Home Sociale Skandal, QSUT kthehet ne stacion furgonesh

Skandal, QSUT kthehet ne stacion furgonesh

618
0

furgone-qsutDhe dy vetë për në Lushnjë dhe ikim”, “Divja ka gati”, “Zotëri, për në Berat jeni?”. Nëse mendoni se këto janë fjali të shkëputura nga një stacion autobusësh apo furgonësh, gaboheni! Thirrjet vijnë nga sheshi përpara Shërbimit të Onkologjisë, pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, i cili duket se është kthyer në një stacion të mirëfilltë për pasagjerët e rretheve. Taksitë 8+1 janë automjetet më të shpeshta që të zë syri para këtij spitali, ndërsa kjo është kthyer në një makth për familjarët e pacientëve, të cilët nuk kanë mundësi të depërtojnë për të parkuar makinat e tyre. “Kam për të vizitu nënën, por s’kaloj dot se ma kanë zënë rrugën furgonët e Lushnjës. S’më mjafton fakti që po shkoj në spital, po tani të vras mendjen se ku do parkoj makinën e si do e çoj nënën që mezi mbahet në këmbë”, – shprehet një burrë rreth të 60-ave, në afërsi të Spitalit Onkologjik.

MJEKËT
Në fakt, prania e furgonëve të pasagjerëve në një qendër spitalore ka shqetësuar edhe mjekët e QSUT-së, të cilët e shohin si absurde këtë situatë. Sipas kirurgut Arben Gjata, ngërçi në këtë situatë qëndron te dhënia me koncesion e parkimeve të qendrës së vetme terciare në vend. “Kështu është kur spitali u jepet me koncesion firmave private. Normal që ato do e përdorin për qëllime përfitimi dhe do të lejojnë edhe parkimin e furgonëvetë pasagjerëve dhe jo makinat e spitalit. Kjo sjell konfuzionin, dhe ajo që është më kryesorja, trafikun, që nuk lejon kalimin e autoambulancave”, – u shpreh Gjata për “Gazeta Shqiptare”. Gjithashtu, ai ka komentuar edhe nisjen e punimeve për ndërtimin e një parkingu në ambientet e QSUT-së, punime që çuan në prishjen e disa hapësirave të gjelbra. Ka qenë pikërisht protesta e mjekëve të Spitalit të Kirurgjisë që ka ndërprerë punimet, ndërsa sipas Gjatës, ata arritën në kohë të pengonin prerjen e pemëve që ndodheshin aty afër. “Ne morëm vesh rastësisht që do ndërtohej një parking privat. E kuptuam vetëm kur pamë nga dritaret që po kryheshin punime e po dëmtohej bari. Të paktën mundëm të ndalonim prerjen e pemëve. Më pas mësuam që parkingu është dhënë me koncesion që nga dhjetori i vitit 2012”, – u shpreh Gjata. Në fakt, parkimi i makinave në QSUT është një nga problemet më të shpeshta që hasin vizitorët e kësaj qendre spitalore, ndërsa specialistët shprehen se vendet janë të mjaftueshme, por nuk menaxhohen si duhet.

PARKINGU
Për nisjen e punimeve të parkingut reagoi edhe Drejtoria e QSUT-së, e cila bëri me dije pezullimin e punimeve të firmës, e cila po kryente investime në pjesën e parkimit dhe menaxhimit të trafikut. Ndërprerja u bë pas kërkesës së mjekëve që të mos ndërhyhet në këto hapësira, ndërsa saktësohej se firma kishte fituar tenderin e kryer nga Ministria e Ekonomisë në nëntor të vitit 2012, ndërkohë që kontrata ishte firmosur në mars të këtij viti. Gjithashtu, drejtoria spitalore bënte me dije se gjatë 5 muajve të fundit, nga ana e saj nuk është dhënë asnjë kontratë për shfrytëzim të ambienteve të brendshme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here