Home Aktualitet Rexhep Meta: Ju tregoj djalin tim, Ilir Meta

Rexhep Meta: Ju tregoj djalin tim, Ilir Meta

1468
1

ilir-meta-prinderitNë një intervistë ekskluzive për “Shqiptarja.com” Rexhep Meta, babai i kreut të LSI-së dhe të sapozgjedhurit si kryetar i Kuvendit të Shqipërisë,Ilir Meta, rrëfen për herë të parë jetën e panjohur të djalit të tij. Fëmijërinë, adoleshencën, marrëdhëniet me njerëzit.

Prej origjinës së familjes Meta, lindja e Ilirit në ditën e Novruzit, parashikimi i gjyshit të tij, prapësitë e Ilirit të vogël në tetëvjeçare dhe gjimnaz, sherri me grushta me shokun e klasës Ben Blushi, adhurimi për peshëngritësin Aleksandër Kondo. Kjo është pjesa e parë të kësaj interviste, e cila do të vijojë edhe nesër…

Zoti Rexhep, cila është origjina e familjes tuaj dhe me çfarë janë marrë prindërit tuaj?

Origjina e familjes sonë është nga fshati Çepan i rrethit të Skraparit dhe aty kanë banuar të parët tanë prej shekujsh. Aty kam lindur dhe unë. Babai im, (gjyshi i Ilirit) është quajtur Duçkë dhe ai pasi emigroi në Stamboll, ku jetoi dhe punoi për 45 vjet me radhë, u kthye përsëri në fshatin e lindjes, në Çepan, pasi si gjithë shqiptarët ka qenë shumë i lidhur me familjen. Nuk më takon mua të flas për babanë tim, por e vërteta është se ai ka qenë njeri me emër të madh në të gjithë zonën tonë. Gjithashtu babai kishte edhe një shtat dhe zemër të madhe. Ai, nëna dhe pjesëtarët e tjerë të familjes sime, ashtu si gjithë fshatrat e Skraparit dhe të asaj zone, janë marrë kryesisht me blegtori dhe me bujqësi.

ilir-meta-2-vjec

Po origjina e bashkëshortes suaj dhe njëkohësisht nënës së Ilirit nga është?

Origjina e nënës së Ilirit, Fiqretit, është nga fshati prej nga ajo ka marrë dhe mbiemrin e saj, Vishanji, i cili ndodhet rrëzë zonës së Tomorricës, krahinë e Skraparit. Babai i Fiqretit, Taip Vishanji, ka qenë patriot i njohur dhe një nga burrat më të dëgjuar në të gjithë atë treve. Ai ka qene një njeri me autoritet të madh dhe gëzonte respekt të veçantë tek gjithë zona e Tomorricës, për shkak se ka qenë një nga pjesëmarrësit në Kryengritjen e Fierit, përkrah Riza Cerovës (“Hero i Popullit”), i cili mbetet një nga figurat më të njohura, apo më sakte figura emblematike e gjithë historisë së Skraparit. Përveçse me Riza Cerovën, Taipi ka qenë edhe pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare.

Të kthehemi tek familja juaj, ku dhe kur ka lindur Iliri, dhe çfarë kujton ndonjë gjë të veçante nga ajo ditë?

Iliri ka lindur më 24 mars të vitit 1969 në fshatin Çepan të Skraparit, në ora 04 të mëngjesit. Ajo ditë ka qenë festa e Novruzit dhe për ne si familje e besimit bektashi, si të thuash ishte një gëzim i dyfishtë. Them kështu pasi Iliri ishte djali i parë i familjes (dhe fëmija i dytë, se motra e tij, Elida është më e madhe), por dhe pse ai lindi ditën e Novruzit. Për këtë gjë, babai im, Duçka, tha: Djali ka lindur me emër dhe do bëhet njeri i madh!

Në atë kohë, pra në vitin 1969, objektet e kultit ishin prishur dhe feja ndalohej me ligj. Në familjen tuaj, a festohej dita e Novruzit?

