Home Kulture “Takimi mes Enver Hoxhës dhe Stalinit dhe ç’biseduan për incidentin e Kanalit...

“Takimi mes Enver Hoxhës dhe Stalinit dhe ç’biseduan për incidentin e Kanalit të Korfuzit”

2076
0

Në Panairin kombëtar të librit në Pallatin e Kongreseve, në stendën e Shtëpisë Botuese “Toena” është prezantuar libri i ri i historianit Paskal Milo “Të vërtetat e fshehura. Incidenti i Kanalit të Korfuzit”. Për herë të parë paraqitet historia e plotë e këtij incidenti, në dritën edhe të dokumenteve të reja të cilat janë grumbulluar nga arkivat shqiptare dhe ato të huaja.Incidenti që ndodhi në 22 tetor 1946 në ujërat territoriale të Shqipërisë në Kanalin e Korfuzit argumentohet nga autori si një përgjegjësi e dyanshme: britanike e shqiptare. Ka një përgjegjësi britanike sepse anijet luftarake të Anglisë bënë një kalim jo paqësor në ujërat territoriale shqiptare për të ushtruar presion mbi Qeverinë shqiptare të kohës, për të parë “nëse ajo kishte mësuar të sillej”. Por ka edhe një përgjegjësi shqiptare, tashmë të provuar plotësisht në libër, për vendosjen e minave, në bashkëpunim me Shtatmadhorinë jugosllave, në ujërat territoriale shqiptare pa njoftuar, si rezultat i të cilave u vranë 44 marinarë britanikë. Pas këtij Incidenti marrëdhëniet shqiptaro-britanike u acaruan shumë dhe Qeveria angleze u ankua në Këshillin e Sigurimit në OKB, i cili me një rezolutë të posaçme u rekomandoi të dy palëve që ta çonin çështjen para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në Hagë. Qeveria britanike e dorëzoi kërkesën e saj në Gjykatë në maj 1947 dhe ishte në pritje se çfarë do të bënte Shqipëria.

Nga Profesor Paskal Milo Makthi i minave
Qeveria shqiptare jetonte në dilemat e saj. Ajo ende nuk kishte vendosur se çfarë do të bënte dhe dëshironte të fitonte sa më shumë kohë për tu përgatitur. Në konsultime të ngushta me Moskën e Beogradin ajo po e bënte gati dosjen për në Hagë, por pa u shprehur ende publikisht. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dy herë, në 18 qershor e 7 korrik 1947 i dërgoi Qeverisë shqiptare dy letra përkujtesë, në të cilat nënvizonte detyrimin e saj për të kthyer një përgjigje ndaj ftesës për tu paraqitur në gjyq mbi bazën e Kërkesës britanike. Vonesa e Qeverisë shqiptare përveç arsyeve teknike që lidheshin me përgatitjen e mbrojtjes e formimin e ekipit që do të përfaqësonte në Hagë, kishte edhe një arsye të veçantë: ajo kërkonte të zhdukte çdo provë në lidhje me vendosjen e minave në bregdetin shqiptar e veçanërisht në ujërat territoriale në Kanalin e Korfuzit.  Gjykata Ndërkombëtare do të kërkonte prova ndaj akuzës britanike dhe normalisht do të bëntë atë që ajo bëri pak më vonë kur filloi gjykimi i konfliktit shqiptaro-britanik në Hagë, dërgimin e ekspertëve për të vëzhguar në vend e për të vërtetuar ose jo përgjegjësinë e autoriteteve shqiptare në vendosjen e minave. Qeveria shqiptare në dyshimet dhe supozimet e saj shkonte edhe më tej. Ajo frikësohej se mbështetur në vendimin e 5 nëntorit 1945 të Bordit Zonal Mesdhetar për pastrimin e minave, sipas të cilit ishte vendosur që Greqia do të ishte përgjegjëse për pastrimin e ujërave territoriale shqiptare në Kanal, mund të bëhej një operacion tjetër kërkimi e çminimi në gjirin e Sarandës e mund të gjendeshin minat e tjera të mbetura aty, të cilat do të shërbenin si prova të reja për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Për të shmangur këtë rrezik Qeveria shqiptare e përqendroi veprimtarinë e saj diplomatike pas rezolutës së 9 prillit të Këshillit të Sigurimit në dy drejtime: së pari, në anullimin e vendimit të Bordit Zonal Mesdhetar që kishte caktuar Greqinë për pastrimin e ujërave territoriale