Home Aktualitet Percillet ne banesen e fundit Atjon Zhiti, djali i Visar Zhitit

Percillet ne banesen e fundit Atjon Zhiti, djali i Visar Zhitit

602
0

Familjarë, të afërm, miq edhe shokë kanë përcjellë për në banesën e fundit mes lotëve e dhimbjes 19-vjeçarin Atjon Zhiti, djalin e vetëm të shkrimtarit të njohur dhe poetit Visar Zhiti, i cili u nda nga jeta ditën e djeshme në një aksident rrugor. Pas homazheve në nderim të të riut, arkivoli me trupin e pajetë të 19-vjeçarit është nxjerrë në krahët e miqve dhe të afërmve të tij.

Të afërm, shokë dhe miq, vendosën kurora me lule dhe u përkulën me nderim përpara trupit të pajetë të të riut, i cili u përcoll mes dhimbjes e lotëve për në banesën e fundit në varrezat e Sharrës në kryeqytet.

Vdekja tragjike e të riut ka tronditur opinionin publik që ka shprehur dhimbjen në rrjetet sociale.

Miq të Atjonit, të njohur, por edhe dashamirës dhe lexues të babait të tij kanë shprehur ngushëllimet e tyre në rrjetet sociale duke iu bashkuar dhimbjes së rëndë që ka përfshirë familjen.

Nëpër komentet e tyre lexohet qartazi dhimbja për humbjen e jetës së 19 vjeçarit, ku shumë prej tyre ende nuk mund ta besojnë se ai është larguar nga kjo botë, duke shpresuar ende që ai të zgjohet nga vdekja.
atjon-zhiti

Atjoni, 19 vjeç humbi jetën ditën e djeshme në një aksident rrugor, ku gjatë udhëtimit me shpejtësi të lartë me motorr së bashku me një shokun e tij, është përplasur me bordurën e trafik-ndarëses së autostradës dhe nuk ka mundur t’i rezistojë plagëve dhe ka ndërruar jetë. Ndërkaq edhe shoku i tij, Serxhio Matiani mbeti i plagosur në gjendje të rëndë, por burime nga bluzat e bardha bëjnë të ditur se ai ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Atjoni ishte djali i vetëm i Visar Zhitit, një ndër shkrimtarët e njohur që u persekutua dhe u burgos nga diktatura komuniste.

Poezia e Visar Zhiti për të birin në jetë: Rritu sa më parë dhe qofsh fëmijë përherë
Shqiptarja.com sjell një nga poezitë më të bukura të poetit dhe shkrimtarit Visar Zhiti, të cilën ia kishte kushtuar gjatë jetës të birit Atjonit. Në poezinë në fjalë, poeti shpreh ndjenjat e forta që ai ka për të birin, duke i treguar të gjithë ndjenjën e dashurisë, që ai ka pasur për të birin e vetëm.

Përmes vargjeve ku poeti pasqyron gjithë dëshirat që ai ka për të birin, dhe jetën që e priste, por që fatkeqësisht u ndërpre në mes nga tragjedia e djeshme.

Mes fjalëve të zgjedhura, dhe të mbartura me dashuri, poeti shpreh dëshirën që Atjoni të rritet, por njëkohësisht të mbetet gjithnjë fëmijë.

“Po, kur të ecësh, bir, lër gjurmë që t’u ngjajnë atyre vizatimeve të zemrave që bën ti, ec dhe ec dhe shto zemrat… Dhe vizatoje ëndrrën tënde. Bir, rritmë dhe mua, gëzimin tim…” shkruante Zhiti pa e ditur që jeta në mënyrë të padrejtë do t’i rrëmbente dashurinë e tij më të madhe.

Më poshtë poezia e Visa Zhiti, kushtuar të birit në jetë Atjonit:

Bir, i vogli im, i bukuri, degë e
gjelbër krahu yt, që më futet në ëndrra, rritu sa më parë dhe qofsh fëmijë
përherë… e di ç’do të bëhem kur të rritem?… bëhu ç’të duash, biri im, por i
dashur patjetër siç je, i bukur, i bukur siç je! Ç’të të them, unë do mundohem
të hap rrugën të gjesh vetveten, pa të të ngacmuar, por dhe ti mos ngacmo kënd.
Apo është e pamundur, duhen ditur të gjitha, por nuk duhen bërë të gjitha. Bëj
vetëm mirë, bir, kjo është e mundur. Pa shkelur mbi të tjerët dhe mos lër të të
shkelin. Edhe përsosmëria jote është e mundur, si gdhëndja, hiq të tepërtat dhe
jeta është e vetmja pasuri, shërben për ëndrrën dhe ëndrra për jetën, ndoshta
janë e njëjta gjë. Po, kur të ecësh, bir, lër gjurmë që t’u ngjajnë atyre
vizatimeve të zemrave që bën ti, ec dhe ec dhe shto zemrat… Dhe vizatoje
ëndrrën tënde.
Bir, rritmë dhe mua, gëzimin tim
sidomos, mendjen dhe shpirtin, se ti je dhe ati im njëkohësisht dhe unë lutem
fshehurazi për ty, pa më parë, në shqipen e vjetër “At’jon…”, ashtu siç ke dhe
emrin.
Deti, bir. Më josh, është siç ka
qenë, që kur u krijua bota, i natyrshëm, po ato dallgë, po ajo mërmërimë e
përjetëshme, seç të thonë, dëgjoje, është një kumt ujrash i pambarim, ashtu
qofsh dhe ti në shpirt, i madh, pafund.
Nja dy peshkatarë zbritën nga varka afër dhe
sollën peshkun e porsazënë. E shisnin. U grumbulluan njerëz. Një peshk lëvrinte
ende mbi rërë, ishte gjallë dhe ti, bir, i kërkove mamit që që të ta blinte.
Shpejt lekët, ma, s’kishe durim, hape çantën. Dhe me ta marrë peshkun e gjallë,
me gojën të çare e të përgjakur nga grepi, vrapove drejt dallgëve dhe e hodhe
në det. E pe tek ikte i lirë, pastaj u ktheve nga ne i qetësuar.
Unë pashë time shoqe në sy. Ajo më puthi
lotët, që nuk i fsheha dot.
Fati i atij peshku… i ngjashëm
me… mbase … e jo vetëm…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here