Është e vërtetë ajo që thoni ju, pra që feja ishte e ndaluar me ligj, por si shumë familje edhe tek ne, festat fetare, sidomos ato të bektashinjve, festoheshin fshehurazi. Kjo gjë ndodhte në vitet e para të ndalimit të fesë, pasi më vonë, gradualisht ato erdhën duke u zbehur dhe as bëhej fjalë të festoheshin.

Në atë kohë që ishit në fshatin Çepan, me çfarë pune merreshit ju dhe si arritët të iknit nga fshati dhe të vini me punë e banim në Tiranë?

Në ato vite unë punoja si arsimtar dhe drejtor i shkollës së Çepanit, pasi isha diplomuar për Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës në fillimin e viteve ‘60-të. Në vitin 1968-’69, pas një vendimi të Komitetit Qendror të PPSH-së, një grup arsimtarësh dhe kuadro të tjerë të lartë nga profesione të ndryshme, u morën dhe u dërguan në Ushtri si komisarë politike duke u titulluar oficerë. Një nga ata isha dhe unë, ku nga arsimtar më dërguan në Shkollën Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë. Kështu erdha me punë në Tiranë dhe pas pak kohe më stabilizuan edhe me shtëpi duke më dhënë një apartament në një pallat afër Shkollës së Kuqe.

Po Iliri, ku i ka bërë mësimet e fillores dhe më pas…?

Iliri ka ardhur në moshën tre vjeçare në Tiranë dhe shkollën fillore e ka bërë te “Kongresi i Lushnjës”, 8-vjeçaren te “Fan Noli”, ndërsa të mesmen te “Sami Frashëri”.

Si ka qenë me mësime dhe si e kujton Ilirin e vogël në atë kohë, ka qenë i urtë, apo djalë i përkëdhelur dhe çapkën?

Më kujtohet si tani, ka qenë muaji i dytë i klasës së parë dhe Iliri kishte marre notën katër. I mërzitur nga ky fakt, ai sa kishte ardhur në shtëpi, kishte gjuajtur me domate derën e komshiut. Unë në atë kohë ndodhesha në Hidrocentralin e Fierzës me nxënësit e mi skënderbegas, të cilët bënin stazhin para se të shkonin në Shkollën e Bashkuar.

ilir-meta-adoleshence

Qëlloi që ato ditë erdha me leje në shtëpi dhe bashkëshortja, Fiqereti më tregoi për notën negative që kishte marrë Iliri dhe për derën e komshiut që kishte qëlluar me domate. Unë i thashë: “Ilir më ke mërzitur”, dhe ai m’u përgjigj: “Unë jam mërzitur vetë”. Katra që mori ishte e vetmja, pasi Iliri ka qenë mirë me mësime dhe gjithashtu një fëmije i urtë që nuk sillte probleme. Por ka pasur edhe ndonjë çapkënllëk kur u rrit njëçik. Kështu më kujtohet se në klasën e pestë, Iliri bëri një provim në orën letrare me teme:

“Nënë Zyraja theri dhinë e vetme për partizanët dhe Enverin”. Iliri nuk shkroi asgjë për atë temë dhe e dorëzoi fletën e bardhë. Nisur nga kjo gjë ne e shtuam kërkesën e llogarisë dhe e vinim çdo ditë të shkruante duke i dhënë tema të ndryshme. Nga kjo gjë ai u lodh shumë dhe një ditë nuk erdhi fare në shtëpi, por iu tha shokëve se po pyetën prindërit për mua, u thoni se Iliri ka shkuar në Televizion ku e kanë thirrur si pionier i dalluar për një emision. Ne pritëm shumë dhe kur ai nuk erdhi në shtëpi u bëmë shumë merak dhe shkuam për ta kërkuar tek Radio-Televizioni, ku na thanë se nuk ishte thirrur asnjë pionier për emision.

Po në të vërtetë ku kishte shkuar?

Iliri i kishte gënjyer shokët dhe ai kishte shkuar vetëm për në Skrapar, pasi ai ishte shumë i lidhur me gjyshërit e tij, (dy prindërit e mi), të cilët dhe ata linin kokën për të.

Në atë moshë ai ka shkuar vetëm nga Tirana në fshatrat e Skraparit?!