shqiptare nga minat dhe anëtarësimin e Shqipërisë në këtë Bord dhe së dyti, në ardhjen sa më të shpejtë të dragaminave jugosllave për të hequr minat e tjera që ekzistonin në ujërat territoriale shqiptare, përfshirë edhe në ato të Kanalit të Korfuzit që ishin vendosur në fillim të vjeshtës 1946.Anëtarësimi i Shqipërisë në Bordin Zonal Mesdhetar dhe për rrjedhojë marrja vetë e përgjegjësisë për pastrimin e minave në ujrat territoriale shqiptare ishte diskutuar gjatë vitit 1946 e në janar të vitit 1947 edhe në Bordin Qendror Ndërkombëtar për pastrimin e minave me seli në Londër. Por propozimet sovjetike e jugosllave në këtë Bord ishin hedhur poshtë me këmbënguljen e përfaqësuesit britanik me pretekstin se Shqipëria nuk kishte mjete për pastrimin e minave. Në 16 prill 1947 përfaqësuesi britanik në Bordin Qendror Ndërkombëtar përsëri kishte kundërshtuar anëtarësimin e Shqipërisë duke thënë se “çështja e pastrimit të ujrave territoriale shqiptare ishte shqyrtuar në rrethet qeveritare dhe si rrjedhim aktualisht nuk duhet të diskutohet në Bord”.Qeveria shqiptare ishte thellësisht e shqetësuar dhe të gjitha shpresat i kishte varur në mbrojtjen sovjetike e jugosllave. Por në Beograd kishin kujdes të madh për të mos u ekspozuar në veprime që mund t’i shtonin edhe më tepër dyshimet që ekzistonin rreth vendosjes së minave nga ana e tyre. Prandaj edhe kërkesat e vazhdueshme të Tiranës në Beograd për të hequr minat deri në fillim të majit 1947 nuk ishin plotësuar. Në 3 maj Ambasadori sovjetik në Tiranë D.Çuvahin përcolli në Moskë përmbledhjen e bisedës me Hysni Kapon, zëvendës ministër i jashtëm: “Hysni Kapo deklaroi se, Qeveria shqiptare në mënyrë të përsëritur ka ngritur çështjen para jugosllavëve mbi domosdoshmërinë e zgjidhjes së çështjes mbi fatin e mëtejshëm të 20-25 minave në rajonin e Sarandës, të vendosura gjatë vitit të kaluar me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave. Tani për tani jugosllavët, sipas fjalëve të bashkëbiseduesit tim, heshtin dhe siç duket, as vetë nuk dinë si të veprojnë në këtë rast. Kapo theksoi se, çështja e qëndrimit të mëtejshëm të minave në ujrat e Sarandës është delikate dhe duhet zgjidhur në marrëveshje me Beogradin, sepse nëqoftëse shtrohet problemi për nxjerrjen e tyre, në këtë rast pa ndihmën e jugosllavëve, shqiptarët nuk do të mundnin. Është e dëshirueshme,- theksoi Kapo-, që jugosllavët të konsultohen me Moskën përpara se të merret ndonjë vendim, me qëllim që të mos bëhen gabime në këtë çështje”. Në Moskë shqetësimi shqiptar u mor me shumë seriozitet. Çështja për të shkuar Shqipëria ose jo në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë u diskutua në nivel të lartë politik duke tërhequr përpara edhe mendimin e ekspertëve të Flotës ushtarako-detare sovjetike si dhe të anëtarit të vetë në Gjykatën e Hagës, sovjetikut Krillov. Ky i fundit kishte shprehur mendimin se Shqipëria kishte leverdi për të pranuar rekomandimin e Këshillit të Sigurimit. Në 13 maj Drejtoria përkatëse, pasi kishte marrë edhe mendimin e Krillovit, i rekomandoi zëvendës ministrit të jashtëm Vishinski pranimin e tij. Argumentat që radhiteshin në favor të këtij qëndrimi ishin se refuzimi nga Shqipëria i rekomandimit të Këshillit të Sigurimit do të shërbente për anglezët dhe amerikanët si një motiv tjetër për të sulmuar Shqipërinë dhe do të vështirësonte në të ardhmen çështjen e pranimit të saj në OKB. Një arsye tjetër ishte se Shqipëria kishte pranuar dy herë detyrimin për t’iu bindur Këshillit të Sigurimit. Diplomatët e Ministrisë së jashtme sovjetike konkludonin se “nuk mund të thuhet me saktësi që anglezët do e fitojnë çështjen” dhe se “Anglia vështirë se do e