Në kulmin e debatit për reformën administrative, Lulzim Basha i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të shpallur si antikushtetues vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit i cili ndalon dhënien e lejeve të ndërtimit në zonat strategjike dhe të kurorës së Tiranës. Konkretisht kryetari i PD-së Lulzim Basha, njëherësh edhe kreu i Bashkisë së Tiranës së bashku me kryetarët e komunave Farkë, Rrashbull, Kashar dhe kreun e Bashkisë Krujë kanë depozituar në Kushtetuese padinë për të anuluar vendimin i cili ndalon të gjitha ndërtimet në këtë njësi vendore.
Kërkesat
Që të pesta kërkesat janë identike në formulimin e tyre dhe kërkojnë që në njësitë vendore të kenë mundësi që të japin leje ndërtimi. Konkretisht në vendimet e tyre theksohet se : “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet qeverisjes vendore dhe pushtetit qendror (Këshilli i Ministrave/Këshilli Kombëtar i Territorit). Shqyrtimin e pajtueshmërisë me Kushtetutën dhe me Kartën Europiane të Autonomisë Vendore si dhe shfuqizimin si antikushtetues, si akte që bëhen shkak për lindjen e konflikti, të: Vendimit nr. 1, datë 08.10.2013 të Këshillit Kombëtar të Territorit “Për masat emergjente të ndërhyrjes mbrojtëse dhe rehabilituese mjedisore në disa zona me rëndësi kombëtare dhe procedurën e hartimit të Planit të Integruar Sektorial për Brezin Bregdetar”; Vendimi nr. 3, datë 18.10.2013 të Këshillit Kombëtar të Territorit “Për masat emergjente të ndërhyrjes mbrojtëse dhe rehabilituese në zonën me rëndësi të veçantë të Kurorës së Tiranës”. Pezullimin e vendimit nr. 1, datë 08.10.2013 dhe vendimit nr. 3, datë 18.10.2013 të Këshillit Kombëtar të Territorit, deri në përfundimin e shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese”. Kjo padi është bërë në mënyrë që Luzlim Basha së bashku me të zgjedhurit e tij vendorë të kenë mundësi që të jepin leje ndërtimi çka do të thotë më shumë para për këto njësi vendore pavarësisht se janë përcaktuar nga Këshillit Kombëtar i Territorit si zona strategjike.
Ankesat në Kushtetuese
Pothuajse të gjithë zyrtarët e lartë që kanë dalë nga porta e Partisë Demokratike kanë depozituar nga një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese. Këtu mund të përmendim Zana Xhukën, ish-zëvendësministre e Mbrojtjes dhe ish-kryetare e ILDKP-së. Edhe presidenti Bujar Nishani i është drejtuar dyerve të Kushtetueses me padinë se mazhoranca i ka marrë kompetencat në momenti ne shkarkimit të Zana Xhukës dhe emërimit të Shkëlqim Ganajt. Por, tani më edhe kryetari i Partisë Demokratike i është drejtuar kësaj gjykate për të paditur qeverinë. Krahas këtyre, PD ka një histori të gjatë të padive të opozitës në kushtetuese pasi ata kanë ankimuar vendime si akti normativ për nëpunësin civil, vendimin për INUK, rrëzimin e kërkesës për ngritjen e komisionit hetimor në tatime ku për të gjitha këto kërkesa ka marrë aprovimin nga trupa gjykuese e Kushtetueses.
Vendimi i KKT-së, s’ka ndërtime pa planin rregullues
Vendimi i Këshillit Kombëtar të Territorit është miratuar në datën 18 tetor të vitit 2013. Në këtë vendim përcaktohet qartë pezullimi i dhënies të lejeve të ndërtimit në zonat strategjike. “Përcaktimi ne atyre zonave ku do të ndërmerren masa të natyrës emergjente me qëllim mbrojtjen dhe rehabilitimin mjedisin të Kurorës së Tiranës, sipas hartës bashkëlidhur. Pezullimin e dhënies së të gjitha llojeve të lejes zhvillimore në zonat e Kurorës së Tiranës, nga autoritetet e planifikimit deri në miratimin e Planit të Përgjithshëm Kombëtar.
Deri në miratimin e Planit të Përgjithshëm Kombëtar, autoritetet e planifikimit lejohen të japin leje zhvillimore në këto zona, vetëm për këto raste përjashtimore: a-punime mirëmbajtje; b-Leje zhvillimore për interes publik, shtetëror dhe kombëtar”,- thuhet në vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit të datës 18 tetor të vitit 2013.
Kësisoj ky vendim e ndalon Bashën së bashku me krerët e njësive vendore të japin leje ndërtimi pasi janë cilësuar si me karakter strategjik për zhvillimin dhe rehabilitimin e vendit. Krahas kësaj, miratimi i Planit Kombëtar të Territorit nuk ka kaluar ende në KKT dhe për rrjedhojë Basha dhe të tjetër nuk japin dot më leje ndërtimi në zonat ku ata janë zgjedhur për të qeverisur.