Home Aktualitet Zbulohet grafia: Plumbi që vrau Aleks Nikën

Zbulohet grafia: Plumbi që vrau Aleks Nikën

610
0

Nëna, motrat, bashkëshortja dhe dy vajzat që la pas Aleks Nikaj vazhdojnë të presin që drejtësia të vihet në vend, dhe të gjendet autori i vrasjes së të dashurit të tyre. Aleks Nikaj u vra në demonstratën e 21 janarit, teksa qëndronte me duar në xhepa përballë Këshillit të Ministrave, në oborrin e të cilit qenë “ngujuar” mbi 300 efektivë të Gardës së Republikës që i kishin drejtuar tytat e armëve të zjarrit mbi protestuesit që ndodheshin jashtë rrethimit të ndërtesës.

Siç duket, pritja e të afërmve të Nikajt do të zgjasë përjetësisht, pasi ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore pranë Ministrisë së Brendshme e kanë shpallur predhën që i shkaktoi vdekjen 36 vjeçarit – pa vlera identifikuese. Sipas shkresës zyrtare që ky institucion ka dorëzuar në Prokurorinë e Tiranës, predha është e dëmtuar në atë masë që nuk mund t’i nënshtrohet më ekspertizës krahasuese e balistike, për të identifikuar tytën e armës nga e cila mendohet se është qitur, madje nuk krahasohet dot as me gëzhojat e sekuestruara menjëherë pas ngjarjes në oborrin e kryeministrisë.

“Predhës së gjetur dhe të nxjerrë nga koka e shtetasit Aleks Nikaj, predhë që i shkaktoi edhe vdekjen, i është dëmtuar gjatësia dhe nuk ka gjurmë të vlefshme identifikuese me tytat e armëve dhe gëzhojat e gjetura në pjesën veriore të ndërtesës së Këshillit të Ministrave më 21 janar 2011. Ky lloj plumbi është i kalibrit 9 mm që përdoret nga armë të ndryshme, duke filluar nga “MP-5”, “Bereta”, “Makarov” etj.” – shkruhet ndër të tjera në raportin që Instituti i Policisë Shkencore ka dorëzuar pranë grupit hetimor të pasojave të demonstratës së 21 janarit. Kjo predhë, tashmë e shpallur si provë pa vlera identifikuese, është nxjerrë nga koka e viktimës Aleks Nikaj në një klinikë të Ankarasë, në Turqi, ku 36 vjeçari u dërgua pak ditë pas plagosjes për mjekime më të specializuara. Por, pavarësisht kësaj, Nikaj nuk arriti t’i shpëtojë vdekjes së ardhur prej këtij fisheku të kalibrit 9 mm. që ka shumë mundësi të jetë nxjerrë nga tytat e armëve të tipit “MP-5”, me të cilat qenë pajisur efektivët e Gardës së Republikës ditën e demonstratës.

Trupi i Nikajt u soll në fshatin e tij Grykë-Manat të komunës Kolsh të Lezhës më 7 shkurt 2011, e të nesërmen e kësaj dite u përcoll me nderime nga qytetarë prej vendeve të ndryshme të të Shqipërisë, si dhe deputetë të Partisë Socialiste.

Por historia e predhës nuk mbaron këtu. Autoritet turke i shtuan mister çështjes, sepse edhe pse sollën trupin e pajetë të 36 vjeçarit Nikaj në Shqipëri, nuk sollën bashkë me të autopsinë dhe predhën e nxjerrë nga koka. Shkak për këtë, sipas burimeve të prokurorisë tonë, ishte fakti se legjislacioni penal turk, parashikonte fillimin e procedimit penal për çdo person që gjen vdekjen nga plumbi luftarak. Këtij procedimi iu nënshtruar edhe vdekja e Nikajt, dhe sipas burimeve zyrtare, autoritetet turke vetëm pasi morën informacion nga Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë, pushuan hetimin dhe i deleguan dosjen institucionit të akuzës në Shqipëri, së bashku me predhën e plumbit.

