Home Politike Festa e 20-vjetorit të PS, mungojnë Nano, Agolli, Islami e Blushi

Festa e 20-vjetorit të PS, mungojnë Nano, Agolli, Islami e Blushi

650
0

Socialistët festuan dje 20-vjetorin e krijimit të partisë së tyre. Njëzet vjet më parë, në Kongresin e 10-të të Partisë së Punës së Shqipërisë, me një vendimmarrje radikale për kohën, me elementët më progresistë dhe të hapur të saj, kjo parti u shndërrua në Partia Socialiste e Shqipërisë.Njëzet vjet më pas, në ceremoninë festive mungonin disa nga protagonistët e 10-12 qershorit 1991, ndërsa disa të tjerë ishin në hije. Dritëro Agolli, Fatos Nano, Kastriot Islami, Ylli Bufi nuk ishin dje të pranishëm, ndërsa kryetari socialist, Edi Rama, nuk shkëmbeu urimin me ish- presidentin Rexhep Meidani, me protagonistët e asaj kohe Moikom Zeqo e Maqo Lakrori. Po ashtu, ra në sy edhe mungesa e deputetit Ben Blushi, një prej figurave më të rëndësishme në PS. Patriarku i socialistëve, shkrimtari i njohur, Dritëro Agolli, i cili shkaktoi krisjen e madhe në Kongresin e qershorit të 1991 për t’i hapur rrugë krijimit të PS, mungoi për arsye shëndetësore. Munguan dhe kreu socialdemokrat Gjinushi, demokristiani Ndoka, por dhe aleatë të tjerë të koalicionit “Aleanca për të ardhmen”. Të pranishëm në festën e djeshme ishin figurat kryesore politike të PS, deputetët dhe kryetarët e bashkive e komunave. Në hotel Sheraton, gjysmë ore para se të niste ceremonia, shumë të ftuar të ardhur nga rrethet, kishin mbërritur dhe ishin në pritje të nisjes zyrtare të festës. Sekretari organizativ, Blendi Klosi, sekretarja për Marrëdhëniet me Jashtë, Arta Dade dhe kryetari i PS-së së Tiranës, Besnik Bare, ishin vendosur te dera e sallës, duke uruar çdo të ftuar e duke marrë dhe prej tyre urimet. Një nga protagonistët e qershorit 1991, Servet Pëllumbi, ra në sy sapo mbërriti në hollin e hotelit, pasi shumë nga socialistët e vjetër filluan ta takonin e ta uronin për festën e PS. Pas tij dhe Moikom Zeqo, Rexhep Meidani, Maqo Lakrori, Luan Hajdaraga, por dhe figura të tjera më pak të njohura, por me kontribute në PS. Në intervalin kohor, deri me mbërritjen e Ramës në sallën e Sheratonit, të ftuarit flisnin mes tyre me shqetësim aspak për momente të kësaj historie, por për momentin e vështirë pas zgjedhjeve të 8 majit që po kalon kjo parti. Në sfond, një kuartet harqesh luante muzikë dhome, ndërkohë të ftuarit flisnin me zë edhe më të ulët. Kryesocialisti mbërriti në ambientet e ceremonisë me bashkëshorten Linda, ndërsa filloi të takohej në grupe me të ftuarit. I paorientuar shumë në sallën e madhe që ishte e tejmbushur, Rama takohej me grupe pensionistësh, të cilët e mbështesnin në punën e tij, me të rinj të forumit rinor, por edhe me gra të shumta, që gjithë entuziazëm takonin bashkëshorten e tij. Pak para se të niste ceremonia, zv.ambasadorja amerikane në Tiranë, Debora Xhons, takoi çiftin Rama, duke i uruar për këtë festë e më pas ajo u ndal tek grupi i profesorëve, Meidani, Zeqo e Lakrori. Pas saj, mbërriti dhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Volfarth, ndërsa ambasadori i BE-së, Sequi, kishte mbërritur më parë. Pas fjalës së tij, Rama, me një gotë vere në dorë, nën shoqërinë e bashkëshortes, uroi përvjetorin e krijimit të partisë, ndërsa shkëmbeu batuta kryesisht me deputetin Pandeli Majko, Blendi Klosin, por edhe me disa krerë bashkish, si Qazim Sejdini, Vangjush Dako e Gjergji Goro. Ceremonisë festive i mungoi torta tradicionale, ajo që në 18-vjetorin e PS, Rama kërkoi të pritej nga një punonjëse e vjetër e aparatit të selisë rozë. Një e nga një të ftuarit nisën të largohen. Servet Pëllumbi e Moikom Zeqo u ulën në bar-kafenë e Sheratonit, ndërsa të tjerë nisën të largohen. Pasi qëndroi për rreth treçerek ore nën shoqërinë e të ftuarve, që herë pas here vinin e takonin, si të zgjedhurit e rinj, Gjergji Goro në Himarë, Salvator Kaçaj në Shëngjin etj. Rama përcolli bashkëshorten, ndërsa në pjesën tjetër të hotelit ai qëndroi gjatë me deputetin Tom Doshi, ndërsa një grup i madh deputetësh ishin të ulur në një tavolinë tjetër bashkë me numrin dy të PS, Gramoz Ruçi.

