një shenjë e tumorit, gjithashtu një histori e gjatë me diabet te një adult rrit shanset për tumor të pankreasit. Së treti, mund të përmendim historitë familjare të sindromës gjenetike kanceroze si mutacioni i gjenit BRCA2, sindroma “Lynch” dhe sindromën familjare atipike “mole-malignant melanoma” (FAMMM) dhe “Peutz-Jeghers syndrome”. Duhet thënë se tumori i pankreasit është më i shpeshtë te burrat. Një tjetër faktor risku është duhanpirja. Thuhet që 1 në 4-5 raste me kancer të pankreasit, shkaku është duhanpirja. Shumë e vërtetë është që lënia e duhanit e ul riskun, e thënë thjesht pirja e duhanit është shkaku kryesor i parandalueshëm për kancerin e pankreasit. Studimet tregojnë që kombinimi i duhanpirjes, i diabetit, për një kohë të gjatë dhe i një diete të varfër ushqimore rrit riskun për tumor pankreatik. Obeziteti po ashtu rrit në mënyrë domethënëse riskun për kancer të pankreasit. Dieta me tepri te mishi, kolesteroli, ushqime të skuqura dhe nitrozaminat rrisin riskun, ndërsa dieta me tepri në fruta, perime, me vitamina e folate e redukton riskun. Dhe së fundmi, faktori moshë, shumica e të diagnostikuarve janë mbi 65 vjeç.

Çfarë komplikacionesh shkakton tumori i pankreasit?
Ndërkohë që tumori progreson, ai shkakton komplikacione si humbje peshe. Vetë tumori shkakton humbje peshe, të përziera dhe të vjella, si dhe shtypja që shkakton në stomak përbën vështirësi për t’u ushqyer. Gjithashtu, trupi ka vështirësi në procesin digjestiv, pasi pankreasi ka pamjaftueshmëri të enzimave digjestive. Në këtë rast rekomandohen enzima pankreatike si suplemente ndihmëse në digjestion. Ikter ose zverdhje. Tumori i pankreasit mund të bllokojë kanalet e tëmthit, duke shkaktuar zverdhje të lëkurës të syve, urinim i errët dhe fece të zbardhura.

Zakonisht shfaqet pa dhimbje abdominale. Në këtë rast mund të vendoset në kanalet e tëmthit një tub (stend) plastik ose metalik, që ndihmon në kalimin e lëngjeve biliare (të tëmthit). Kjo realizohet nëpërmjet një procedurë që quhet ERCP, (endoscopic retrograde cholangiopancreatography, e njëjta që përdoret për heqjen e gurëve në koledok). Dhimbja, një tumor që rritet mund të shtypë nervat në abdomen duke shkaktuar dhimbje. Radioterapia mund të frenojë rritjen e tumorit. Rekomandohet një procedurë e injektimit të alkoolit në nervat që kontrollon dhimbjen abdominale (bllok i plexus celiak). Kjo procedurë ndalon nervat që të çojnë sinjalet e dhimbjes në tru dhe realizohet nëpërmjet EUS – Endoscopic Ultrasound, ose Eko Endoskopike. Obstruksion ose bllokim i zorrës. Tumori rritet, duke shtypur pjesën e parë të duodenit dhe mund të bllokojë zbrazjen e ushqimit nga stomaku në zorrë. Vendosja e një stendi ose tubi për të mbajtur hapur kalimin e ushqimit, ose kirurgjia, mund të zgjidhë situatën e obstruksionit.

Sa është mbijetesa e personave me një tumor pankreasi?
Shkalla e mbijetesës është përmirësuar. Kështu, shkalla e mbijetesës 1 vit është 20% dhe 5 vjet është 7%. Kanceri pankreatik është i trajtueshëm kur kapet shpejt, nëse tumori hiqet me kirurgji shkalla e mbijetesës deri në 5 vite është 25%.

