“Jemi në rrezik. Mund të na vrasin, mua, burrin dhe vajzën…”. Zëri i dridhet dhe mezi arrin të shqiptojë emrin e saj. Në anën tjetër të telefonit është Manushaqe Coli, kunata e të penduarit të drejtësisë, Adriatik Coli, dëshmia e të cilit zbardhi krimet e kryera nga e ashtuquajtura si Banda e Durrësit. Gruaja 43-vjeçare, së bashku me të shoqin dhe vajzën, ishte marrë në mbrojtje, fill pasi Adriatik Coli, u pendua dhe bashkëpunoi me drejtësinë. Me një identitet të ri, vëllai i Colit, kunata dhe mbesa, kishin jetuar në Gjermani. Por më 25 qershor 2013, dy ditë pas zgjedhjeve parlamentare janë sjellë në Shqipëri, për shkak se kanë humbur statusin e personave të mbrojtur. Manushaqe Coli, pretendon se nuk ka asnjë dijeni përse institucionet e kanë lënë në mëshirë të fatit, atë dhe familjen e saj. Por, ndihet tmerrësisht e frikësuar nga çfarë mund t’i ndodhë. “Kam frikë jo vetëm nga anëtarët e bandës, por edhe nga familjarët e të vrarëve. Kunati im spiunoi shokët. Nuk dimë ç’të bëjmë. Mund të na vrasin. Jeta jonë është në rrezik”, shprehet gruaja në një intervistë për “GSH”. Ndërkaq, zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, pranojnë se tre pjesëtarët e familjes Coli e kanë humbur statusin e të mbrojturit, pasi kanë shkelur ligjin, por nuk japin detaje, pasi çdo informacion që del nga Zyra për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, konsiderohet ’tepër sekret’.
Kush jeni?
Unë jam Manushaqe Coli, 43 vjeç, kunata e Adriatik Colit. Besoj se emri i tij, ju kujton që është i penduari në procesin gjyqësor ndaj Bandës së Durrësit.
Ku ndodheni?
Jam në një vend të Europës. Ju po jua them, por ju lutem mos e nxirrni.
Përse?
Sepse kam frikë, shumë frikë. Për jetën time, të burrit, por më tepër për jetën e vajzës.
Nga kush frikësoheni? Keni ndonjë problem?
Po. Kemi hall shumë të madh. Unë bashkë me burrin Rolandin dhe vajzën, që tani është 21 vjeçe, u morëm në mbrojtje, nga Zyra për Mbrojtjen e Dëshmitarëve, menjëherë pasi kunati Adriatik Coli, pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë.
Nuk jeni më të mbrojtur?
Jo, nuk jemi më në sistemin e të mbrojturve. Na kanë nxjerrë që prej datës 24 qershor 2013, një ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit.
Si ndodhi?
Ne ndodheshim në Gjermani, ku kemi qëndruar për dy vite e një muaj. Kishim identitet të ri. Unë quhesha Ana. Gjithçka shkonte shumë mirë. Më 24 qershor 2013, në Gjermani, mbërriti A. Muça, drejtori i Zyrës për Mbrojtjen e Dëshmitarëve. Ai na tha që do të ktheheshim në Shqipëri.
Me çfarë argumenti ju kërkoi të ktheheshit në Shqipëri?
Sipas tij ne nuk mund të integroheshim dot në Gjermani, me jetën atje, ndaj duhet të ktheheshim.
Po më pas?
Më datë 25 qershor 2013, unë vajza dhe burri, zbritëm në Rinas. Nuk e kishim menduar asnjëherë që do të na nxirrnin jashtë sistemit të mbrojtjes, do ta në linin në mes të rrugës.
Cili ishte itinerari i udhëtimit?
Nga Hamburgu i Gjermanisë, ne qëndruam tranzit në Stamboll dhe më pas në Rinas. Me ne udhëtoi përkthyesja G.M dhe një oficer.
Çfarë ju thanë kur mbërritët në Shqipëri?
Na dërguan në një shtëpi në afërsi të Sanatoriumit, na morën pasaportat me të cilat na kishin pajisur kur na dërguan në Gjermani. Në ato pasaporta ne kishim identitete të tjera.
Ku shkuat pastaj?
Për një muaj ne kemi qëndruar në Shqipëri. Gjithandej, ku kemi mundur. Gjatë kësaj kohe, takuam zyrtarë të prokurorisë, të cilët na thanë që jemi të rrezikuar për jetën. Gjatë këtij muaji, mundëm të shkonim në Drejtorinë e Policisë në Durrës, ku u pajisëm me pasaporta. Kemi dalë fill më pas jashtë Shqipërisë, ndodhemi në shtetin x. Por edhe pak ditë na përfundon afati prej tre muajsh, që na lejohet të qëndrojmë dhe në duhet të kthehemi.
Keni frikë?
Tmerrësisht shumë. Në çdo moment mund të na vrasin. Kunati im spiunoi shokët. Kemi frikë jo vetëm nga anëtarët e bandës, por edhe nga familjarët e viktimave. Kunati im ka folur dhe ne kemi frikë nga ndonjë hakmarrje. Kemi mbetur në mëshirë të fatit. Sot nuk ta fal njeri gjakun, do të hakmerren mbi ne.
Sa pjesëtarë të tjerë të familjes Coli janë të mbrojtur?
Adriatiku me familjen si dhe tre vëllezërit e tjerë me familjet e tyre. Në total 17 persona kemi qenë të mbrojtur.
Po Adriatikun e dini ku ndodhet?
Nuk duam të dimë për të. Njëherë e takoi burri në spitalin e burgut, para disa vitesh. Ai na bëri gjëmën, na mori në qafë, as me sy, s’duam ta shohim.