Në qytetin e Durrësit këtë javë, banorët panë me habi disa makina të vjetra, të rralla dhe që nuk i shikon përditë në rrugët e Shqipërisë, të cilat ishin parkuar para Bashkisë së qytetit. Mjetet e vjetra ishin sllovene, kosovare, serbe dhe mes tyre edhe një makinë tip ” M G”, prodhim anglez e vitit 1952.
Ajo kishte targë nominale që i përkiste Komunitetit Europian dhe kishte 2 flamuj, flamurin slloven dhe atë shqiptar. Mjetet u përkisnin markave të ndryshme si Citroen, Volvo, etj. Teksa mjetet e kishin parkuar, pronarët po vizitonin në këmbë vendet historike të qytetit të Durrësit. I takuam në afërsi të mureve të Amfiteatrit të Durrësit dhe u interesuam për qëllimin e vizitës së tyre në Durrës.
Na thanë se kishin ardhur në Durrës për të parë nga afër vlerat historike të këtij qyteti të lashtë dhe se kishin ardhur direkt e nga Prizreni ku kishin marrë pjesë në një aktivitet ndërkombëtar të automobilizmit. Të 4 ekipet ishin miq. Mes tyre ishte edhe nje çift serb i cili kishte ardhur nga Beogradi tek miqtë e tij kosovarë. Johanevici i cili kishte makinën angleze me targa BG 827- 089 tha se po vinte nga Beogradi nepërmjet Kosovës ku kishte qënë mysafir në Prizren.
Ai tha se ishte mahnitur nga vlerat e këtij qyteti si dhe për mikpritjen që kishte gjetur në Durrës. Ai shtoi se ishte i apasionuar pas automobilizmit të vjetër dhe se mjetin e vet e kishte blerë i pari që në vitin 1960 dhe që atëherë ai e kishte mbajtur fort këtë si një objekt të çmuar. Kosovari që i shoqëronte kishte nje mjet “Volvo” të atyre viteve dhe tha se vinte nga Kroacia. Jozhe Chcek qe nga Ljubjana dhe tha se kishte udhëtuar rreth 1600 km për të ardhur deri në Durrës.
Ata kishin ardhur nga Rruga e Kombit dhe do të largoheshin nepërmjet Shkodrës drejt Malit të Zi. Për mjetin e tij në ngjyrë të kuqe me targa LJ R4 – 089, slloveni tha se ishte nje Citroen i mesit të shekullit të kaluar dhe se ky model është prodhuar në vitet 70 edhe në qytetin Coper të Sllovenisë. Gruaja e tij Vida Check tha se vinte për herë të parë dhe se ishin shumë të kënaqur nga Durrësi.
“Udhëtimi me mjete të vjetra i afron më shumë njerëzit e vëndeve të ndryshme, pasi kur makinat shfaqin difekte të ndryshme je i detyruar të hysh në marrëdhënie me njerëz që të afrojnë ndihmë, por edhe sheh më shumë vënde piktoreske kur ndalon”, tha ajo.
Interes paraqiste mjeti anglez ” M G”, për format arkaike të prodhimeve të para automobilistike që i ruante. Viti i prodhimit 1952 zinte edhe vendin e nderit në rradhën e mjeteve të tjera. Prandaj edhe kryesonte si makina flamurtare e autokolones turistike.