Policia dhe prokuroria e Krimeve të Rënda vijojnë të jenë në kërkim të personave që nën petkun e babagjyshit arritën të kryenin një prej grabitjeve më spektakolare të ndodhura ndonjëherë në vendin tonë. Ndonëse ngjarja ka marrë përmasa ndërkombëtare për mënyrën se si është kryer dhe harku kohor prej 3 minutash, autorët e grabitjes së argjendarisë në qendrën tregtare Natën e Krishtlindjes, ende nuk kanë asnjë gjurmë ekzistence. Grupi hetimor ka mbledhur të dhëna dhe po heton mbi mekanizmin dhe itinerarin e ndjekur nga autorët, ndërsa mësohet se në dosjen hetimore është përcaktuar edhe lloji i mjetit me të cilin autorët e grabitjes janë kthyer pasi i kanë vënë flakën makinës me të cilën u larguan nga qendra tregtare. Sipas burimeve saktësohet se mjeti është i llojit “Fiat” me të cilën kanë lëvizur autorët, por për shkak të sekretit hetimor, nuk bëhet me dije tipi i “Fiatit”, po ashtu edhe itinerari që ka ndjekur makina e dyshuar si mjeti i dytë që është vënë në shërbim të grabitësve. Ndërkohë që ekspertët e hetimit po kërkojnë gjurmë të ngjashme grabitjesh në Itali dhe Greqi, dy vendet ku veprojnë profesionistët e grabitjeve, që pretendohet se të gjithë janë shqiptar, edhe në Kosovë, dyshimet për grabitjen e ndodhur në Prizren, bien mbi të njëjtin grup. Policitë e dy vendeve, tashmë janë në kërkim të mallit që është grabitur në argjendarinë “Gelosia” në qendrën tregtare në Tiranë, ndërsa pala greke mësohet se pritet të referojë të dhëna në lidhje me disa raste të ngjashme grabitjesh. Për këtë grabitje dhe për motivimin që kërkon zbulimi i autorëve, ka folur dy ditë më parë edhe vetë ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, në një konferencë për shtyp me televizionet. Ministri ka premtuar zbardhjen e këtij akti, edhe pse është në dijeni të faktit se bëhet fjalë për një grup të mirëstrukturuar kriminal në fushën e grabitjeve me armë dhe me dhunë.
Grabitjet në harkun e 3 minutave
Babagjyshët që arritën të grabisnin me kallashnikovë argjendarinë me 24 dhjetor, dyshohet se kanë vepruar edhe në shtete të tjera. Referimet vijnë nga shtetet fqinje, të cilat saktësojnë detaje në lidhje me grabitje të përmasave të tilla. Sipas të dhënave hetimore bëhet me dije se si nga Greqia, ashtu edhe nga Italia, ka detaje për akte të tilla të cilat nuk zgjasin asnjëherë më shumë se tre minuta. Grupi i posaçëm hetimor mësohet se po bashkëpunon ngushtësisht me homologët e dy vendeve për të fiksuar detaje, por edhe pamje nga grabitje me mekanizëm të tillë. Policia greke mësohet se ka referuar dy raste të ngjashme, njëra që ka të bëjë me grabitjen e një argjendarie në një prej lagjeve më të pasura të Athinës, ndërsa grabitja tjetër i përket një stacioni metroje. Në të dy rastet mësohet se grabitjet kanë zgjatur plot tre minuta, ndërsa veshjet në të dy rastet kanë qenë të unifikuara, sipas vendit në të cilin është kryer grabitja. Gjithashtu edhe Italia ka sjellë raste të ngjashme, por që asnjëherë nuk është përdorur veshja e babagjyshit për të kryer grabitje. Policia e Tiranës, ndaloi pak ditë më parë edhe një të ri, i cili u dyshua si i përfshirë në ngjarje, pasi brenda makinës së tij u gjenden një sërë maskash dhe mjetesh që përdoreshin për grabitje, por të dhënat në lidhje me të riun, nuk përkojnë me të dhënat që ka shoqëruar grupin e babagjyshërve. Policia po punon në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, ndërsa janë sekuestruar me dhjetëra pamje dhe janë dokumentuar qindra dëshmi për të bërë të mundur lokalizimin çoftë gjeografik të grabitësve të mbi 400 mijë dollarëve.