Po po, por nuk është kjo më interesantja e aventurës së tij, problem më i madh ishte se ne nuk e merrnim më dot në shtëpi në Tirane, dhe për këtë vuajtëm shumë.

Si e mësuat se ai kishte shkuar në Skrapar dhe si e kthyet në shtëpi?

Pasi nuk e gjetëm te Radio-Televizioni ku kishte thënë, mua më vajti mendja pasi here pas here na thoshte se e kishte marrë malli për dy gjyshërit dhe unë pyeta në telefon një shokun tim oficer në një repart ushtarak në Skrapar dhe ai me thotë se Iliri kishte shkuar në fillim aty dhe më pas ishte nisur në këmbë për në fshatin Çepan, i cili ndodhet 17 km larg qytetit të Çorovodës. Pas kësaj unë mora në telefon një kushëririn tonë dhe u thashë që të ma zbrisnin të nesërmen në Çorovodë.

ilir-meta-nena
Foto: Ilir Meta me të ëmën, Fiqret Metën

Të nesërmen ai se bashku me vëllanë tim, Mete, e hipën Ilirin në një mushkë dhe u nisën në drejtim të Çorovodës. Por në mes të rrugës, Iliri hidhet nga mushka dhe me vrap kthehet përsëri për në fshat. Kur arritën ata në Çepan e gjetën të hipur në një peme duke ngrënë rrush. Të nesërmen, vëllai im Mete, e zbret vetë në Çorovodë dhe ja lë në kujdes një mikut të vet, nënoficer Myrvet Greva duke e porositur të kishte kujdes se mos i ikte.

Dhe ashtu ndodhi në të vërtetë. Iliri iku përsëri nga Çorovoda në Çepan dhe pasi më lajmëruan mua, u detyrova vetë nga Tirana të shkoja në fshat. Mezi e bindëm të zbriste nga tavani ku kishte hipur. Kështu përfundoi kjo aventurë e tij, por desha të them se Iliri ishte shumë i lidhur jo vetëm me prindërit e mi, por edhe me fshatin dhe shokët që kishte zënë atje.

Çdo verë ne e dërgonim në fshat për dy tre muaj dhe ai ndihmonte xhaxhanë e vet në punët e bujqësisë aq sa në Tiranë vinte kockë e lëkurë. Kur kthehej në darkë në shtëpinë e xhaxhait, u thoshte fëmijëve të fshatit që rrinin te oborri i shkollës: Po ju nuk keni turp që rrini kot?

A e përsëriti më Iliri këtë aventurë?

Po edhe nja dy herë të tjera, por ajo që më ka mbetur në mendje, janë fjalët që më tha Iliri i vogël (12 vjeç) kur vdiq im atë Duçka. Ne na njoftuan se ai ishte sëmurë dhe Iliri shkoi tre ditë para se ai të ndërronte jetë, ndërsa unë me që isha me shërbim, munda të arrij atje vetëm pas varrimit. Dhe sa me takoi Iliri me tha: Tani vjen ti?! Aq shumë ishte i lidhur Iliri me gjyshërit dhe ata me të, saqë para se të vdiste, im atë, la një testament të shkruar me dorën e tij ku thuhet; ”Pronat dhe tokat e mija ja lë Ilirit”. Këtë letër e kemi akoma dhe e disponon vëllai im, Mete, që jeton në fshat.

Po më pas në shkollën e mesme si ka qenë me sjellje dhe a keni pasur problem me Ilirin?

Jo, jo nuk kemi pasur problem, pasi Iliri sillej shumë mirë me shokët e tij si në shkolle, në shtëpi dhe në lagje. Ka qenë vetëm një rast në shkollën e mesme kur ai është zënë me Ben Blushin dhe erdhi në shtëpi me sy të nxirë, pasi Beni e kishte goditur me grusht. Mua më thërritën në shkollë dhe Beni në prezencë të mësueseve dhe drejtorit i kërkoi falje Ilirit dhe me aq u mbyll ajo ngjarje. Raste të tjera nuk ka pasur që Iliri të na ketë sjellë shqetësime.