Rama uron Zenelin, Çuçin dhe Kiço Blushin

Rama, gjatë takimit me Bashkim zenelin 

Kreu socialist, i shoqëruar nga bashkëshortja Linda në takimet e tyre të djeshme me të ftuarit, të cilët ishin mbi 700, ka uruar dhe një grup intelektualësh të njohur, si: Bashkim Zeneli, Kiço Blushi dhe Leontiev Çuçin. Rama, duke shkëmbyer batuta me ta, kryesisht me shkrimtarin e njohur dhe analistin Kiço Blushi, u ka uruar atyre përvjetorin e Partisë Socialiste. Dy prej tyre kanë qenë protagonistë në kohën e krijimit të Partisë Socialiste në qershor 1991 e pas kongresit, duke përmbushur detyra dhe angazhime politike të ndryshme si të mandatuar të kësaj partie. Bashkim Zeneli, në vitin 1991, me krijimin e Partisë Socialiste, ishte sekretari i Parë i Marrëdhënieve me Jashtë në Partinë Socialiste e më pas diplomat karriere deri në vitin 2005, i njohur si një prej figurave liberale në PS-në që doli pas shkrirjes së Partisë së Punës. Zeneli ka mbajtur kontaktet me faktorët ndërkombëtarë për PS gjatë periudhës 92-97 kur PS ishte në opozitë e më pas u emërua ambasador. Ndërsa Leontiev Çuçi, ndër sekretarët e periudhës së parë të krijimit të Partisë socialiste e më pas diplomat, janë konsideruar si bërthama themeluese e Partisë Socialiste në vitin 1991. Çuçi u angazhua si sekretari i marrëdhënieve me jashtë në vitin 2009 në partinë e re të Petro Koçit, PSV91.

Të ftuar, edhe dy anëtarët e KQZ-së

Rama e Subashin 

Në ceremoninë festive të Partisë Socialiste dje në hotel Sheraton, ishin të pranishëm dhe dy anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të propozuar nga Partia Socialiste. Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi dhe anëtari tjetër i tij, Artan Laze, ishin të ftuar nga selia rozë. Në një moment kur kreu socialist ishte në dalje nga salla bashkë me bashkëshorten, Rama i ka përgëzuar dy anëtarët e KQZ-së për pjesëmarrjen e tyre, ndërkohë ka marrë prej tyre urimet për përvjetorin e 20-të të krijimit të Partisë Socialiste. Dy anëtarët e KQZ-së janë takuar dhe përgëzuar nga dhjetra të pranishëm në këtë ceremoni për qëndrimin e tyre në këtë komisionin gjatë debateve për rezultatin e Tiranës në zgjedhjet e 8 majit. Nuk munguan në këtë festë dhe ish-anëtarë të tjerë të KQZ-së të propozuar nga PS, si Fatmir Kumbaro e Flamur Qato.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here