Home Sport E thërret De Biazi, grekët presion talentit shqiptar

E thërret De Biazi, grekët presion talentit shqiptar

708
0

de biaziErgys Kaçe, talenti shqiptar i futbollit, i cili luan me PAOK-un e Selanikut, është nën presionin e grekëve për të mos zgjedhur përfaqësuesen kuqezi.

Thuajse të gjitha mediat greke kanë publikuar lajmin se talenti shqiptar, që luan me PAOK-un në Superligën e Greqisë, është thirrur nga trajneri Xhani De Biazi për miqësoren e shkurtit ndaj Gjeorgjisë. Ftesa për të është publikuar edhe në uebsajtin zyrtar të klubit të Selanikut, i cili e ka vënë seriozisht nën presion futbollistin 19 vjeçar. Sipas uebsajtit të njohur helen, “goalday.gr”, PAOK-u i ka kërkuar Kaçes të refuzojë ftesën e De Biazit për ndeshjen miqësore të radhës, duke e vënë atë realisht nën presion.

Gjithçka lidhet me faktin se Federata Greke kërkon që ai të zgjedhë kombëtaren e këtij vendi, ndërkohë që Kaçe regjistron deri më tani 4 ftesa me përfaqësuesen U21 të Shqipërisë. Por, ai nuk është aktivizuar asnjë minutë, ç’ka e bën situatën mjaft delikate, duke qenë se nëse vendos, mund të luajë pa probleme edhe me Greqinë.

Ndoshta në këtë vend askush nuk e priste një ftesë kaq të shpejtë nga De Biazi, ndërsa nuk është çudi që presioni i klubit të PAOK-ut, ta detyrojë mesfushorin e talentuar korçar të zgjedhë edhe ai kombëtaren helene. “Goalday.gr” sqaron se ftesa e De Biazit nuk është pritur mirë nga klubi i Selanikut për shkak se bëhet fjalë për një ndeshje në mesjavë dhe që do sillte lodhje për lojtarin, përkundër dëshirës së tij që të veshë fanelën e kombëtares shqiptare.

Kush është Ergys Kaçe
Ergys Kaçe është një nga futbollistët më të talentuar shqiptarë. I lindur më 8 korrik 1993 në Korçë, ai jeton prej vitesh në Greqi, ndërsa që prej 2004-ës është pjesë e gjigandëve të PAOK-ut të Selanikut. Tashmë Kaçe ka nisur të luajë edhe si titullar, ndërkohë që grekët e cilësojnë si një mesfushor difensiv perfekt. Madje, te PAOK-u e krahasojnë edhe me Vitolon, një nga legjendat e këtij klubi në repartin e mesfushës dhe që tani është pjesë e Panathinaikosit. Vitin e shkuar Kaçe ishte në huazim te modestët e Anagenisi Epanomi, por trajneri i ri i skuadrës së Selanikut Jorgos Donis, e rithirri në ekip dhe këtë sezon i ka besuar një vend titullari. Kaçe luajti në ndeshjet eliminatore të Europa League ndaj izraelitëve të Bnei Yehuda dhe ndaj austriakëve të Rapidit të Vjenës, duke bërë paraqitje vërtetë mbresëlënëse. Për këtë arsye, tekniku Donis e konsideron pjesë të formacionit bazë. Në deklaratat e para për mediat shqiptare, talenti 19 vjeçar është shprehur se ëndrra e tij është që një ditë të luajë për kombëtaren shqiptare. Por, tashmë e gjitha kjo vihet në pikëpyetje.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here