Kryeministri çek Petr Necas kërcënon Shqipërinë me bllokim për në Bashkimin Europian, pas vendimit për t’i hequr licencën kompanisë CEZ.
Në një intervistë të dhënë sot për Fox Business, kryeministri çek ka thënë se heqja e licencës së CEZ do të thotë një trajtim jo i mirë i investitorëve të huaj, ndërsa vendi humb shanset për të pasur mbështetjen e Çekisë në BE.
“Republika Çeke nuk mund të injorojë qasjen e Shqipërisë ndaj një investitori çek në kuadër të aspiratave të Shqipërisë për t’u integruar në BE”, tha Petr Necas.
Sipas tij, “Autoritetet shqiptare kanë dhënë një sinjal shumë negativ me revokimin e licencës së CEZ, një investitor i madh çek në rajon”.
Kryeministri çek, gjatë fjalës së tij ngriti dyshime mbi angazhimin që Shqipëria ka për zbatimin e ligjit. “Ky veprim, i cili i heq CEZ të drejtat e shpërndarjes së energjisë elektrike, si kompania më e madhe e shpërndarjes së energjisë në vend, hedh dyshime mbi angazhimin që Shqipëria ka në zbatimin e ligjit dhe shpresat e saj që një dite të hyjë në Bashkim Evropian”, ka shtuar ai.
Vendimi për t’i hequr CEZ-it licencën e shpërndarjes së energjisë elektrike, u mor ditën e hënë nga autoritetet shqiptare. Kompania çeke CEZ i ka shkaktuar vendit një dëm prej 1 miliard dollarësh për dështimin në importin e energjisë elektrike dhe mosinvestimin në rrjetin elektrik të vendit, akuza këto të mohuara nga CEZ.