Shqipëria nuk pritet të marrë sot një përgjigje pozitive për statusin kandidat, gjatë vendimit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian për çështjet e përgjithshme. Top Channel siguroi dje draft-konkluzionet, të miratuara në nivel ambasadorësh të premten e kaluar në Bruksel, ku fillimisht mirëpritet progresi i shënuar nga vendi, falë dialogut të përmirësuar mes qeverisë dhe opozitës.
“Shqipëria përmbushi një set reformash që buronin nga prioritetet kyçe, veçanërisht në adresimin e mirëfunksionimit të parlamentit, reformës zgjedhore dhe emërimin e zyrtarëve kyç. Këshilli vëren vlerësimin e Komisionit se Shqipëria ka përmbushur katër nga prioritetet kyçe dhe se është drejt përmbushjes së dy prioriteteve të tjera”, – thuhet në këto konkluzione.
Në paragrafin e parë, në pjesën e qëndrimit të vetë vendeve anëtare, përfshihet edhe ndjeshmëria e vendeve kritike për luftën ndaj krimit e korrupsionit, testi i zgjedhjeve, dhe shqetësimi për retorikën nacionaliste. “Këshilli mirëpret rolin e vazhdueshëm konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe i bën thirrje Shqipërisë të shmangë deklarata që shkojnë kundër marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Këshilli nënvizon nevojën për të rritur më tej përpjekjet, siç janë përcaktuar nga raporti i Komisionit, veçanërisht në fushën e reformave të gjyqësorit për të forcuar pavarësinë, efikasitetin dhe llogaridhënien e tij, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në mbrojtjen e të gjitha minoriteteve, si dhe në zbatimin e reformave. Mbajtja e suksesshme e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 do të jetë një test thelbësor për funksionimin e patrazuar të institucioneve demokratike të vendit”, – citon TCH nga draft-konkluzionet.
Në paragrafin e përgjigjes ndaj rekomandimit të Komisionit, Këshilli e fton këtë të fundit të raportojë sapo të jenë plotësuar, jo vetëm tre çështjet e mbetura, por me theks të përsëritur dhe rezultatet në luftën kundër krimit e korrupsionit. “Këshilli vëren rekomandimin e Komisionit për t’i dhënë Shqipërisë statusin kandidat, nëse përmbushen masat kyçe në fushat e reformës së gjyqësorit dhe administratës publike dhe pas ndryshimeve të rregullores së parlamentit. Me qëllimin për të vendosur nëse do të japim statusin kandidat, Këshilli fton Komisionin të raportojë sa më shpejt të jetë arritur progresi i nevojshëm, duke marrë parasysh gjithashtu veprimet e mëtejshme të ndërmarra nga Shqipëria për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar, përfshirë hetimet pro-aktive dhe ndjekjet penale të rasteve të tilla”, – thuhet në draft konkluzionet. Në përfundim, e në paragrafin e fundit, Këshilli kujton se për çeljen e negociatave për anëtarësim, vendi duhet të përmbushë pjesën e 12 prioriteteve të paplotësuara që prej Opinionit të Komisionit të vitit 2010.
“Do kërkohet zbatimi i vazhdueshëm i reformave dhe përmbushja e të gjitha kritereve kyçe në mënyrë që Shqipëria të nisë negociatat me BE-në. Siç është përshkruar në rekomandimin e Komisionit, Këshilli bën thirrje për fokus të veçantë mbi: zhvillimin e zgjedhjeve në përputhje me standardet europiane e ndërkombëtare; përforcimin e pavarësisë, efikasitetit e llogaridhënies së institucioneve gjyqësore; përpjekjet e vendosura në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, masat efektive për të përforcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe politikat anti-diskriminuese, përfshirë në fushën e minoriteteve, dhe trajtimin e barabartë të tyre ; dhe zbatimin e të drejtës së pronës”, – citon TCH.