Gati 70.7% e kredive që japin bankat shqiptare shkojnë për pasuri të patundshme, dhe vetëm 11.4% për ushtrim të aktiviteteve të biznesit. Kjo do të thotë se shqiptarët janë më shumë të prirur për të marrë kredi për shtëpi dhe mjete luksi (makina; mobilie apo pushime), se sa për të investuar në hapjen e një biznesi privat që mund të sigurojë punësim dhe të ardhura të qëndrueshme. Open Data Albania, referuar të dhënave të nxjerra nga Banka e Shqipërisë, ka kryer një hulumtim mbi kredidhënien e bankave ndaj individëve në Shqipëri gjatë viteve të fundit. Lloji i kredisë sipas qëllimit është ndarë në kategoritë: pasuri të paluajtshme, mallra të qëndrueshme, mallra jo të qëndrueshme, ushtrim aktiviteti dhe overdraft. Pasuria e paluajtshme përfaqëson kreditë për blerjen e banesave dhe tokave; Mallrat e qëndrueshme përfaqësojnë blerjen e mallrave afatgjatë si për shembull: autoveturat dhe mobiliet; Mallrat jo të qëndrueshme përfaqësojnë marrjen e kredive konsumatore, p.sh: kredi për pushime, apo shkollim; Ushtrimi i aktivitetit përfaqëson marrjen e kredisë për hapjen e bizneseve private; Overdrafti është një kredi afatshkurtër mbi llogarinë rrjedhëse. Nga të dhënat e vitit 2011-të, rezulton se kredidhënia bankare sipas qëllimit, në pjesën më të madhe të kredisë ndaj individëve është dhënë për blerjen e pasurive të paluajtshme (100.6 miliardë lek), e ndjekur nga blerja e mallrave jo të qëndrueshme (16.2 miliardë lek), kredia për ushtrimin e aktivitetit (11.6 miliardë lek), blerja e mallrave të qëndrueshme (7.7 miliardë lek) dhe overdrafti (6.1 miliardë lek). Konkretisht, e ndarë sipas peshave në totalin e huadhënies situata gjatë viteve paraqitet e tillë: Në vitin 2011, në totalin e kredidhënies të sistemit bankar, pasuria e paluajtshme zë rreth 70.7%, blerja e mallrave jo të qëndrueshme rreth 11.4%, ushtrimi i aktivitetit 8.1%, mallrat e qëndrueshme 5.4% dhe overdrafti 4.3%. Gjatë viteve të fundit, vihet re një rritje e peshës së kredive për blerjen e pasurive të paluajtshme dhe të mallrave jo të qëndrueshme, dhe një ulje e peshë së kredive për ushtrim aktiviteti dhe blerjen e mallrave të qëndrueshme.
>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>
Investimet e huaja arrijnë në 1.11 miliardë USD
Investimet e huaja direkte në Shqipëri vazhdojnë të jenë një burim shumë i rëndësishëm i flukseve të kapitalit dhe zhvillimi të ekonomisë. Open Data Albania ka kryer një hulumtim mbi vlerën e investimeve të huaja direkte në Shqipëri, bazuar në të dhënat e Bankës së Shqipërisë. Investimet e huaja direkte, përfshijnë investimet e individëve dhe institucioneve të huaja në ekonominë vendase, nëse investimi e bën investitorin pronar të më shumë se 10% të kapitalit të një ndërmarrje. Vlera e investimeve të huaja direkte të matura në USD ka qenë e luhatshme gjatë 20 viteve të fundit. Në fund të vitit 2010, vlera e investimeve të huaja direkte ka arritur në 1.11 miliardë USD, që është edhe vlera më e madhe e arritur gjatë periudhës së analizës. Vlera më e ulët është arritur në vitin 1999, ku shuma e investimeve të huaja direkte ishte vetëm 41 milionë USD. Rritja më e madhe e investimeve të huaja direkte vihet re gjatë vitit 2000, ku investimet e huaja direkte u rritën me 249%, ndërsa ulja më e madhe vihet re gjatë vitit të krizës 1997, ku investimet e huaja direkte u ulën me 47%. Investimet e huaja direkte, janë një tregues i rëndësishëm i besimit të investitorëve të huaj në një vend, dhe ato ulen në kushtet e krizave ekonomike dhe politike, dhe rriten në kushtet e përmirësimit të ambientit ekonomik dhe politik.
>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>
Tatimet realizojnë 101% planin e 3 mujorit të parë
Vendosja e kasave fiskale, lufta kundër evazionit dhe krijimi i bizneseve të reja kanë ndihmuar administratën tatimore që të realizojë planin e të ardhurave. Gjatë tre muajve të parë të këtij viti, tatimet kanë realizuar planin në masën 101 për qind ose 9 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Gjatë një konferencë për shtyp, drejtori i përgjithshëm i tatimeve, Gazmir Spahia bëri të ditur gjithashtu, se është rritur edhe niveli i rimbursimit të TVSH te bizneset. Sipas të dhënave, administrata tatimore ka rimbursuar 1.6 miliardë lekë TVSH ose 23 për qind më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>
MSH mbështet nismat për çrregullimet e spektrit autik
Ministria e Shëndetësisë mbështet aktivisht të gjitha nismat dhe veprimtaritë që adresojnë problematikën e çrregullimeve të spektrit autik. Qendra “Fluturo për Jetën” me mision ndihmën për fëmijët që vuajnë nga çrregullime të spektrit autik si dhe familjet e tyre, themeluar nga Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë “, drejtuar nga Znj. Liri Berisha, është një aset i çmuar për sistemin shëndetësor shqiptar. Kjo qendër jo vetëm që ofron shërbime të diagnostikimit dhe trajtimit, por shërben edhe për të trajnuar mjekë, infermierë, psikologë, logopediste, punonjës sociale, terapistë. Çrregullimet e spektrit autik tashmë përbëjnë një çështje të rëndësishme të shëndetit publik edhe në Shqipëri. Në dhjetor 2010, Ministria e Shëndetësisë, Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë” dhe “Autism Speaks”, lancuan Rrjetin Rajonal të Autizmit për Europën Juglindore. Qëllimi i Rrjetit Rajonal të Autizmit për Europën Juglindore është krijimi i një partneriteti mes Shqipërisë, Bullgarisë, Greqisë, Kosovës, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Rumanisë, Serbisë, Sllovenisë dhe Turqisë. Tashmë janë përvijuar linjat kryesore të ndërhyrjeve strategjike për kontrollin e çrregullimeve të spektrit autik, pasojë e një pune të koordinuar mes Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Arsmit dhe Shkencës, Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe aktorë të tjerë, proces ky i katalizuar nga Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë”.