provojë fajësinë e Shqipërisë”. Në fund ata sugjeronin që Shqipëria nuk duhet të ndërmarrë iniciativën për t’iu drejtuar gjyqit, por të presë çastin kur anglezët të drejtohen vetë në Gjykatën Ndërkombëtare dhe vetëm pastaj të japë pëlqimin për shqyrtimin e çështjes”.Vishinski e quajti me rëndësi e të nevojshme që kjo çështje të diskutohej me Molotovin i cili në 18 maj ra dakort me propozimin e zëvendësit të tij. Pas këtij diskutimi u vendos që t’i sugjerohej Qeverisë shqiptare që të pranonte të shkonte në Gjykatën Ndërkombëtare, por të mos përgjigjej ende zyrtarisht veçse atëhere kur të ishin bërë të gjitha përgatitjet e duhura, përfshirë edhe heqjen e minave nga dragaminat jugosllave në ujrat territoriale shqiptare. Qeveria shqiptare u furnizua duke filluar nga 10 qershori, por edhe në 13 gusht e 20 nëntor 1947 me të dhëna teknike e materiale të tjera për Incidentin mbi bazën e një liste të gjatë kërkesash që ishin formuluar më parë po në Moskë me porosi të zëvendës ministrit të jashtëm Gromiko për të përgatitur dosjen për gjyqin e pritshëm. Veç porositej Çuvahini që tu thoshte shqiptarëve “që kur t’i përdornin këto të dhëna, të mos i referoheshin burimit nga i morën”. Pas diskutimit Molotov-Vishinski ndër të tjera iu dha porosi Ambasadorit sovjetik në Londër G.N.Zarubin që të ndërhynte përmes një letre te Sekretari i jashtëm Bevin për çështjen e pranimit të Shqipërisë në Bordin Zonal Mesdhetar për pastrimin e minave që dukej qartazi se pengohej nga Britania e Madhe. Në 31 maj, Zarubin e dërgoi letrën në Forin Ofis në të cilën e quante jo korrekt qëndrimin e përfaqësuesit britanik në Bordin Qendror Ndërkombëtar për pastrimin e minave në lidhje me kërkesën e Shqipërisë. Ai kërkonte në emër të Qeverisë sovjetike që Qeveria britanike ta udhëzonte përfaqësuesin e saj për të shqyrtuar e pranuar propozimin për të ftuar Shqipërinë për të punuar në Bordin Zonal Mesdhetar dhe për t’i përjashtuar ujrat territoriale shqiptare nga rajoni i përgjegjësisë greke për pastrim. Kërkesa sovjetike vuri në lëvizje Forin Ofisin për të kthyer përgjigje. Për këtë u kërkua edhe bashkëpunimi me Admiraliatin i cili përgjigjen për letrën e Ambasadorit sovjetik e lidhte ngushtë me efektin që ajo mund të kishte në marrëdhëniet e përgjithshme britanike me shqiptarët, dhe veçanërisht në çështjen e Kanalit të Korfuzit. Admiraliati sugjeronte gjithashtu se në rastin kur kjo kërkesë mund tu ishte bërë edhe Qeverive të SHBA e të Francës, ishte e nevojshme që përgjigjet të koordinoheshin midis të tre qeverive.Sekretari i jashtëm britanik, Bevin e ktheu përgjigjen me dy muaj vonesë, në fund të korrikut. Ajo ishte përgatitur me shumë kujdes dhe me mesazhe që lidheshin drejtëpërsëdrejti me gjykimin e çështjes nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Në letrën për Zarubinin, Bevini sillte dy arsye për të justifikuar mungesën e ftesës për Shqipërinë në Bordin Zonal Mesdhetar: e para, se Shqipëria nuk kishte forca minapastruese dhe e dyta, se nuk kishte pasur mina për tu pastruar në ujrat territoriale shqiptare duke nënkuptuar operacionet që ishin bërë në këto ujra në vjeshtë 1944 dhe shkurt 1945.Kërkesës për të përjashtuar ujrat territoriale shqiptare nga zona 18A e caktuar për pastrimin e minave nga Greqia, Bevini iu përgjigj se Bordi e dinte se nuk kishte mina në këto ujra dhe anijet greke nuk synonin të vepronin atje. Megjithatë theksonte ai, Qeveria britanike ishte e gatshme nëse dëshironte Qeveria sovjetike që të udhëzonte kryetarin e Bordit Zonal Mesdhetar që të propozonte një amendament për përjashtimin e Shqipërisë nga zona 18A. Me nota të holla ironie diplomatike në letër thuhej se në rast se autoritetet