Home Shendetesi Kurat popullore që kurojnë sëmundjet e mëlçisë

Kurat popullore që kurojnë sëmundjet e mëlçisë

700
0

Mëlçia e zezë dhe lëngu që prodhohet prej saj luajnë rol të rëndësishëm në procesin e përgjithshëm të tretjes. Ushqimet kanë veti të shtojnë si sekretimin e lëngut të stomakut dhe të zorrës, ashtu edhe në nxjerrjen e lëngut të mëlçisë për në drejtim të zorrës, që luan rol të rëndësishëm në përzierjen e yndyrave në zorrë. Sëmundjet e mëlçisë së zezë dhe të rrugëve të saj bëhen shkak për lindjen e ndryshimeve të veçanta funksionale dhe në aparatin tretës. Mjafton të përmendim se në pezmatimin e zgjatur të fshikëzës së tëmthit (kolecistit kronik) shpesh vihen re çrregullime të tretjes e kapsllëk që vazhdojnë me heqje barku (diarre), me ndryshime në nxjerrjen e lëngut të stomakut, të pankreasit, etj., të cilat shkaktojnë edhe ndryshime të përgjithshme, si për shembull, shqetësime, pagjumësi etj. Në këtë rast dieta e përshtatshme, që nxit zbrazjen e fshikëzës së tëmthit dhe që rregullon detyrën e zorrës, është një masë e rëndësishme për parandalimin dhe mjekimin e sëmundjeve të mëlçisë. Kjo dietë duhet të plotësohet edhe me kalitjen fizike, e cila ndikon në normalizimin e funksioneve të mëlçisë së zezë. Kalitja fizike ndikon në përmirësimin e qarkullimit të gjakut në mëlçi, në oksigjenimin, si dhe në furnizimin e saj me lëndë të nevojshme për sintezën dhe grumbullimin e rezervës sheqerore (glikogjenit). Dieta në sëmundjet e mëlçisë duhet të jetë e tillë, që të lehtësojë si nxjerrjen e lëngut (sekretimin), ashtu edhe derdhjen e tëmthit, gjë që arrihet duke marrë shpesh pjesë të vogla ushqimi (4-6 herë në ditë), që shërben si ngacmues fiziologjik i mekanizmave që vënë në lëvizje derdhjen e tëmthit. Për këtë ndihmojnë edhe lëvizjet, shëtitjet e gjata në ajër të pastër, gjimnastika etj.

Sëmundjet e tjera që shkakton
Duke pasur parasysh shërbimet kryesore të mëlçisë specialistët kanë përcaktuar edhe sëmundjet (patologjinë) e saj dhe të rrugëve të tëmthit, të cilat karakterizohen nga pakësimi i sekretimit dhe i mënjanimit të lëngut të tëmthit në zorrë, nga kalimi i kripërave të tij në gjak, gjë që shkakton lindjen e të verthit. Por mund të lindin edhe ndryshime të tjera në vetë indin e mëlçisë që çrregullojnë funksionet e sajë fiziologjike të sintezës, të shndërrimeve dhe të mënjanimit të prodhimeve të ndryshme ushqimore me origjinë shtazore, bimore e minerale. Është e këshillueshme që në të gjitha çrregullimet e mëlçisë ti drejtoheni mjekut për përcaktimin e diagnozës dhe mjekimin sa më të arsyeshëm. Preparatet me origjinë bimore që praktikon mjekësia popullore dhe ajo shkencore për sëmundjet e mëlçisë përdoren në këto drejtime kryesore. Për mjekimin e pezmatimit të mëlçisë (hepatit) dhe të fshikëzës së tëmthit (kolecistit) dhe për tretjen e gurëve të tëmthit (kolelitiazë). Ndërmjet bimëve që përdorën në familje për mjekimin e sëmundjeve të mëlçisë e të rrugëve të tëmthit rezultate të mira ka dhënë mendra e butë, e cila mund të përdoret për një kohë të gjatë dhe pa shkaktuar veprime të padëshirueshme anësore.

Kurat popullore
Midis bimëve që nxisin zbrazjen e fshikëzës së tëmthit këshillohet akja. Lulet e akes përmbajnë haterozide flavonike, karoten, vitaminë C, derivatin kumarinik herniarinë, pigmentin kinonik helikrisinë, fitoncide, substanca të hidhura e tanike, pak esencë etj, dhe kanë veti bakteriostatike, të nxisin prodhimin e tëmthit, urinimin, veti spazmolitike etj. Ato rekomandohen për të shtuar rrjedhjen e tëmthit dhe për të tretur gurët e fshikëzës së tëmthit. Bari shërues bimorë i përzier edhe me pelin e me bar pezmin bëhet më i dobishëm për prodhimin e tëmthit.

Angjinarja
Në sajë të cinarinës, glukozideve A dhe B, substancave flavonike të ndryshme etj. Gjethet e angjinares përdoren kryesisht në sëmundjet e mëlçisë dhe të veshkave. Gjethet nxisin prodhimin e tëmthit dhe zbrazjen e tij dhe përdoret kundër pezmatimit të rrugëve të tëmthit, vepron në metabolizmin e kolesterinës dhe të uresë dhe nxit urinimin (jashtëqitjen e klorureve dhe uresë).

