Gjykata Kushtetuese rrëzoi dje kërkesën ankimore për mungesë provash
“Rama është shprehur dakord me vendimin për ndërtimin e Parlamentit të ri”
Gjykata Kushtetuese rrëzoi dje kërkesën ankimore të Bashkisë së Tiranës për mosprishjen e Piramidës në Tiranë dhe pezullimin e punimeve për ngritjen e kompleksit të ri parlamentar për mungesë provash. Kështu, dosja “Piramida” ka qenë temë e përplasjes ligjore në Gjykatën Kushtetuese mes përfaqësuesve të Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave ndaj padisë së bërë nga Bashkia e Tiranës.
Vendimi
Pas dëgjimit të pretendimeve mbi këtë çështje, trupa e gjykatësve u tërhoq, për të shpallur pas 15 minutash dhe verdiktin e tyre. Në leximin e vendimit, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, bëri të ditur vendimin e trupës gjykuese për të rrëzuar kërkesën e Bashkisë së Tiranës, për mungesë provash. “Gjykata pasi dëgjoi pretendimin e palëve në lidhje me kërkesën paraprake për pezullimin e zbatimit të vendimit të Kuvendit vendosi rrëzimin e kërkesës, pasi në këtë fazë nuk ka sjellë prova, argumente bindshëm për të marrë masën provizore të pezullimit të vendimit”,- tha Dedja. Kështu, 9 anëtarët e Kushtetueses kanë rrëzuar kërkesën e Bashkisë së Tiranës për të pezulluar të gjitha veprimet për ndërtimin e godinës së re të Parlamentit deri në një vendimmarrje përfundimtare të kësaj çështje nga Gjykata Kushtetuese.
Seanca dëgjimore
Seanca e djeshme ka nisur me dëgjimin e argumenteve të palëve të interesuara në këtë konflikt në lidhje me ligjshmërinë e ngritjes së godinës së re, e cila do të zëvendësojë Piramidën. Nga ana e saj, Bashkia i kërkonte gjykatës zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet pushtetit qendror, i përfaqësuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe qeverisjes vendore, i përfaqësuar nga Bashkia e Tiranës, për shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit të Kuvendit. Por kjo kërkesë u kundërshtua nga përfaqësuesja ligjore e Këshillit të Ministrave, Marsida Xhaferrllari, e cila i vlerësoi argumentet e bashkisë si të pabaza. Ndërsa përfaqësuesi ligjor i Kuvendit të Shqipërisë, Lulzim Lelçaj, theksoi se “Që në fillim duhet të theksojmë se Kryetari i Bashkisë së Tiranës, si anëtar i Komisionit Shtetëror, nuk ka ngritur ndonjë pretendim lidhur me ligjshmërinë e këtij vendimi, apo statusin e komisionit shtetëror. Për më tepër ai është shprehur dakord edhe me ndërtimin e Kompleksit Parlamentar në vendin e përcaktuar në vendim. Në mbledhjen e këtij komiteti të datës 2.11.2010, zoti Rama do të shprehej: “Ofrohet kjo hapësirë me këtë ngrehinë, që sot është thjesht një guaskë e zbrazët, për të gjithë këta mjeshtër të botës bashkëkohore të arkitekturës dhe u thuhet se ne dëshirojmë që këtu të ndërtojmë tempullin e demokracisë. Madje simbolikisht funksionon shumë herë më fuqishëm në historinë e së nesërmes që populli të çojë aty dhe të dëgjojë përfaqësuesit e vet, të zgjedhur me votë”, – dëshmoi Lelçaj.
Bashkia e Tiranës
“Ne mendojmë që duhet të shqyrtohet kërkesa për pezullim fillimisht dhe të dali me një vendim kjo gjykatë dhe pastaj të vazhdojmë me themelin e çështjes. Kryetari jonë që ka marrë pjesë në atë këshill teknik ka thënë ‘të ndërtohet, por të ndërtohet mbi godinën ekzistuese’. Pra, të bëhet një rikonstruksion i kësaj godine ekzistuese, pa u prishur kjo godinë dhe në këtë mënyrë pa u prishur edhe thelbi i ansamblit monument kulture”,- tha Natasha Kondi.
Këshilli i Ministrave
“Në çdo fjali të paraqitur në këtë seancë të sotme u përdor shprehja ‘do të’ që do të thotë se bëhet fjalë për një situatë në të ardhmen që nuk dihet se kur do të ndodhë dhe si do të ndodhë sipas kërkuesit. Shifrat e përmendura këtu si dëme financiare nuk i pranojmë dhe pretendojmë se ato janë spekulime. Nuk mund të pretendohen si të provuara thjesht me fjalën e kërkuesit”,- tha Marsida Xhaferrllari, përfaqësuese ligjore e qeverisë.
uvendi i Shqipërisë
Kuvendi i qëndron mendimit se vendimi nr.66/2010, është një vendim i një natyre të posaçme. Kushtet e ligjshmërisë për të janë lehtësisht të verifikueshme. Ai është propozuar nga një grup deputetësh dhe i është nënshtruar shqyrtimit dhe miratimit në seancë plenare sipas procedurave parlamentare të parashikuara në Kushtetutë dhe në rregulloren e Kuvendit. Për këto arsye i kërkojmë kësaj gjykate rrëzimin e kërkesës së Bashkisë së Tiranës.