shqiptare dëshirojnë të ndihmojnë në pastrimin e minave, ato duhet t’i drejtohen Bordit Qendror Ndërkombëtar, i cili, për të gjykuar kërkesën shqiptare duhet të informohet për karakterin, organizimin dhe efektivitetin e forcave minapastruese me të cilat dëshirojnë të kontribuojnë. Gjithashtu, pranimi i Shqipërisë sipas opinionit të Qeverisë britanike do të kërkonte pëlqimin e të katër Fuqive që përbënin Bordin Qendror, por do të ngrinte edhe çështjen e akordimit të të njëjtit status edhe vendeve të tilla si Egjipti, Spanja e Turqia.Në fund të letrës që ishte edhe thelbi i saj, Bevini vinte kushtin që Qeveria britanike do të binte dakort me pranimin e Shqipërisë në Bordin Zonal Mesdhetar menjëherë sapo autoritetet shqiptare do të tregojnë vullnetin e tyre për të pranuar standartet e sjelljes ndërkombëtare “duke u pajtuar me Rekomandimin e Këshillit të Sigurimit për të pranuar juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në konfliktin aktual me këtë vend rreth përgjegjësisë për minat në Kanalin e Korfuzit”. Gati në të njëjtën kohë që Bevini i dërgoi letrën e përgjigjes Zarubinit, në Tiranë Qeveria shqiptare bëri publike se tre dragamina jugosllave në muajin qershor kishin ardhur në Shqipëri dhe kishin kontrolluar rrugët MEDRI 17/1 dhe 17/2 dhe nuk kishin gjetur asnjë minë e për rrjedhojë ato konsideroheshin të sigurta e të vlefshme për lundrim. Ishte mëse e kuptueshme se kjo “transparencë publike” e Qeverisë shqiptare synonte të mbulonte heqjen e minave nga ujrat territoriale shqiptare për të cilat ajo kishte muaj që kërkonte ndihmën jugosllave dhe që në fund vetëm pas ndërhyrjes së Moskës në Beograd, Shtatmadhoria jugosllave dërgoi tre dragaminat e saj në Shqipëri. Në të vërtetë, këto dragamina që kishin ardhur në 24 qershor pastruan minat në gjiret e Durrësit e të Vlorës dhe marrëveshja ishte që të kryenin operacione pastrimi edhe në ujrat e bregdetit jugor deri në Sarandë. Por në 25 korrik Gjeneral majori jugosllav Hamoviç i kërkoi kryetarit të Shtatmadhorisë shqiptare Mehmet Shehut që dragaminat jugosllave të mos shkonin përtej ujrave të portit të Vlorës deri në një urdhër të dytë. Arsyeja ishte se jugosllavët nuk dëshironin të kompromentoheshin duke u angazhuar në pastrimin e minave që ata kishin vendosur vetë në bregdetin jugor të Shqipërisë, në një kohë që përgatitej të fillonte Gjyqi i Hagës. Ata nxitonin madje që të largonin sa më shpejtë edhe personelin jugosllav të dragaminave dhe t’i linin ato në duart e shqiptarëve që po stërviteshin për tu aftësuar e për t’i marrë ato në dorëzim.
Që Beogradi kërkonte të rrinte larg zjarrit që kishte ndezur vetë me vendosjen e minave e dëshmojnë edhe fakte të tjera. Në 30 maj Ambasadori jugosllav në Moskë Vl.Popoviç takoi Ministrin shqiptar Mihal Priftin dhe i hapi ndër të tjera bisedën për çështjen e Kanalit të Korfuzit. Për këtë takim në 5 qershor Prifti i shkruan Enver Hoxhës së çfarë i tha Ambasadori jugosllav: “Pikpamja e qeveris s’ime nga sa duket në marrveshtje me atë tuajën, është që Qeveria shqiptare të mos pranoj që çështja të shkoj në gjyqin ndërkombëtar dhe të vendoset prej tij, sepse atje do të ngeli në duartë e reaksjonarëve dhe do të vendosin si të duan ata vet, por t’insistoi që kjo çështje të parashtrohet Asamblesë së Përgjithshme të UNO-s dhe të përfundohet prej saj. Në lidhje me këtë, para tre ditëve jam lajmëruar nga Beogradi që të ndërhyjë pranë Qeverisë sovjetike për të çfaqur edhe ajo pikëpamjen e vet… Është mirë të shkosh edhe ti në Ministrinë e Jashtëme e të kërkosh prej tyre që të shpejtojnë mendimin e tyre mbi këtë çështje, duke ju thënë se pikëpamja e Qeverisë sate është njësoj me këtë të Beogradit.