A mund të jetohet pa pankreas?
Kirurgjia e heqjes se pankreasit quhet “Whipple procedure”, ose “pancreaticoduodenectomy”. Megjithëse nuk është zgjidhja perfekte, funksionet e pankreasit mund të zëvendësohen nëpërmjet injeksioneve të insulinës dhe të enzimave pankreatike gjatë vakteve. Ekzistojnë dy tipa të kancerit të pankreasit: ai që fillon nga qelizat ekzokrine (qelizat që prodhojnë enzimat tretëse) dhe tjetri nga qelizat endokrine (qelizat që prodhojnë hormone si insulinë) përkatësisht: tumoret “Exocrine” quhen adenokarcinoma dhe 95% e tumoreve janë adenokarcinoma. Tumoret “Endocrine” quhen ndryshe neuroendokrine dhe janë më të rralla.

Që në nisje të kësaj interviste u vu në dukje se shenjat klinike, nuk janë pikë referimi për sa kohë që nuk shfaqen në stadet e hershme të sëmundjes. Si bëhet diagnostikimi?
Në fakt, për të vënë diagnozën e kancerit pankreatik, simptomat jo gjithmonë mund të na ndihmojnë. Nevojiten një sërë testesh laboratorike dhe ekzaminimesh imazherike për të saktësuar diagnozën. Tomografia e kompjuterizuar, kur skaneri është bërë me kontrast oral ose venoz, mund të tregojë tumore të vegjël të pankreasit ose kudo ku tumori i është përhapur, prandaj kërkohet gjithmonë realizimi i CT me të dyja kontrastet për më shumë saktësi. Tjetër metodë që aplikohet është rezonanca magnetike me kolangiopankreatografi (MRCP). MRCP është rezonancë speciale. Këtu përdoret software kompjuterik që jep imazhe specifike të kanalit pankreatik dhe atij biliar, të cilët zakonisht janë zona e tumorit. Lëngjet natyrale prezente në duktus shërbejnë si kontrast.

MRCP është një pajisje e shkëlqyer për vizualizimin e cisteve pankreatike dhe bllokimin e duktuseve, ose të kanaleve. Për diagnostikimin e këtij tumori shërben edhe kolangiopankreotografia retrograde enoskopike (ERCP). Faza e parë e ekzaminimit kryhet njësoj si gastroskopia. Kur mjeku ka arritur në fillimin e zorrës së hollë, ai injekton një ngjyrues të veçantë, i cili qëndron përkohësisht në duktuset e sistemit biliar. Pas injektimit merren imazhe me rreze-X, të cilët tregojnë nëse duktuset janë të ngushtuar apo bllokuar prej tumoreve apo situatave të tjera. ERCP mund të përdoret gjithashtu për trajtimin e ikterit, meqë duktusi biliar është i bllokuar. Gjatë ERCP mund të vendoset një stend në duktusin e bllokuar për ta mbajtur atë hapur dhe për të lënë bilën të rrjedhë. Gjatë ERCP-së mund të merret edhe biopsi (copëza të vogla indesh për t’u ekzaminuar).

Së fundmi, mund të përmendim eko-endoskopinë. Endoskopia është një procedurë e zgjedhur për pankreasin, ku një tub fleksibël me një minitelekamera futet nga goja për të parë nga brenda traktin tretës, ndërsa ekoja përdor valë me frekuencë të lartë për të prodhuar imazhe shumë të sakta të organeve dhe strukturave në brendësi të trupit: mëlçisë, fshikëzës së tëmthit, pankreasit, aortës etj. Nëpërmjet këtyre imazheve mjeku mund të vlerësojë përmasat, lokalizimin e tumorit të pankreasit dhe nëse tumori është përhapur në enët e gjakut ose në strukturat përreth. Gjatë kësaj procedure mjeku mund të marrë material për biopsi, e cila kryhet me një age të hollë. Kjo procedurë quhet FNA (fine needle aspiration). Ky material ekzaminohet në laborator për praninë e qelizave kanceroze ose jo. EUS është procedura imazherike më e shpeshtë që përdoret për diagnostikimin e kancerit pankreatik dhe më e mira për të marrë material për biopsi.

Previous articleVetevrasja e polices 23-vjecare. Shkaqet mbeten ende mister
Next articleVende te lira pune ne Gjermani, ja cfare kerkohet

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here