Home Aktualitet Temperaturat ulen ndjeshem, probleme ne Veri

Temperaturat ulen ndjeshem, probleme ne Veri

588
0

Në një kohë kur reshjet e dëborës janë ndërprerë, gjithë vendi është mbërthyer nga temperatura të ulta, ndërsa problem mbetet akulli dhe ngricat.

Situata është më problematike në veri të vendit. Në Dibër, Kalaja e Dodës dhe Lura mbeten të bllokuara, ndërsa ka vështirësi komunikimi me zona si Sllove, Selishte, Muher, Ostren, Trebisht, Zerqan dhe disa fshatra të Martaneshit.

Probleme të theksuara me ngricat ka në komunën Macukull dhe në Xibër, ku shtresa e akullit arrin deri në 15 cm. Në Kukës mbeten të bllokuara komunat Zapod, Arren, Gryke-Çaj, si dhe disa fshatra të komunave Shishtavec dhe Bushtricë.

Aksi Kukës-Shishtavec kalohet me vështirësi edhe me zinxhirë. Ndërkaq në Pukë me rrezikshmëri të lartë paraqitet situata në aksin Qafë Mali-Kukës, ndërsa ka prezencë të madhe akulli në të gjithë gjatësinë e rrugës Qafë Mali-Shllak, ndërsa nuk ka asnjë punonjës në rrugë për hedhjen e kripës e skorjes.

Mësohet se trashësia e borës në Qafën e Malit ka kaluar 40 cm dhe drejtuesit e mjeteve që bllokohen, detyrohen të ndërhyjnë vetë për pastrimin e rrugës. Tashmë është zhbllokuar segmenti Bardhet-Iballë, por prezenca e akullit shkakton rrezikshmëri të lartë për qarkullimin e mjeteve dhe është i detyrueshëm përdorimi i zinxhirëve.

Ndërkaq në Korçë, Qafa e Qarrit dhe aksi Ersekë-Leskovik janë të kalueshme vetëm me zinxhirë për shkak të akujve në rrugë.
Të bllokuara janë komunat: Vithkuq, Novosele në Ersekë, zona e Mokrrës në Pogradec, Lekasi në Korçë. Probleme edhe në aksin Kapshticë-Kozanë, pasi ende ka pjesë të rrugës problematike për shkak të ngricave.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here