Takimi i parë Hoxha – Stalin. Rrëfimi për incidentin
Në kulmin e përgatitjeve për t’i kthyer përgjigje Gjykatës për pranimin ose jo të juridiksionit të saj, Enver Hoxha në krye të një delegacioni zyrtar qeveritar në mesin e korrikut 1947 u ftua për vizitë në Moskë. Udhëheqësi shqiptar kishte dashur me kohë të vizitonte Bashkimin Sovjetik. Ai ishte adhurues i madh i Stalinit e u bë një nga dishepujt më të mëdhenj e më besnikë të tij. Por siç edhe e ka pohuar shumë vite më vonë vetë Hoxha, ai kishte mbetur i zhgënjyer që nuk kishte shkuar më shpejt e në vend të tij ishin ftuar Koçi Xoxe e udhëheqës të tjerë shqiptarë. Në atë kohë ai këtë pezmatim ia kishte shfaqur edhe Ambasadorit sovjetik në Tiranë Çuvahin, por nuk e dinte se pengesë për të ishte bërë Tito, që kishte shprehur opinione jo të mira për të tek Stalini, por që edhe vetë ky i fundit ka hezituar për ta pritur. Enver Hoxha nuk kishte si ta dinte gjithashtu në atë ditë korriku kur zbriti në aeroportin Vnukovo të Moskës se sovjetikët edhe tani e kishin pyetur Titon dhe ky më në fund e kishte dhënë “lejen”.
Hezitimi për të ftuar Enver Hoxhën në Moskë ishte i dukshëm edhe në një aspekt tjetër: si do të shkonte ai atje, në mënyrë legale apo të fshehtë. Kjo çështje ishte biseduar midis Moskës dhe Beogradit. Sovjetikët kishin propozuar që nga Tirana në Beograd Hoxha të shkonte legalisht, ndërsa nga Beogradi në Moskë ilegalisht dhe po kështu të kthehej përsëri në kryeqytetin jugosllav. Lideri shqiptar nuk mund të ishte dakort për një vizitë të tillë, ai kishte nevojë për takime zyrtare e publike jo vetëm për sedër, por se edhe i duhej publiciteti në këto momente të vështira. Hoxha i kishte kërkuar Ministrit të ri shqiptar në Beograd Tuk Jakovës që ta bisedonte këtë çështje me A.Rankoviçin. Ky i fundit sipas raportimit që Jakova i bënte Hoxhës në 10 qershor 1947 “e gjeti me vënd propozimin tonë qi të veni legalisht. Më siguroj qi do t’i komunikonte me një herë Partisë Bolshevike dëshirën e Komandantit” (kështu thirrej Enver Hoxha edhe pas Luftës – shën.im P.M Historia e vizitës së parë të kryetarit të Qeverisë shqiptare në Moskë është histori më vete, siç është e tillë edhe çështja e marrëdhënieve Hoxha-Tito-Stalin. Interesi në këtë rast është të shihet se si u trajtua çështja e Incidentit të Kanalit të Korfuzit në takimin zyrtar të Enver Hoxhës me Stalinin e Molotovin e udhëheqësit e tjerë sovjetikë. Për fat të keq deri tani nuk ka burime dokumentare shqiptare që të pasqyrojnë bisedimet e zhvilluara në Moskë të Enver Hoxhës me Stalinin e Molotovin. Ato edhe nëse kanë ekzistuar ishin përqendruar si shumë dokumente të tjera, që kishin të bënin me E.Hoxhën e marrëdhëniet e tij me Titon, Stalinin e të tjerë, në arkivin e ish Komitetit Qendror të PPSH. Ka shumë të ngjarë që dokumentet arkivore të një rëndësie të veçantë si më sipër të jenë asgjësuar ose përvetësuar nga persona privatë.Të vetmet burime për t’iu referuar asaj çfarë është biseduar në Moskë për Incidentin që janë të njohura deri tani është libri i Enver Hoxhës “Me Stalinin”, Kujtime,- shënimet e tij personale nga ky takim, si dhe procesverbali i bisedës së tij me Molotovin në 15 korrik 1947 i gjendur në arkivin e Ministrisë së Punëve të jashtme të Rusisë e i botuar jo i plotë. Shumë pak për një takim kaq të rëndësishëm. Në Kujtimet që ka lënë për takimet me Stalinin në korrik 1947 , veçanërisht për takimin e parë zyrtar në 16 