Që nga momenti i parë që debutoi në Formulën 1, tregoi se do të kishte një të ardhme prej kampioni të botës dhe kur kanë kaluar vetëm 3 vite nga ky debutim, Sebastian Fetel shpallet kampion pikërisht në Çmimin e Madh të Abu Dhabit, me statusin si piloti më i ri në histori që arrin të fitojë një kampionat të Formulës 1.
23-vjeçari Fetel arrin të kalojë Luis Hamilton i cili me titullin në vitin 2008 ishte kampioni më i ri, por deri në këtë fundjavë në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Gjermani i skuadrës Red Bull mban të gjitha rekordet sa i përket moshës, piloti më i ri që merr pikë, piloti më i ri që fiton një pole position dhe piloti më i ri që fiton një garë. Fetel është gjithashtu piloti i dytë gjerman pas Mikael Shumaker që fiton një titull kampion në Formula 1.
Në këtë sezon ai ka dominuar me 10 pole nga 15 që fitoi skuadra e tij Red Bull në 19 garat e kampionatit. Edhe në Abu Dhabi ai u nis nga poli, por me më pak shanse se shoku i tij i skuadrës Mark Veber që dukej më pranë titullit, por më pas gara për të ishte për t’u harruar pasi u mbyll me një zhgënjim.
Dy pilotët e kësaj skuadre e zhvilluan gjysmën e dytë të sezonit pas atij aksidenti me njëri-tjetrin në Turqi me shumë polemika e mosmarrëveshje.
Ndërkohë Fernando Alonso, ai që kishte edhe më shumë shanse dhe e fillonte këtë garë si lideri i klasifikimit për pilotë, nuk ia doli mbanë, një strategji e gabuar për të e la pas për pjesën më të madhe të garës, duke e kaluar finishin në vendin e shtatë e duke humbur një shans të mirë për t’u shpallur kampion.
Ndërkohë McLareni me shumë pak shanse për të fituar titullin për pilotë me Hamilton, arriti të mbyll këtë garë të fundit në Abu Dhabi me të dy pilotët e saj në podium,
Hamilton në vendin e dytë dhe pas tij kampioni i vitit të shkuar Xhenson Baton.
Gjithsesi pak vend për histori ka Fetel në këtë fundjavë, arriti të fillojë e të mbarojë këtë garë i pari si rrallë herë, por në atë garë që duhej pasi i vlejti sa titulli kampion.