Home Ekonomi Greqia nis kërkimin e naftës në Korfuz, pa percaktuar ende kufirin

Greqia nis kërkimin e naftës në Korfuz, pa percaktuar ende kufirin

594
0

Edhe pse më një vijë kufiri të paqartë me Shqipërinë, Greqia, e zhytur në krizë ekonomike, ka vendosur javës që shkoi të hapë tendera për kërkime nafte e gazi në zonën e Ishullit të Korfuzit.Sipas “Zërit të Amerikës”, Greqia ka njoftuar një program kërkimesh të naftës dhe gazit në detin Jon, në zonën detare të Korfuzit, qytetit fqinj me Shqipërinë. Sipas burimeve të shtypit grek, që i referohen zyrtarëve të Ministrisë greke të Mjedisit dhe Energjisë, ky program pritet të përfshijë vitin e ardhshëm angazhimin e Kompanive Ndërkombëtare në kërkimet në këtë zonë detare. Kërkimet, sipas njërës prej gazetave kryesore greke, “To vima”, bazohen në parimin e “vijës së mesit apo distancës së baraslarguar në mes të të gjitha territoreve të vendeve të interesuara për të vendosur kufijtë e zonës detare të detit Jon. Burimet e shtypit grek pohojnë se qeveria greke nuk do të marrë pjesë në shpenzimet për studimet sizmike. Sipas gazetës “To Vima”, qeveria greke synon të nxjerrë në pah struktura gjeologjike dhe burimet e mundshme të naftës, për të nisur në vitin 2012 një seri dhëniesh me konçesione në fusha të caktuara detare. Hapat vijnë pas një serie reformash në privatizime dhe konçesione që qeveria e Jorgo Papandreut ka ndërmarrë kohët e fundit për të zbutur efektet e krizës së rëndë ekonomike që ka mbërthyer vendin.
Tenderat
Në fakt, Greqia ka më shumë se një vit që përhap shpesh lajme (sa herë që afrohet pagimi i borxheve apo kërkohet ndihmë emergjente nga jashtë) për kërkime nafte dhe gazi në detin Jon apo pranë Ishullit të Kretës. Por, duket se këtë radhë gjërat janë më serioze. Para katër ditësh, agjencia “Associated Press” shkruante se Ministria e Mjedisit në Greqi ka hapur tenderin ndërkombëtar për zbulimin e naftës dhe gazit. Kjo, me dëshirën për të nisur eksplorimin në fillimit të vitit 2012. “Greqia, e goditur nga kriza, do të shpallë një tender ndërkombëtarë për eksplorimin e naftës dhe gazit në Jug të Ishullit të Kretës dhe në Perëndim të detit Jon”, theksonte agjencia më 7 qershor. Më datë 30 maj, gjatë një konference për energjinë, Zv. ministri grek i Ambientit dhe Energjisë, Yiannis Maniatis, theksoi se “qeveria greke do të fillojë procedurat e tenderit, në vitin 2012, pas përfundimit të studimeve sizmike në këto rajone”. Sipas “Associated Press”, kërkimet e naftës dhe gazit në Greqi kishin ngelur pezull, për shkak të mosmarrëveshjeve për kufirin detar që grekët kishin me shtetin Turk.
Kufiri
Por Greqia nuk ka problemeve kufiri vetëm me Turqinë. Në detin Jon Greqia akoma nuk ka një vijë kufitare me Shipërinë. Kjo ishte arsyeja që lajmi i këtyre ditëve riktheu edhe një herë në vëmendje nxitimin e qeverisë Shqiptare dhe asaj Greke për mbylljen e shpejtë të marrëveshjes për ndarjen e ujërave mes dy shteteve. Greqia dhe Shqipëria nuk kanë arritur ende të finalizojnë një marrëveshje për kufijtë detarë mes të dyja vendeve. Gjykata Kushtetuese e rrëzoi në prill të vitit 2010 një marrëveshje që ministrat respektivë të Punëve të Jashtme, të të dy vendeve, firmosën fundin e Prillit të vitit 2009 në Tiranë. Marrëveshja e titulluar “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të Shelfit Kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin, në bazë të së drejtës ndërkombëtare” kishte pasur ndër të tjera , sipas Gjykatës Kushtetuese, mangësi të theksuara në përmbajtjen e saj dhe binte ndesh me disa nene në Kushtetutën shqiptare. Qeveria shqiptare akoma nuk ka reaguar zyrtarisht për këtë plan të Greqisë. Nuk dihet akoma me saktësi zona ku do të bëhen kërkimet greke për naftë dhe gaz, por dihet se nafta dhe gazi gjenden në zona të shtrira me kilometra nën ujë. Shfrytëzimi i burimeve që mund të shtrihen edhe nën ujërat shqiptare, vetëm nga grekët, sigurisht që përbën një problem serioz për shqiptarët. Pasi pasuritë nënujore të zonave të gazit apo naftës nuk mund të shiten, duke bërë të paditurin për planet greke.

Tre firma, gati për tenderin

Rreth një muaj më parë, zv. ministri Grek i Ambientit kishte marrë tri oferta të forta për kërkimet e gazit dhe naftës në detin Jon dhe brigjet e Ishullit të Kretës. Pas kthimit nga Oslo, Yannis Maniatis njoftoi interesimin e tre kompanive norvegjeze, ndër më të mëdhatë në botë në fushën e studimeve sizmike, për kërkimin e naftës dhe gazit në detin Jon dhe brigjet e Kretës. Kjo tregon se plani grek për kërkimet në Jon ka kohë që ka filluar dhe grekët po lobojnë për gjetjen e mundësive të kërkimeve dhe nxjerrjes së gazit dhe naftës.

Aleanca Kuq e Zi: Autoritetet të hetojnë kërkimet greke

Pas lajmit për kërkimet e Greqisë në detin Jon, ka reaguar Aleanca Kuq e Zi. Në njoftimin e saj, ajo i ka bërë apel institucioneve shqiptare që të reagojnë për këtë rast, për të mbrojtur integritetin territorial të Shqipërisë. Aleanca Kuq e Zi ka shprehur qëndrimin kundër kërkimeve për naftë dhe gaz në detin Jon, pa përcaktuar më parë kufijtë detarë mes Shqipërisë dhe Greqisë. “Institucionet shqiptare të hetojnë këto kërkime që shteti grek synon të ndërmarrë në afërsi të bregdetit shqiptar dhe të garantojë që i gjithë ky proces të jetë transparent, pasi ekziston shqetësimi që këto kërkime mund të zhvillohen edhe në ujërat shqiptare, duke cënuar kështu sovranitetin shtetëror shqiptar”, thuhet në njoftimin e AK. Aleanca Kuq e Zi shprehu gjithashtu qëndrimin se kufijtë detar duhet të përcaktohen sipas standardeve europiane, bazuar në të drejtën dhe praktikën ndërkombëtare dhe në asnjë mënyrë në shkelje të Kushtetutës së Shqipërisë.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here