Home Aktualitet Policë civilë “spiunojnë” semaforët në kryqëzime

Policë civilë “spiunojnë” semaforët në kryqëzime

553
0

semaforePolicia Rrugore avancon më tej masat e saj ndaj drejtuesve të mjeteve, duke nxjerrë në terren grupe oficerësh civilë që monitorojnë semaforët. Prej disa ditësh në kryqëzimet kryesore të Tiranës, të spostuar nga rruga, janë vendosur efektivë policie të veshur civilë, pa shenja dalluese, të cilët raportojnë çdo rast të shkeljes së semaforit nga drejtuesit e mjeteve. Lajmi është bërë i ditur dje nga Ervin Dervishi, komandant i trafikut rrugor të Tiranës. Burimet nga Policia thanë se vendosja e grupeve civile që mbikëqyrin semaforët është pjesë e një plani masash të Policisë Rrugore për vitin 2014. “Bëhet fjalë për grupe kontrolli të pauniformuara apo të spostuara nga kryqëzimi, ku shërbimet e Policisë Rrugore verifikojnë në distancë dhe raportojnë te kolegët e tyre që janë me shërbim në rrugë”, theksoi Ervin Dervishi gjatë një deklarate të dhënë dje për “Vizion Plus”. Nga Policia mësohet se pas raportimit nga policët civilë, grupet e efektivëve me uniformë që janë me shërbim në rrugë ndalojnë këta kundërvajtës dhe marrin masat për pezullimin e lejes së drejtimit për shkeljen e semaforit të kuq. Vetëm dje, brenda një ore, në kryqëzimin e Laprakës janë pezulluar 20 patenta.

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, konfirmoi dje se nuk do të ketë asnjë kthim pas në urdhrin e dhënë për ndalimin e kalimit në kufirin shtetëror shqiptar për automjetet me gjoba të papaguara. Në një dalje para medias për bilancin e kriminalitetit në dhjetor 2013, krahasuar me dhjetorin e vitit 2012, ministri foli edhe për qarkullimin rrugor. “Ne nuk kemi ndaluar lëvizjen e qytetarëve. Urdhri i dhënë nga Policia e Shtetit pengon kalimin në kufi të automjeteve që kanë gjoba të papaguara”, tha Tahiri. Ai evidentoi faktin se qytetarët mund të informohen për gjobat që kanë në faqen e Policisë së Shtetit. Ministri e cilësoi ndalimin e makinave në kufi si një masë e detyruar shtrënguese që do të ndihmojë në ndërgjegjësimin e qytetarëve për detyrimet ndaj shtetit. “Nëse kanë gjoba të papaguara, qytetarët mund ta lënë makinën në kufi dhe të vazhdojnë lëvizjen”, theksoi Tahiri. Në raportin e tij para medias ditën e djeshme, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, theksoi se është rritur me 193 për qind numri i masave administrative, ndërsa janë ulur me 38% aksidentet me pasojë vdekjen. Sipas ministrit, janë ulur me 13% aksidentet në total, janë ulur me 20% aksidentet me pasojë plagosje të rënda dhe janë ulur me 8% aksidentet me plagosje të lehta.

Të dhënat e Ministrisë së Brendshme konfirmohen edhe nga Policia Rrugore e Tiranës, e cila dje ka pohuar se nga shërbimet e saj, për muajin dhjetor 2013 janë vendosur në total 20 934 masa administrative. Shumica prej këtyre gjobave mësohet se janë vendosur për “qëndrim të gabuar”. Duke detajuar të dhënat, Policia Rrugore ka bërë me dije se janë vendosur 1637 gjoba për parakalim të gabuar dhe ecje me shpejtësi dhe 9916 masa administrative për qëndrim të gabuar.

Gjobat e vendosura në dhjetor 2013
Totali: 20 934 masa administrative
• Për konsumim të alkoolit, 88 masa me 82 persona të
arrestuar në kushtet e flagrancës;
• Për ecje me shpejtësi të tej normave të lejuara, 35 masa;
• Për moszbatim të semaforit, 40 masa;
• Për mosvendosje të rripit të sigurimit, 5834 masa;
• Për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, 353 masa;
• Për parakalim të gabuar dhe ecje me shpejtësi, 1637 masa;
• Për qëndrim të gabuar, 9916 masa;
• Për përdorim të celularëve gjatë drejtimit të mjetit, 100 masa.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here