Po përveç Ben Blushit, kush kanë qenë shokët më të afërt të Ilirit në atë kohë?

Nga sa më kujtohet mua kanë qenë: Dit Kaba, Tan Gërmenji etj, që s’i mbaj mend për momentin. Përveç shokëve të shkollës, Iliri ka pasur edhe shokë të tjerë kur merrej me sportin e peshëngritjes.

Kur dhe si hyri Iliri në atë sport?

Iliri në atë sport ka hyrë në vitin 1985 kur ishte vetëm 16 vjeç dhe shkak për këtë gjë ishte adhurimi që ai kishte për Aleksandër Kondon, sportistin e madh dhe të talentuar i cili në atë kohë bëri emër të madh me rezultatet e tij dhe në arenën ndërkombëtare. Iliri duke e pasur idhull Sandrin, shkonte shpesh ta shikonte atë edhe gjatë seancave stërvitore dhe mundohej ta imitonte atë.

Gjatë kësaj kohe, trajneri i mirënjohur Ferit Berberi, duke parë jo vetëm pasionin e Ilirit për atë sport, por edhe konstruktin trupor të tij, e ftoi me ekipin e të rinjve. Iliri e vazhdoi për një vit me radhë sportin e peshëngritjes dhe ndonëse premtonte rezultate, ia dorëzoi çantën dhe rrobat e sportit trajnerit Ferit Berberi duke u ndarë me mirëkuptim me të. Por më kryesorja që duhet të them, është ajo që Iliri e vuajti shumë largimin e Aleksandër Kondos nga Shqipëria dhe aq më shumë vdekjen tragjike të tij në SHBA.

Është thënë se Iliri është marrë dhe me radio-kronika sportive duke komentuar ndeshje në Radio-Tirana?

Po është e vërtetë, por para se të hynte si radio-kronist, Iliri provoi dhe sportin e futbollit. Menjëherë sapo la shtangën ai më kërkoi që të interesohesha për ta futur me ekipet e të rinjve në futboll. Unë u interesova dhe e futa me ekipin e të rinjve, ku Iliri shkoi vetëm një ditë në stërvitje dhe nuk pranoi të shkonte më. Kur u kthye në shtëpi, ai me tha: “Nuk shkoj më në stërvitje, pasi ne luajtëm për 90 minuta në stërvitje, ndërsa trajneri pinte birrë dhe hante qofte. Nëse vazhdohet kështu, në Shqipëri nuk do të ketë kurrë futboll”. Pas kësaj, diku aty nga viti 1988, Iliri më kërkoi që unë të ta takoja me telekronistin Ahmet Shqarri, pasi donte që të aktivizohej në transmetimin e ndeshjeve.

Pasi e takuam Ahmetin, ai e provoi Ilirin dhe mbeti shumë i kënaqur duke thënë: “Ku qenka bilbil”. Pas kësaj menjëherë e nisi nëpër rrethet ku zhvilloheshin ndeshjet e futbollit dhe në vitet 1988-’90-të, Iliri ka transmetuar shumë, të cilat duhen te jenë në arkivin e Radio-Tiranës.

Këtë gjë, pra transmetimin e ndeshjeve Iliri e vazhdoi deri me datën 8 dhjetor 1990-të, ku i takoi të transmetonte ndeshjen ndërmjet ekipit Besa të Kavajës dhe Vllaznisë së Shkodrës të luajtur në Kavajë. Ajo ka qene ditë historike jo për Ilirin, por për historinë e Shqipërisë pasi atë ditë populli i Kavajës që ishte në stadium, u çua me thirrjet Liri-Demokraci, thirrje të cilat dëgjoheshin qartë nga mikrofoni kur transmetonte Iliri. Po Iliri mbeti shumë i impresionuar nga ajo skenë që zhvillohej në stadiumin e Kavajës, pasi sapo u kthye në Tiranë, pa ardhur akoma në shtëpi, ai shkoi dhe u bashkua me shokët e tij studentë në protestat e tyre që sapo kishin nisur me Azem Hajdarin ne krye… /shqiptarja.com

1 COMMENT

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here