Home Aktualitet Masakrohet me thika nëna e dy fëmijëve

Masakrohet me thika nëna e dy fëmijëve

589
0

Masakrohet-fëmijëveMasakrohet me thika nëna e dy fëmijëve. Asinja Krytha ka qënë duke shkuar në banesën e saj, kur persona ende të paidentifikuar e kanë goditur për vdekje me thikë. Burime zyrtare nga drejtoria e policisë së qarkut të Fierit bëjnë me dije se ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë në lagjen “Kryengritja e Fierit”, në hyrje të qytetit. Vrasja makabre e 49-vjeçares Krytha ka alarmuar policinë, e cila menjëherë ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për identifikimin dhe vënien në pranga të autorëve të krimit. Sipas policisë lokale, po hetohet në disa pista për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
VRASJA
Rreth orës 18:30 Asinja Krytha, e cila ishte punësuar tek biznesi i të vëllait, ishte duke u kthyer në shtëpinë e saj, kur pak metra larg pallatit ku banonte është goditur 4 herë me thikë në gjoks. Klithmat e saj kanë prishur qetësinë e mbrëmjes dhe banorë të zonës kanë dalë për të parë ç’kishte ndodhur, ndërsa e kanë gjetur 49-vjeçaren të shtrirë në rrugë, të mbuluar nga gjaku. Menjëherë ata e kanë marrë viktimën dhe e kanë dërguar në spitalin rajonal të Fierit. 49-vjeçarja është futur në sallën e operacionit, ku mjekët për një orë kanë bërë të pamundurën për ta shpëtuar, por ajo nuk ka mundur të mbijetojë për shkak të plagëve të thella si dhe hemorragjisë së madhe. Asinja Krytha jetonte vetëm me dy fëmijët e saj në lagjen “Kryengritja e Fierit”, pasi prej më shumë se një viti ishte divorcuar dhe ish-bashkëshorti është emigrant. Ndërkohë që punonte në lokalin e të vëllait, në fshatin Vajkan.
POLICIA
Forca të shumta të drejtorisë së policisë së qarkut Fier kanë rrethuar vendin e ngjarjes, ndërkohë që mësohet se patrulla të shumta janë dislokuar edhe në akset kryesore të qytetit, kryesisht në ato hyrëse dhe dalëse. Sipas policisë, vrasja e 49-vjeçares nuk ka si motiv grabitjen, pasi asaj nuk i janë marrë paratë apo ndonjë send që ka pasur me vete. Megjithatë dy pistat paraprake të hetimit kanë të bëjnë me hakmarrjen, pasi vëllai i viktimës, shtetasi me inicialet A.K., ka qënë i dënuar më parë për prostitucion dhe drogë, me 5 vjet burg dhe është pronar i një moteli në rrugën e vjetër Fier-Lushnje. Ndërkohë që dyshimet kanë rënë edhe për një hakmarrje të mundshme nga ana e ish-bashkëshortit. Pas ngjarjes janë marrë në pyetje disa dëshmitarë dhe personat që e kanë transportuar viktimën për në spital, por ende nuk ka asnjë të dyshuar. Policia pohon faktin se në krim janë përfshirë 2 ose më shumë persona, kjo duke u nisur nga plagët e viktimës dhe kohën e shpejtë në të cilën është kryer vrasja. Ndërkaq, fqinjët e 49-vjeçares Asinja Krytha u shprehën se viktima nuk ka pasur asnjë konflikt në lagje apo në zonën përreth dhe gjithashtu, nuk kanë dijeni për ndonjë konflikt të mundshëm me ish-bashkëshortin.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here