Home Politike Zv. ministrja e shkarkuar: “Pres te sqarohem me Kryeministrin”

Zv. ministrja e shkarkuar: “Pres te sqarohem me Kryeministrin”

731
0

bejko-dianaZv.ministrja e Mjedisit, Diana Bejko, e liruar nga detyra dy ditë më parë nga Këshilli i Ministrave, shprehet se nuk është debitore me asnjë qindarkë ndaj OSSHE-së dhe se është në pritje të takimit me Kryeministrin për ta sqaruar për këtë shkarkim. Ajo shprehet se Kryeministrin e kanë keqinformuar qëllimisht për një të pavërtetë.

Ju jeni liruar nga posti i zv.ministres së Mjedisit se ishit debitore e energjisë elektrike. Si është e vërteta?
Jam në pritje të takohem me Kryeministrin që t’i sqaroj pozicionin tim. Unë nuk kam pasur asnjë qindarkë debit për energjinë e konsumuar ndaj OSSHE-së. Do t’i paraqes Kryeministrit të gjitha dokumentet, letrat, faturat që kam dhe do t’i sqaroj të gjithë situatën e krijuar. Deri tani nuk e kam takuar sepse ka qenë shumë i angazhuar dhe me takime jashtë shtetit.
Lirimin nga detyra jua ka komunikuar vetë Kryeministri, apo e morët vesh nga mediat?
Jo, jo, e mora vesh nga media. Kam parë lajmin në media. Menjëherë u interesova në media se çfarë është ky lajm, kush e ka nxjerrë. Më thanë se na ka ardhur ky lajm. U kam thënë se ky lajmi nuk ka asgjë të vërtetë sa i takon debisë sime ndaj OSSHE-së dhe si e tillë deklaroj nën përgjegjësinë time që nuk kam asnjë qindarkë borxh ndaj entit të energjisë.
Një ditë më parë mediat kanë pasur një shumë të papaguar prej jush, 1200 lekë të rinj, të cilat u bënë shkak për lirimin tuaj nga detyra. Ky ka qenë debiti juaj?
Jo, nuk e kam pasur të papaguar këtë shumë. Por e kam riparuar, kam riparuar vjedhurinë dhe mungesën e kompetencës të institucionit të OSSHE-së. Për këtë kam dokumente, kam librezën e pagesave, kam faturën e OSSSH-së, ku figuroj me të gjitha detyrimet e paguara në kohë.
Cila është historia juaj me OSSHE-në?
Unë i kam të pasqyruar në librezë të gjithë muajt, janë datat në to dhe nuk kam pasur asnjë debit. Pavarësisht kësaj, nga sistemi i OSSHE-së ka dalë një debi.
Jeni lajmëruar nga OSSHE-ja për këtë debi?
Jo, nuk kam pasur asnjë lajmërim. Në mesditë, rreth orës 12:30, kam qenë duke i hipur makinës sime për të shkuar në një aktivitet, kur më telefonon shefi i kabinetit të ministrit të Mjedisit më thotë se në emrin tim ka dalë një diçka e vogël, “shikoje këtë punë”. Më thotë se figuron në letra një debi për energjinë. Unë kam marrë menjëherë tim shoq në telefon dhe i kam kërkuar që ta verifikojë këtë. Ai më thotë “rri e qetë se ne nuk kemi asnjë qindarkë pa paguar, ti e di shumë mirë që i paguajmë të gjitha”. Edhe pse është një shtëpi plazhi në Velipojë, unë e kam paguar atë çdo muaj që nga viti 2006 kur kam lidhur kontratën.
Ju keni ardhur dhe nga shoqëria civile dhe merrni një goditje të tillë nga politika. Çfarë shije ju la politika?
Unë vij nga shoqëria civile dhe nga bota akademike. Për 30 vjet kam kontribuar nga ana akademike, shoqërore, institucionale me të gjithë bagazhin tim sepse kam besuar dhe vazhdoj të besoj në një kauzë të zhvillimit në këtë shtet.
Në këto kushte, mendoni se vendimi për lirimin tuaj ishte i nxituar?
Nuk kam dëshirë të jap mesazhe publike pa u sqaruar më parë me zotin Rama, sepse ai nuk ka qenë prezent në Shqipëri, nuk e di se si ia kanë thënë atij, se si ia kanë transmetuar atij dhe se kush ia ka dhënë dhe çfarë interesash ka pasur personi që ia ka dhënë këtë informacion të gabuar, këtë unë nuk mund ta analizoj sot. Unë kam për detyrë të sqarohem ballë për ballë me zotin Rama dhe më pas unë do të bëj publik të gjithë dokumentacionin për të vënë në vend dinjitetin tim. Por jam e bindur se zoti Rama është keqinformuar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here