Mirëpo një pyetje që lind nga e gjithë kjo është “pse nuk u njoftuan autoritetet turke që në fillim, për të mos krijuar vonesa proceduriale?”. Misteri mbulon ngjarjen, ndërkohë që ende nuk shpjegohet nga ekspertët se si mund të jetë dëmtuar një predhë e hyrë në kokën e njeriut aq shumë sa të mos shërbejë më si provë.

“Plumbave të dëmtuar” të laboratorit u shtohen “rikoshetat” e avokatëve mbrojtës

Avokati mbrojtës i gardistit Agim Llupo, i akuzuar për vrasjen e Ziver Veizit në 21 janar, para gjyqtarëve të çështjes ka pretenduar se plumbi që i solli vdekjen Ziver Veizit, ishte rikoshetë dhe jo i drejtpërdrejtë. Ky pretendim besohet se do të jetë linja kryesore e mbrojtjes të të pandehurit Llupo ndaj akuzave të ngritura nga prokuroria për “vrasje në rrethana cilësuese”.

Avokati mbrojtës ka thënë: “Kërkoj lirimin e Agim Llupos, pasi ditën e demonstratës së 21 janarit ishte në krye të detyrës, duke mbrojtur institucionin e kryeministrisë. Për mbrojtjen e atij institucioni është betuar dhe nëse nuk do e mbronte do ndiqej penalisht. Në këtë rast, ai dhe kolegët e tij ishin në mbrojtje të kryeministrisë duke qëlluar në ajër me armët e tyre të punës për të ndaluar pushtimin e ndërtesës së kryeministrisë nga turma e demonstruesve.

Llupo ka qëlluar në ajër me armën e tij, në zbatim të ligjit për përdorimin e armëve dhe ruajtjes së institucioneve dhe në asnjë rast nuk ka qëlluar drejt turmës. Plumbi që është gjetur në trupin e viktimës është konstatuar nga ekspertët se ka dëmtime dhe është plumb rikoshet. Gjatë kryerjes së detyrës, klienti im e ka para të nevojshme të qëlloi në ajër për të trembur turmën, por, plumbi mund të jetë devijuar nga ndonjë send i fortë dhe e ka goditur Veizin.

Provat e sjella nga prokurori nuk provojnë se klienti im ka konsumuar veprën penale të cilën e ka ngritur prokuroria”. Kështu, me pretendimin se plumbat e gjuajtur në ajër “kanë bërë rikoshetë”, është përpjekur të justifikojë vrasjen e demonstruesit Ziver Veizi, avokati Genc Gjokutaj, që ka kërkuar lirimin e klientit të tij, Major Agim Llupos, para Gjykatës së Shkallës së Parë dhe asaj të Apelit.

Familja e Aleksit, shtetit: Kemi skanerin, mendohuni mirë..!

Shekulli iu drejtua dje pasdite familjes së Aleks Nikës, lidhur me lajmin që nga Laboratori i Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë i ka ardhur një shkresë zyrtare ku thuhet që plumbi që vrau Aleksin është dëmtuar dhe nuk shërben si provë. Më poshtë është përgjigja që morëm në emër të familjes, nga avokat Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës:

“…Ne si familje ende nuk kemi një komunikim zyrtar me prokurorinë për përfundimet e hetimit. Ajo që ju thoni se prokuroria ka arritur në përfundim se prova e plumbit është e papërdorshme është një lajm i rënde, për të cilin duhet të mendohen mirë kur ta argumentojnë. Ne si familje kemi skanerin e minutave të para të plumbit në kokën e Aleksit. Skaneri tregon qartë se plumbi është i padëmtuar dhe ka hyrë në kokë nga një pozicion vertikal nga lart poshtë dhe ka ndalur në tru.

Skaneri tregon qartë një plumb të padëmtuar me majë. Për fat ne e kemi skanerin. E ka edhe Prokuroria. Nuk besoj se plumbin e ka dëmtuar pinca e mjekut kirurg kur e ka nxjerrë në Turqi. Ndaj ju bëj thirrje të mendohen mirë se janë duke bërë një krim të dytë ndaj Aleksit, janë duke e rivrarë atë tani para syve të familjes. Pavarësisht hetimeve të prokurorisë ne kemi bërë hetimet tona dhe kemi dy indikacione të rënda.

