Home Politike Berisha i terheq verejtje Bashes: “Fokusohu te rahabilitimi i Enverit”

Berisha i terheq verejtje Bashes: “Fokusohu te rahabilitimi i Enverit”

598
0

bashaBerisha i tërheq vëmendjen Lulzim Bashës në mbledhjen e grupit parlamentar të PD, pasi s’ka qënë dakord me qëndrimin e liderit të ri demokrat ndaj situatës politike. Basha teksa ka mbajtur fjalën para deputetëve ka kërkuar që fokusimi i aksionit opozitar duhet të jetë tek hallet e popullit. Menjëherë ka ndërhyrë ish-kreu i PD dhe ish-kryeministër Berisha, i cili ka akuzuar kreun e PD Basha se po mban qëndrim sipërfaqësor, dhe se opozita duhet të reagojë fort ndaj rehabilitimit që po i bëhet figurës së ish-diktatorit Enver Hoxha nga mazhoranca dhe rrahjes së deputetit Gent Strazimiri.

Qëndrim që u kthye në qëndrim të grupit dhe u reflektua dhe dje në sallën e Kuvendit. Ndërkohë deputetja e PD Mesila Doda, për emisionin “Prizëm” të Aleksandër Furxhi, në lidhje me udhëzimin e dhënë nga kreu i PD për papajtueshmërinë e dy mandateve, nuk ka munguar të shprehet se kryetari i bashkisë apo komunës nuk duhet të ketë dy mandate dhe duke prekur indirekt kreun e PD Lulzim Basha. “Udhëzimi në përgjithësi përfaqëson apo sjell dhe një lloj analize në vetvete sepse në qoftë se thuhet që nuk do të kandidojnë më personat të cilët kanë patur rezultate të dobta, domethënë që ti merr parasysh humbjen, merr përsipër humbjen.

Ndarja e mandateve nuk sjell ndonjë pasojë të pariparueshme mendoj unë përveçse sigurisht në rrethet e mëdha mosqënia deputet defakto mund të krijojë një lloj peshe më të vogël specifike të personit por nga ana tjetër do duhet të bëjmë një gjë. Në qoftë se ne ndaluam bashkimin e mandateve, pra deputeti, kryetari bashkisë apo komunës nuk mund të jetë kryetar partie, do duhet të bëjmë vetë procesin invers. Ai që zgjidhet kryetar partie s’mund të zgjidhet as kryetar bashkie, as deputet dhe kjo do të ishte “fair””, ka deklaruar Doda.

Njëherësh ajo ka sqaruar dhe qëndrimet e saj herë pas herë jo në të njejtën linjë me ato të asaj zyrtare të PD. “Unë bëj pjesë tek ai grupi i studentëve që e pamë të lindi PD. Sigurisht kam patur dhe herë të tjera që mund të kem pasur mospajtime me qendrimet e PD. Unë jam një qënie e lirë, unë jam njëri i lirë dhe unë kur mendoj diçka që nuk shkon unë duhet ta them. Dhe këtë nuk e them për ndonjë arsye personale. Unë jam deputete, më leverdis shumë më tepër të hesht dhe të shikoj se kush është ajo gjë që do kryetari apo të nuhas siç shikoj shumë të tjerë që mund të jenë deputet me shumë legjistatura dhe nuhasin diçka dhe shkojnë pas saj.

A i bën mirë kjo PD. Unë dua ti bëj një pyetje çdo demokrati, çdo njeriu që e ka në zemër PD, nëse unë hesht a i bëj mirë PD, besoj se në të gjitha rastet përgjigja nuk mund të jetë dot pozitive. Në qoftë se kemi patur fenomene negative duhet ti themi”, tha Doda. Ndërsa në lidhje me perceptimin si e afërt me grupin e Olldashit ajo thotë se nuk duhet të përdoret emri i tij për t’u fshehur për problemet që kemi apo s’mund të kemi. “Olldashi ishte nga ata njerëz që ishin pjesa e eshtrës politike të një partie dhe pikërisht për këtë arsye dhe për platformën që ai sillte, për idenë që do mundohesh që ta ngrinin shumë shpejt PD, unë kam qenë tek njerëzit që e kanë mbështetur hapur.

Për asnjë moment nuk kam folur hapur kundër kryetarit aktual e as kam thënë që ky personi që kemi zgjedhur është i padëshiruar. Jo të gjithë jemi të detyruar që të jemi miq përgjatë kësaj rruge por jemi të detyruar të jemi bashkëpunëtorë për hirë të partisë nëse duam ta ngrejmë. Në këtë rrugë duhet të jemi të gjithë bashkë për të fuqizuar partinë jo për simpati apo antisimpati personale për ndonji nga personat”, tha Doda. E pyetur për procesin e afrimit të njerëzve në PD nga Basha, Doda tha: “Kjo parti nuk lind dot në qoftë se janë dhjetë veta dhe mbeten po këto dhjetë figura.

Sepse e kemi parë, pra do të duhet që të pasurohet gama, të sillet një ekip sa më i madh, sa më i gjerë. Por mënyra se si vjen, s’mund të jetë as klienteliste, nuk mund të jetë as e ndikuar nga persona, që janë jashtë korpusit politik, sepse në të vertetë ata që duhet ta ndikojnë janë vetëm demokratët me votën e tyre dhe as personat që vijnë nga llogore jashtëzakonisht armiqësore e të pashpjegueshme shumë herë”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here