korrik, Hoxha flet në detaje për çështjet e biseduara, të cilat mbështeten në shënimet vetjake. Por për aq sa shkruan se i ka folur Stalinit për Incidentin e Kanalit të Korfuzit, tregimi nuk duket kaq i vërtetë, por kontradiktor me faktet e logjikën e thjeshtë. Ai i thotë Stalinit se Incidenti “u krijua kokë e këmbë nga anglezët për të provokuar vendin tonë dhe për të gjetur pretekstin e ndërhyrjes ushtarake në qytetin e Sarandës. Ne nuk kemi pas vendosur kurrë mina në Detin Jon. Ato që shpërthyen, ose kishin qenë vendosur nga gjermanët që në kohën e luftës, ose qenë vënë qëllimisht më vonë prej anglezëve që t’i shpërthenin në kohën kur disa anije të tyre të ndodheshin në ujrat tona territoriale në drejtim të Sarandës”.Në shënimet personale që ndodhen në arkiv, në copa letre të vogla e me bojë të zezë mbi bazën e të cilave ai i ka folur Stalinit ka fraza të tilla telegrafike: “çështja e Sarandës në UNO”, ku nënkuptohet diskutimi i Incidentit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Dy fraza të tjera të shkurtra janë: “Gjyqi Ndërkombëtar i Hagës” dhe “Perspektiva dhe qëndrimi jonë i ardhshëm. Çështja e gjyqit ndërkombëtar” që u referohen mendimeve që Hoxha ka shprehur për këtë çështje, por edhe këshillat që ka kërkuar. Aty ka fjali të tjera që dëshmojnë për përmbajtjen e bisedimeve si “Bregdeti dhe fortifikimet”, “Çështja e Sazanit dhe e Vlorës”, “Çështja e mbrojtjes së kufijve tanë në përgjithësi”..Enver Hoxha nuk mund të fliste me Stalinin në një bisedë zyrtare e aq më tepër konfidenciale me gjuhën që ishte gjuha publike e fjalimeve dhe e deklaratave të kohës, siç citohet në Kujtime. Hoxha e dinte që Stalini ishte i mirëinformuar nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë për të vërtetën se kush i kishte vënë minat dhe nuk do të guxonte t’i shkonte në mendje që t’ia fshihte atë zotit të Kremlinit e atit të tij shpirtëror. Në këtë kohë çështja e Incidentit të Kanalit të Korfuzit ishte një patate e nxehtë në dorën e Qeverisë shqiptare, ajo i kishte kërkuar ndihmë Moskës para korrikut që të ndërtonte alibinë e mbrojtjes në Këshillin e Sigurimit e në Gjykatë. Për më tepër Enver Hoxha një ditë më parë e kishte biseduar çështjen me Molotovin dhe kishte pranuar përgjegjësinë e Qeverisë shqiptare. Në shënimet që lideri shqiptar ka mbajtur nga ato që ka thënë Stalini në këtë takim nuk rezulton se çfarë mund t’i ketë dhënë si porosi të drejtëpërdrejtë për çështjen e Incidentit. Por shefi i Kremlimit nga raportimi i Hoxhës ka kuptuar se ai jetonte me frikën e ndërhyrjes anglo-amerikane. Dhe për ta qetësuar e siguruar i ka thënë disa fjalë që ndodhen në këto shënime: “Amerikanët dhe Inglezët megjithë veshtirësi e pengesat që ju bëjnë nuk mund tju sulmojnë. Ato janë shantanzhe e kërcënime. Drejt për drejt ato të zbarkojnë në ju, nuk mund të bëhet, mos kini frikë, por me anë të grekëve ata do tju provokojnë për tju çarë kokën”. Në fakt këto fjalë të perifrazuara kanë zënë vend në Kujtime. Por edhe ish Ambasadori sovjetik në Tiranë. D.Çuvahin, që ishte i pranishëm në takim, në kujtimet që ka lënë për vitet e shërbimit të tij të gjatë diplomatik (1946-1952) në Shqipëri, nuk përmend fare çështjen e Incidentit. Në përgjithësi kujtimet e tij janë të dobëta, hermetike dhe nuk reflektojnë fare ato informacione interesante që ai ka dërguar gjatë viteve të shërbimit të tij diplomatik në Tiranë në Ministrinë e jashtme të Bashkimit Sovjetik.
