54-vjeçarja Zana Çikopana vuri këmbë si nuse 35 vjet më parë në pallatin ku banonte familja e Edi Ramës në lagjen “21 Dhjetori” në Tiranë. Edi ishte asokohe rreth 12 vjeç dhe bashkë me fëmijët e tjerë të lagjes, siç ishte zakoni, shkoi edhe ai për të parë nusen e sapoardhur një kat më poshtë. “Takimi i parë me Edin e vogël ka qenë atë ditë kur isha e veshur me fustan të bardhë. Ai ka hyrë, më ka parë me kureshtje, dhe siç më thanë më vonë kishte lajmëruar të ëmën i çuditur, por edhe entuziast se ‘Spiro e kishte rrëmbyer nusen, e kishte marrë me dashuri”, – kujton Zana, atëkohë fqinja e re e familjes së Kristaq Ramës.
Me shtat të hedhur më tepër se moshatarët e tij, shumë kureshtar dhe inteligjent, i shkëlqyer në mësime, i dhembshur dhe bujar. Sidomos kështu e mbajnë mend fqinjët e tij në hapat e vegjëlisë Edi Ramën. Dhe janë edhe sot po ata fqinj, kanë kanë mbetur po aty, sikurse 35 vjet më parë, në të njëjtin pallat, ku jeton ende edhe nëna e Ramës, Aneta. Kanë një jetë të tërë që jetojnë në paqe dhe miqësi me njëri-tjetrin, pavarësisht se Aneta dhe Kristaq Rama ishin ‘intelektualë’ dhe Zana e Spiro ishin ‘familje punëtorësh’.
“Ndihem keq kur Edi Ramën e quajnë ‘bllokmen’ apo ‘familje bllokmenësh’. Familja e tij tërë jetën ka jetuar në këtë pallat e jo në Bllok”, – thotë Zana. Pallati në fjalë është ndërtuar në vitin 1962 dhe ndodhet në atë segment të Unazës, që nga njëra anë ka urën e Lanës, e nga ana tjetër kryqëzimin që brenda lagjes të gjithë e njohin ende si: ’21 Dhjetori’. Pallati tashmë është lyer ngjyra-ngjyra nga ish-banori i lagjes, Edi Rama.
Kristaqin dhe Anetën, dy prindërit e Edit, Zana i mban mend si banorë krejt të zakonshëm. “Privilegje? Çfarë privilegjesh?! Kristaqi ngrihej natën bashkë me ne për në radhën e qumështit…” – thotë Vera. Asaj i kujtohet mirë që gjyshe Vera iu punonte me shtiza pulovra shumë të bukura të dy nipërve që ishin si dy binjakë; Edit dhe Olsit. “Dinte gjuhë të huaja që në atë kohë ajo gjyshe. Ne mësonim shumë prej saj, ishte motra e piktorit Zef Kolombi. Shumë e thjeshtë dhe e dashur”, – kujton po Zana.
Ajo nxjerr më pas nga kujtesa detaje të tjera se si linin çelësat tek njëri-tjetri, se si familja Rama iu vinte në dispozicion telefonin për çdo hall fqinjëve, se si Neta, – siç e thërret ajo Aneta Ramën, – shkonte iu vizitonte fëmijët kur ata sëmureshin etj.
Zana kërkon ta besojmë kur ripërsërit betimin e vjetër: ‘Për kokën e fëmijëve, për hir të së vërtetës po flasim, se na vjen kaq keq kur hidhet baltë me të padrejtë për atë familje. Më mirë se ç’e njohim ne nuk e njeh kush dhe ata kanë qenë të gjithë njerëz të mrekullueshëm në çdo drejtim”, thotë ajo. Tundin kokën duke miratuar edhe bashkëshorti i saj Spiro dhe fqinjët e tjerë aty afër Antigona apo e bija Irisi.
