Home Sport Messi fiton “Topin e Arte” per here te trete, barazon rekordin e...

Messi fiton “Topin e Arte” per here te trete, barazon rekordin e Platini

681
0

Lionel Mesi ka fituar për të tretin vit radhazi “Topin e Artë”, duke arritur rekordin që mbahej nga Mishel Platini, që e kishte fituar këtë trofe në vitet 1983, 1984, 1985. Argjentinasi mundi në finale konkurrencën e shokut të skuadrës te Barcelona Ksavi Hernandez dhe atë të portugezit Kristiano Ronaldo. Tre herë e kanë fituar “Topin e Artë” edhe holandezët Johan Krujf e Marko Van Basten. “Dua ta ndaj këtë trofe edhe me shokun tim të skuadrës Ksavi, që është këtu, por edhe me të gjithë futbollistët e Barcelonës dhe të kombëtares argjentinase”, deklaroi Mesi, pasi braziliani Ronaldo i dorëzoi trofeun.

Në ceremoninë e zhvilluar në Zyrih të Zvicrës, triumfuesit kanë ardhur kryesisht nga Barcelona. Pep Guardiola është zgjedhur trajneri i vitit, duke lënë pas kolegun e tij te Mançester Junajtid Aleks Ferguson dhe trajnerin e Realit të Madridit Zhoze Murinjo. Tekniku i Barçës i ka emocionuar të gjithë me fjalët e tij, pas marrjes së trofeut. “Ia dedikoj këtë çmim Tito Vilanovës (i operuar nga tumori), mikut tim, shokut tim, asistentit tim, që edhe pse nuk është fizikisht me ne, është gjithnjë me shpirt. Kjo është edhe për ty”, tha Pep. Trajneri i Barçës e ndau trofeun edhe me dy rivalët e mundur gjatë sezonit të shkuar, Zhoze Murinjo e Aleks Ferguson. “Për mua është një nder që jam kolegu juaj, – tha ai. – E ndaj këtë trofe me të gjithë trajnerët në botë, që e duan këtë lojë. Ua dedikoj këtë çmim edhe atyre personave, që në 100 vjet kanë punuar te Barcelona, duke krijuar një prej klubeve më të rëndësishëm në botë. Për mua është një nder që bëj pjesë në këtë grup njerëzish”, deklaroi Guardiola.

Ndërkohë, Aleks Ferguson është premiuar me çmimin e karrierës. “Është një nder të marrësh këtë çmim pas 25 vitesh punë te Mançester Junajtid. Kam qenë një trajner shumë, shumë me fat”, tha skocezi.

Përsa u përket çmimeve të tjera, braziliani Nejmar mori trofeun “Pushkash 2011”, për golin më të bukur të vitit, të realizuar në ndeshjen mes Santosit dhe Flamengos. Sulmuesi brazilian mundi konkurrencën e Uejn Runit, për golin me rrofeshatë ndaj Mançester Sitit, si edhe të Lionel Mesit, të realizuar me parabël ndaj Arsenalit. Për femra, “Topin e Artë” e mori japonezja Homare Sava e Japonisë, heroina e kombëtares së këtij vendi në Kupën e Botës. Ajo la pas brazilianet Marta Vieira da Silva, fituese që prej vitit 2006 e trofeut, si edhe amerikanen Abi Uambah. Japonezja u premiua nga Shakira, e dashura e Zherard Pike, në këtë ceremoni. Sa i përket skuadrës më të mirë të vitit, ajo është e përbërë nga: Kasijas; Dani Alvesh, Pike, Vidiç, Serxhio Ramos; Ksavi, Ksabi Alonso, Iniesta; Kristiano Ronaldo, Mesi, Runi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here