Më 24 mars u bë përzgjedhja e kompleksit të ri parlamentar
Miratimi i projektit me votat e jurisë ndërkombëtare dhe të publikut
Me këtë vendim të Kushtetueses merr fund edhe debati për prishjen ose jo të Piramidës, dhe pritet që të nisë puna, për kompleksin e ri parlamentar për të cilin u organizua edhe një konkurs për përzgjedhjen e projektit më të mirë dhe nxjerrjen e studios fituese. Studioja vjeneze “COOPHIMELB (L) AU” është fituesja e projektit për kompleksin e ri parlamentar. Me një juri të zgjedhur ndërkombëtare, si dhe me votat elektronike të opinionit shqiptar, më 24 mars të këtij viti, u shpall projekti fitues për kompleksin e ri parlamentar. Për katër ditë me radhë juria ndërkombëtare ka bërë vlerësimin e 12 projekteve të prezantuara për kompleksin e ri parlamentar nga studiot më në zë evropiane dhe ndërkombëtare. Kështu, pas vlerësimit të bërë juria shpalli paraditen e djeshme projektin fitues. Projekti i paraqitur nga studioja vjeneze “COOPHIMELB (L) AU” u shpall fitues jo vetëm me votat e jurisë ndërkombëtare të përzgjedhur për të bërë vlerësimin e 12 moketeve të prezantuara në ambientet e kryesisë së Kuvendit, por në këtë votim janë marrë parasysh dhe preferencat e publikut shqiptar, i cili ka votuar në rrugë elektronike në faqen zyrtare në internet të Kuvendit të Shqipërisë. Pavarësisht se ende nuk është parashikuar një datë e saktë për fillimin e punimeve, kryetarja e Kuvendit ritheksoi se “godina e re parlamentare do të jetë gati nëntorin e vitit të ardhshëm, që përkon dhe me 100-vjetorin e pavarësisë”.
Kuvendi hedh poshtë akuzat e Bashkisë
Argumentet e përdorura nga Kuvendi dje para trupës së Gjykatës Kushtetuese
Përfaqësuesi ligjor i këtij institucioni, Lulzim Lelçaj, hodhi poshtë të gjitha “akuzat” e bëra nga Bashkia e Tiranës në padinë e saj.
Qendra e Kulturës
Pretendimi i kërkuesit se, fillimi i punimeve do të pasohej me prishjen e QNK-së, e cila do të sillte pasoja të rënda që prekin interesat e shtetërore, shoqërore dhe individëve nuk qëndron dhe pala kërkuese nuk sjell asnjë argument apo provë, që të mbështesë pretendim të tij. Referuar pretendimeve të kërkuesit provohet para Gjykatës Kushtetuese se, janë tërësisht të pavërteta dhe të pabazuara pasi, është lehtësisht e dukshme se në muajin shkurt 2011 nuk ka asnjë ndërtim apo asnjë fillim punimesh pranë Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës “Pjetër Arbnori”.
Manipulimi i Bashkisë
Kërkuesi gjatë shtjellimit të kërkesës për pezullim, mbështet të gjithë idenë mbi argumente hipotetike dhe sugjestionuese. Kërkuesi përpiqet të manipulojë këtë të nderuar gjykatë, duke parashtruar në mënyrë hipotetike se, ndërtimi do të prishet në fillim të muajit shkurt dhe prishja do të jetë fatale për interesat e shtetit dhe shoqërinë.
Tejkalimi i kompetencave
Të gjitha referencat e mësipërme ligjore, të sjella në vëmendje të Gjykatës Kushtetuese, janë prova të mjaftueshme për të vërtetuar se Bashkia e Tiranës po pretendon për një kompetencë, e cila nuk i takon me ligj. Kompetenca për të cilën ajo pretendon, i takon Këshillit Kombëtar të Territorit dhe nëse Kuvendi ka “uzurpuar” një kompetencë nuk e ka bërë këtë me Bashkinë e Tiranës, por me KKT-në.
Pronësia e Piramidës
Gjithashtu, sjellim në vëmendje të Gjykatës Kushtetuese se: Prona, Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Arbnori” është pronë shtetërore, që figuron në listën e inventarit të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e cila e ka këtë godinë në përgjegjësi administrimi. QNK “Arbnori” nuk është në përgjegjësi administrimi të Bashkisë së Tiranës, pra nuk është pronë e transferuar tek njësia e qeverisjes vendore.
Ndërtimi i Parlamentit
Ndërtimi i kompleksit parlamentar futet në këtë kategori (neni 6, shkronja “a”, rreshtat e fundit), sepse ka një rëndësi të veçantë për mirëfunksionimin e një prej institucioneve qendrore më të rëndësishme të shtetit, institucionit ku kontribuojnë përfaqësuesit e popullit të zgjedhur sipas standardeve demokratike. Kjo gjë nuk mund të bëhet pa një akt formal si shprehje e vullnetit të Trupës Legjislative, i cili të vërë në lëvizje strukturat shtetërore në lidhje me fondet financiare dhe logjistike që duhet të përdoren për realizimin e këtij qëllimi. Është pikërisht arsyeja financiare qëllimi kryesor i pikës 1 të vendimit nr. 66/2010 dhe jo marrja e kompetencës organeve të tjera.