Deklarimet që Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti ka bërë pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive në vitet e fundit, tregojnë qartë mënyrën e dyshimtë sesi është krijuar pasuria prej 1.8 milionë euro nga shitja e aksioneve të kompanisë Fortis 2.
Në vitin 2008, Dritan Prifti ka deklaruar se për fillimin e aktivitetit të tij privat në kompaninë Fortis 2 më 1 maj të 2007-ës është detyruar të marrë një borxh në shumën 30 mijë euro, që e ka shlyer një vit më pas. Përvec të ardhurave mujore, Dritan Prifti ka pasur në vitin 2008 një llogari bankare bashkë me të shoqen në shumën prej 11.8 mijë dollarë.
Ndërsa në vitin 2008, Dritan Prifti kishte një pasuri minimale, një vit më vonë ai do të deklaronte se pasuria e tij kapte vlerën e 1.8 milionë eurove.
Në deklaratën e pasurisë që Prifti ka bërë në vitin 2009 rezulton se nga kompania Fortis 2 janë shitur aksione me 3 faza të ndryshme. Për një periudhë 10 mujore, nga data 24 shkurt 2009 deri më 4 dhjetor 2009 janë shitur 14.5 për qind e aksioneve me vlerë rreth 300 mijë euro.
Ndërkohë marrëveshja e tretë që do t’i sillte përfitime marramendëse vetëm tre muaj më vonë do të shënonte shitjen e 30.5 për qind të aksioneve të mbetura me vlerën 1.5 milionë euro. Kjo marrëveshje u nënshkrua më 31 dhjetor 2009, datë që shënoi edhe mbylljen e pjesëmarrësjes së ciftit Prifti si aksioner në kompaninë Fortis 2.
Bazuar në deklaratat që vetëm ministri ka bërë, ngrihet një pyetje: si është e mundur që një aktiviteti i hapur më 1 maj të vitit 2007 me 30 mijë euro borxh, pas shlyerjes së këtij borxhi në 2008, të arrijë të sigurojë një fitim marramendës prej 1.8 milionë euro vetëm gjatë vitit 2009?