Burimi autentik që ndriçon pjesërisht të vërtetën e bisedimeve në Moskë me udhëheqësit sovjetikë, është procesverbali sovjetik i takimit të Enver Hoxhës me Molotovin në 15 korrik pasdite. Varianti origjinal i këtij procesverbali që ndodhet në Arkivin e Ministrisë së jashtme të Rusisë, kur është botuar në një përmbledhje ruse dokumentesh nga arkivat ruse për Evropën Lindore në vitin 1997, është shkurtuar dhe është hequr, jo pa qëllim, pjesa ku Enver Hoxha dhe Molotovi flasin për Incidentin e Kanalit të Korfuzit. Në procesverbal citohet Enver Hoxha të ketë thënë se “Qeveria shqiptare nuk dëshiron të ndërmarrë asgjë pa konsultime me Qeverinë sovjetike dhe Qeverinë e Jugosllavisë. Qeveria shqiptare nuk e ka harruar atë ngjarje të pakëndshme, kur ajo, pa konsultime me Moskën, mori vendimin për çështjen e minimit të ujrave shqiptare”. Kjo çështje,-thuhet më tej në procesverbal,-“ndodhet tani në shqyrtim në Gjykatën Ndërkombëtare dhe Enver Hoxha dëshiron, në lidhje me këtë, këshilla nga Molotovi, se çfarë qëndrimi duhet të mbajë Shqipëria për çështjen në fjalë”. Në procesverbal ku pjesën më të madhe e zë biseda për gjendjen në Greqi dhe për marrëdhëniet me Jugosllavinë nuk ka shënime që për Incidentin të jetë shprehur Molotovi, apo të ketë dhënë këshilla, siç edhe i kërkoi Enver Hoxha. Ai në fund të bisedës ka thënë se për çështje të tjera do të bisedohet përsëri. Molotovi nuk ka dashur të shprehet para Stalinit për Incidentin dhe për disa çështje që ai i ka gjykuar si delikate dhe ka preferuar që fjalën vendimtare t’ia linte shefit të tij që e dinte mirë se çfarë donte e si mund të fliste. Molotovi që në fillim të bisedës i tha Enver Hoxhës së cilat ishin çështjet që dëshironte të ngrinte në takim, sepse ai do të njoftonte për ato Stalinin.Është jashtë çdo dyshimi, pavarësisht se mungojnë ende referencat e drejtëpërdrejta se Stalini, Molotovi dhe udhëheqës të tjerë sovjetikë i kanë dhënë këshilla Enver Hoxhës se si do të vepronte më tej me çështjen e Incidentit dhe me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Mbështetja e fuqishme diplomatike dhe teknike që mori Qeveria shqiptare për tu mbrojtur në Hagë pas vizitës së liderit shqiptar në Bashkimin Sovjetik ishte dëshmia më e mirë se çfarë ishte biseduar dhe si ishte këshilluar ai nga Stalini. Nuk ishte e rastit që në 23 korrik, kur Enver Hoxha vazhdonte ende vizitën në Bashkimin Sovjetik dhe gati një javë pasi kishte takuar Stalinin, Qeveria shqiptare dorëzoi te Regjistruesi i Gjykatës Ndërkombëtare përgjigjen e saj. Vonesa ishte e kuptueshme po të kihet parasysh se përgjigja e Qeverisë shqiptare mbante datën 2 korrik dhe se në 9 korrik Hysni Kapo, zëvendës ministri i jashtëm, e kishte njoftuar Regjistruesin e Gjykatës se kjo përgjigje do të dërgohej me ndërmjetësinë e Legatës shqiptare në Paris dhe se, si Agjent ishte caktuar K.Ylli, Ministër i kësaj Legate.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here