Pelini
Në sajë të substancave të hidhura dhe të esencës, pelini përdoret si mjet që shton rrjedhjen e lëngut të stomakut (duke përmirësuar oreksin) dhe përmirëson punën e mëlçisë. Esenca e pelinit përmban azulen me veti antiseptike, të ngjashme me kamazulanin e lulës së kamomilit. Duhet pasur parasysh se, në sajë të përbërësve të tjerë të esencës, siç janë tujoli, pelini, në doza të mëdha, është i helmët dhe mund të dëmtojë trurin dhe të shkaktojë dridhje. Gjitashtu, ai nuk duhet pë përdoret nga gratë shtatzëna.

Rrepa
Rrënjët e freskëta të rrepës përmbajnë esencë me squfur rafamol etj. Krahas vitaminës C, ato përmbajnë edhe faktorin B, edhe substanca fitonciale. Ato nxisin formimin e tëmthit dhe urinimin. Njëkohësisht me tharjen e rrënjës pakësohet edhe veprimi i saj. Rrënjët e rrepës, përdoren si mjet koleretik kundër gurëve të tëmthit kur fillon ripezmatimi i fshikëzës përkatëse, si dhe për të lehtësuar tretjen e ushqimeve. Substancat (materiet) vepruese të rrepës, pasi përthithen nga trakti tretës ngacmojnë lehtë mëlçinë dhe në këtë mënyrë, shtojnë rrjedhjen e tëmthit. Këto substanca, në doza të vogla, nxisin prodhimin e tëmthit në mëlçi dhe për pasojë, shtojnë pezmatime, prandaj nuk zbatohen në doza të larta, kur mëlçia është e dëmtuar. Në gurët e tëmthit, rrepa këshillohet vetëm për një kohë të caktuar dhe në doza të vogla.

MËLÇIA
Mëlçia bën pjesë në funksionin e shumë organeve vitale që janë qenësore për shëndetin. Prandaj është me rëndësi që ndaj mëlçisë të veprohet mirë dhe të bëhen përpjekje që të ruhet. Meqë luan rol të madh në procesin e tretjes, kujdesi për mënyrën dhe zgjedhjen e ushqimit kërkon syçeltësi të madhe.

Si t’ia lehtësojmë punën
Që të mos e ngarkojmë së tepërmi dhe që t’i mundësojmë punë të mirë duhet t’ia lehtësojmë detyrën. Përparësi duhet dhënë artikujve ushqimorë që treten lehtë, duhet shmangur shujtat e ngarkuara, e ushqimin duhet shpërndarë në shujta të rregullta gjatë tërë ditës: kafjalli i pasur, dreka dhe darka e lehtë, zëmra gjatë paradites dhe pasdites (më së miri pemë ose jogurt).
Ushqim i llojllojshëm dhe me masë
Të sëmurët nga mëlçia duhet t’i kushtojnë kujdes të madh mënyrës së të ushqyerit. Nuk ka nevojë për viktimizime të mëdha, por mjafton që të ushqyerit të jetë i llojllojshëm, me masë dhe me kalori që i përgjigjen nevojave të trupit dhe punës që kryejmë. Problemet me tretjen do t’i evitojmë nëse e pakësojmë marrjen e yndyrave, posaçërisht ato të sallameve dhe djathërave. Këto lloje të ushqimeve duhet konsumuar vetëm kohë pas kohe. Edhe prodhimet nga qumështi janë burim i rëndësishëm i yndyrave: djathërat, sidomos djathi i vjetër nuk duhet të jetë pjesë e shujtës. Qumështin me pak yndyrë duhet zëvendësuar me atë të payndyrë.

Funksionet e mëlçisë
– Mëlçia e zezë është gjëndër e madhe, e cila shpesh quhet edhe laborator biokimik i organizmit, sepse kryhen një seri shërbimesh (funksionesh) të rëndësishme.
– Përpunon dhe shndërron një seri substancash ushqimore, si sheqernat proteinat e yndyrat.
– Sekreton dhe nxjerr në zorrë lëngun e tëmthit, i cili ndikon në tretjen e ushqimit dhe në lëvizjen e zorrës.
– Nxjerr në gjak prodhimet e nevojshme që ndikojnë në normalizimin e proceseve të organizimit

Ushqimet që kurojnë dhe dëmtojnë mëlçinë:
– Përdorimi i 20-40 gramëve alkool në ditë dëmton mëlçinë.
– Mosha është një ndër faktorët kryesorë të dëmtimit të mëlçisë, pasi sa më e vogël që të jetë mosha e konsumatorëve të alkoolit aq më të rënda janë dëmtimet.
– Predispozicioni gjenetik është një ndër faktorët kryesorë të shfaqjes së sëmundjes.
– Këshillohet konsumimi i produkteve të mishit.
– Këshillohet përdorimi i rrepave të kuq, lakrës së kuqe dhe brokulës.
– Këshillohet të mos pihen shumë kafe gjatë ditës, të mos konsumohet birra dhe lëngjet me gaz.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here