I pari është që plumbi i përket një pistolete të një drejtuesi të lartë të Gardës dhe së dyti që Oficeri i Kontaktit i policisë shqiptare në Turqi, ka qenë shumë i interesuar rreth kësaj prove dhe ka shqetësuar disa herë autoritetet turke për këtë cështje. Nuk duam të ngrejmë gishtin ndaj askujt pa folur përfundimisht drejtësia, por askush të mos mendojë se mund të pranojmë një gënjeshtër të trashë, që plumbi është dëmtuar, kur skaneri tregon të kundërtën.

Por dhe nga ana logjike është qesharake të mendosh se një plumb që ka ngelur në tru, nuk ka ku të dëmtohet. Së fundmi dua t’i kujtoj prokurorisë procesverbalin e kqyrjes së Aleksit, në të cilin përshkruhet dhe gjurma e plumbit dhe plumbi. As aty nuk flitet askund për plumb të dëmtuar. Nëse na jepet ky përfundim ne do të kërkojmë t’i bëhet ADN e gjakut plumbit, pasi nuk përjashtojmë mundësinë ta kenë ndërruar, ose të kenë ndërhyrë me deformime fizike mbi të.

E sigurt është se plumbi i nxjerrë nga koka e Aleksit siç shihet qartë në skaner dhe siç përshkruhet në proceverbale, është i padeformuar dhe shumë i identifikueshëm se kujt arme i përket…”

* * *

Ziver Veizi

Vrasja e Ziver Veizit ka ndodhur jashtë rrethimit të kryeministrisë, si pasojë e një plumbi të marrë në gjoks. Fisheku është lëshuar nga arma e efektivit të Gardës së Republikës, Agim Llupos, që tashmë është nën arrest. Plumbi ka hyrë drejtpërdrejt në kraharorin e viktimës, në të djathtë të tij. Predha e gjetur në trupin e tij, i përket armës së llojit “MP-5” të kalibrit 9 mm. Veizi është viktima e parë që u vra në demonstratën e 21 Janarit 2010, pranë kryeministrisë.

Hekuran Deda

Hekuran Deda u vra me një plumb në kokë. Plaga ka qenë tejshpuese, pra predha ka dalë nga koka e tij, duke e lënë të vdekur. Dibrani Deda në momentin e vrasjes ndodhej në skelën e ngritur pranë një pishe, në Bulevard. Plumbi që i shkaktoi vdekjen mendohet se ka qenë e armës së llojit “MP-5”, kalibër 9 mm. pasi plaga e daljes është më e gjërë se hyrja. “Vrasësi” i Dedës ende nuk është zbuluar, pasi nuk është gjetur plumbi që e ka goditur.

Faik Myrtaj

Vrasja e Faik Myrtajt, ka ndodhur si pasojë e një plumbi pistolete, i kalibrit 9 mm. shkrepur nga njëri prej efektivëve të Gardës së Republikës që ndodhej brenda rrethimit të kryeministrisë. Plumbi e ka marrë në zemër, duke i shkaktuar vdekje të menjëhershme. Në momentin e vrasjes Myrtaj ndodhej tre metra larg trotuarit të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, afër Kullave Binjake. Autori mbetet i paidentifikuar pasi plumbi i gjetur në trupin e viktimës është deklaruar i pavlefshëm.

Aleks Nikaj

Aleks Nikaj ka vdekur si pasojë e një plumbi të marrë në kokë, qitur nga arma e një efektivi të Gardës së Republikës, kalibër 9 mm. Në momentin e goditjes nga plumbi, Nikaj ka qenë në mes të bulevardit, rreth 80 metra jashtë rrethimit të kryeministrisë. Autori i vrasjes së Nikajt mbetet ende i paidentifikuar pasi predha është deklaruar e dëmtuar dhe e pavlefshme nga ekspertët mjekoligjorë.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here