“Kristaqi na trajtonte si shokë. Shtëpia e tyre ishte një shtëpi me shumë hyrje-dalje, shtëpi me pleq, si i thonë, e plus kësaj aty vinin edhe shumë studentë të Kristaqit nga gjithë Shqipëria, edhe nga Tropoja, Kosova, se ata ishin me zemër të madhe e mbanin dyert hapur”, thotë Spiro Çikopana.
“Edi edhe rrobat hiqte nga trupi për shokët. Nisej në stërvitje me bluzë e vinte pa bluzë, -“, – futet sërish në bisedë Zana. Ajo sjell ndërmend edhe ritualet kur Edi i vogël kthehej nga stërvitja dhe linte tek ajo topin, rrobat e sportit: “Teta Zana, m’i mbaj një çik këto, se do dal me shokët – më thoshte, – Sidomos gjyshe Verën, atë Edi e kishte pikë të dobët”.
Fqinjët kujtojnë edhe situatën e vështirë për ta kur Edin e rrahën në ’97-ën. “Druheshim t’ia thonim Netës…Isha unë që ia dhashë lajmin dhe e shoqërova me makinë në spital”. – “Neta atëkohë tha vetëm: “më rrahën djemtë!”, – kujton Spiro Çikopana. Edin e gjetën të goditur dhe gjakosur në hundë, buzë, faqe, në gjithë fytyrën. “Kjo ndoshta bëri që fill pas kësaj të dy vëllezërit të iknin nga Shqipëria; Olsi në SHBA dhe Edi në Francë”, – thotë Zana e më pas kujton edhe kthimin e parë të Edit në Tiranë në 1998-ën, kur i vdiq i ati.
“E ka pasur tmerr vdekjen e të atit ai njeri. Kristaqi ka qenë burrë artist dhe prind me zemër të madhe, që ka pasur edhe një dialog të mrekullueshëm me të bijtë. Ata e kishin të atin si shok. Por Kristaqi ia kishte merakun sidomos Edit, se mos e pësonte me guximin dhe rebelizmin që kishte kundër komunizmit. Për ne, Edi dhe Olsi, kanë mbetur po ata që kanë qenë. E mirë Edin që e kanë përballë në politikë, por me familjen e tij ç’kanë…!”, – mbyllin bisedën fqinjët.
* * *
Kur përmes Alpeve makina me Saliun po zbriste në Tiranë
Sali Berisha është fëmija i tretë i Ramë Halil Berishës dhe Sheqere Ramë Berishës nga lagja Prifç, fshati Viçidol, Tropojë-Fshat. Siç shpjegojnë pjesëtarë të fisit Berisha, babai i Saliut ishte fshatar i varfër, kurse xhaxhai i tij, Zeqir Halil Berisha, ishte një pleqnar i njohur, njeriu që është kujdesur për shkollimin e Sali Berishës, një gjë shumë e rëndësishme në një zonë ku 90% ishin analfabetë. Siç thotë Deli Metaliaj, edhe sot Zeqir Halili kujtohet nëpër malësi kur shkonte me vraçin e tij (kalin).
Hasimja, e afërme nga gjyshja me kryeministrin Sali Berisha, thotë për “Shekulli”-n, se aktualisht në Viçidol jetojnë disa kushërinj të kryeministrit, më i afërmi i quajtur Naim Qazim Berisha. Një kushëri i parë, Ahmet Xhemë Berisha, mbi 75-vjeçar, jeton në Bajram Curri.
Ramë Halil Berisha, babai i Saliut, ka pasur dy djem dhe një vajzë. Djali i madh, Selim Berisha, ka qenë mësues dhe ka vdekur i ri, rreth 50 vjeç në vitin 1988 nga zemra. Në atë kohë dr.Berisha ishte një ndër kardiologët më të mirë të vendit. Saliu ka një motër mbi 70 vjeç, e martuar në Margegaj ( tani jetojnë në Tiranë), e quajtur Hajri Ramë Osmanaj. Si prindërit dhe motra kanë qenë analafabetë, të pashkolluar, por siç e cekëm më lart, xhaxhai, Zeqir Halili ka qenë i mençur dhe ka shkolluar Saliun dhe Selimin. Bile, siç thonë të afërmit e Sali Berishës, për nga këmbëngulja, ai përngjet me xhaxhain e tij.
