Ministria e Drejtësisë bën publike dy emërimet e reja.
Zyra e ministrisë së Drejtësisë, njofton se, ka emëruar në dy institucione në varësi të saj, Artur Zoton në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, duke zëvendësuar kështu, Gazmend Dibrën, si dhe Ilirjan Muho në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (Hipoteka).
Kush është Artur Zoto
Artur Zoto ka lindur në Përmet, më 02.10.1974.
Nga viti 1993- 1996 ka kryer studimet pranë Akademisë së Policisë, Tiranë.
Në vitin 2005 nis studimet pas- universitare në fushën e Kriminologjisë në Universitetin Leicester, në Mbretërinë e Bashkuar.
Ndërsa në vitet 2009- 2010 merr titullin MA për Sigurinë Globale, për Studimet Master me kohë të plotë, përfunduar me rezultatin “Merit” në Universitetin e Sheffield-it në Mbretërinë e Bashkuar.
Ai është vlerësuar me Çertifikatë Mirënjohje nga misioni PAMECA.
Gjatë viteve 2006- 2013 ka punuar si Koordinator Kombëtar i Luftës kundër Kultivimit të Bimëve Narkotike; Specialist për Hetimin e Aseteve Kriminale; Specialist në Sektorin e Planifikimit Strategjik; Shef i Sektorit Kundër Trafikimit; Specialist në Sektorin kundër Lëndëve Narkotike, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Ndërsa në vitet 2005- 2006, ka qenë anëtar i grupit të punës për zhvillimin e strategjisë 7- vjecare të Policisë së Shtetit (2007- 2013), atashuar pranë misionit PAMECA.
Gjatë viteve 2003- 2005 ka mbajtur detyrën e Shefit të Komisariatit Nr. 3 në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë dhe nga 2001- 2003 ka shërbyer si Specialist në Sektorin për Hetimet e Veçanta, atashuar në Prokurorinë e Përgjithshme, Drejtoria kundër Krimit të Organizuar.
Gjatë viteve 1996- 2001 ka mbajtur detyrën e Specialistit në Sektorin kundër Terrorizmit; në Sektorin Kundër Lëndëve Narkotike dhe kundër Krimeve në Drejtorinë e Policisë Qarkut Tiranë dhe Fier.
Muho
Burime pranë qeverisë, konfirmojnë, se ish-anëtari i KQZ, Ilirjan Muho u emërua sot në postin e drejtorit të Përgjithshëm të Hipotekave.
Kush është Ilirjan Muho
Ilirjan Muho ka lindur më 11.11.1968 në Fier.
Ai ka kryer studimet e larta për Drejtësi, në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës, nga viti 1986-1990. Ka krye edhe një sërë kualifikimesh pasuniversitare në fushën e të Drejtës Penale.
Në vitet 1990- 2000 ka punuar në organet e Drejtësisë si hetues dhe prokuror.
Në vitet 2000- 2003 ka punuar si drejtues i Prokurorisë së rrethit Fier.
Ndërsa në vitet 2005- 2009 ka punuar si avokat.
Në vitin 2009 është emëruar Zv. Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe njëherazi, mbante detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Kompensimit të Pronës.
Në vitin 2010 është emëruar Zv. Ministër i Punëve Publike dhe Transportit.
Në vitin 2011 ka ushtruar funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës dhe më pas, është emëruar Anëtar i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.