Sali Berisha është nip prej fisit të Gashit në Çelaj, ku akoma ndodhen disa nga të parët e prindërve të nënës së tij, Sheqeres.
Nga pinjollët e familjes sot janë me dhjetëra të shpërndarë brenda e jashtë Shqipërisë. Babai i Saliut, Ramë Halili, ka pasur një vëlla e një motër. Edhe nëna e ish-kryebashkiakut të Tropojës, Nuredin Ahmetaj, është kushërirë e kryeministrit. I të njëjtit fis është edhe Miftar Berisha, drejtor i filialit të telekomit Bajram Curri. Ata janë krenarë për kryeministrin e sotëm dhe mburren vazhdimisht me të. Ahmet Xhema, një burrë rreth të 75 vjetëve, është njeriu më i afërm i Sali Berishës që jeton aktualisht në qytetin Bajram Curri. Ai asnjëherë nuk mburret me Saliun, por e sheh rrallë nëpër rrugicat e qytetit të shoqëruar me shokët e tij pensionistë apo edhe më rrallë në ndonjë kafene, duke gjerbur kafenë e mëngjesit.
Babai dhe nëna e Sali Berishës, gjatë periudhës së dimrit shkonin shpesh në Tiranë dhe qëndronin në shtëpinë e Berishës, kurse gjatë verës ktheheshin në kullën e tyre në Viçidol te djali tjetër i madh, Selimi.
Rinia dhe një artikull për Saliun në “Bashkimin” e 1959-s
Mjeku Rexhep Ndoçi ruan ende të freskëta kujtimet për Saliun, djalin nga Viçidoli i Tropojës së Vjetër. Ishte pikërisht ndërhyrja e doktor Rexhepit që Sali Berisha të fillonte mësimet në politeknikumin mjekësor në Tiranë në vitin shkollor 1958-1959.
M’u kujtua kjo bisedë e bërë me doktor Rexhep Ndoçin, ndërsa lexoja një libër të publicistit Ramiz Lushaj. Në rreshtat e këtij libri lexojmë edhe një shkrim shkruar nga Murat Gecaj në gazetën “Bashkimi” 52 vjet më parë, në nëntor të vitit 1959. Shkrimi mban titullin “Ëndrra po realizohet”. Ja pjesë nga ky artikull:
“…Sigurisht ju nuk e njihni Saliun. Dhe kini të drejtë. Për ta njohur duhet të kishit qenë në shkollën 7- vjeçare “Asim Vokshi” të Tropojës… Gjithë verës Saliu priste që t’i jepej bursa për në politeknikumin mjekësor të Tiranës. Dhe çasti i pritur me aq padurim erdhi. Seksioni i arsimit e njoftoi Saliun se ia dha bursën atje ku e kërkoi…
U nda Saliu nga prindërit dhe makina kaloi Alpet e udhëtonte nëpër fushat e gjera të Atdheut. Mendjen e kishte te prindërit, por zemra sa s’i gufonte prej gëzimit. Ai shkonte për të parën herë në kryeqytetin tonë, në Tiranën e bukur. Në shkollë gjeti shokë dhe shoqe, në gjirin e të cilëve filloi të ndiejë veten si në familjen e tij. Saliu nuk dyshon se dëshira e tij do të plotësohet për t’u bërë mjek dhe për t’i shërbyer popullit…”
Sali Berisha në 1967 përfundoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë. Kur u emërua pedagog pranë atij fakulteti u largua përfundimisht nga vendlindja e tij, Tropoja. Më pas mori titujt “Doktor i shkencave” (1988) dhe “Profesor” (1989). Dhe vërtet.. Ëndrra e djaloshit nga Alpet, Sali Berisha, u bë realitet, megjithëse ka vite që “tradhëtoi” profesionin e kardiologut, duke e ndërruar me atë të politikanit. A thua bëri zgjedhjen e duhur?