Deputetët e qarqeve dhe kryetari kanë diskutuar në lidhje me kandidaturat e propozuara nga baza
Përveç zgjidhjes së krizës politike, Partia Socialiste po merret edhe me një tjetër çështje të rëndësishme për anëtarësinë e saj, zgjedhjet e brendshme. Kreu i PS, Rama, ka zhvilluar këto ditë takime me përfaqësuesit e qarqeve, duke diskutuar në lidhje me kandidaturat që baza socialiste e çdo rrethi ka paraqitur për kryetar.
Deputetët socialistë, sipas qarqeve, kanë dhënë opinionin e tyre për të propozuarit që kërkojnë të zgjidhen kryetar të rrethit.
Në takim është analizuar figura e gjithsecilit, vlerat që ato kanë, kontributet që kanë dhënë për partinë dhe angazhimin në bazën e Partisë Socialiste. Të parët që kanë hyrë në takim me kryesocialistin Rama kanë qenë deputetët e qarkut të Durrësit. Për kreun e rrethit të Durrësit konkurrojnë tre kandidatë. Më pas kanë vijuar edhe deputetët e qarqeve të tjera.
Sipas statutit të ri të PS-së, kandidaturat për kryetar të partisë propozohen nga Asambletë Socialiste të njësive vendore të rrethit dhe miratohen nga Kryesia e PSSH.
Kryetari i partisë i rrethit zgjidhet me votim të fshehtë nga mbledhja e zgjeruar e Asamblesë Socialiste të rrethit. Tashmë pritet miratimi nga kryesia socialiste dhe më pas emrat do t’u kalojnë për miratim Asambleve në bazë.
Grupi socialist do të mblidhet javën që vjen për të diskutuar edhe njëherë për organizimin e zgjedhjeve për kryetarët e kësaj force nëpër rrethe. Ndërkohë, në fillim të javës është parashikuar edhe mbledhja e kryesisë së Partisë Socialiste, e cila pritet që të miratojë kandidaturat për kryetar të partisë të rrethit ose të propozojë kandidatura shtesë për kryetar.
Kryetarët e Partisë Socialiste janë automatikisht edhe anëtarë të Asamblesë Socialiste, duke e rritur numrin e anëtarëve të kësaj strukture me 36 anëtarë të rinj.
Takimi Topi – Daul, procesi i liberalizimit të vizave nuk do të ndalet
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë takimit të djeshëm me kryetarin e Grupit të Partive Popullore të Parlamentit Europian, Zhozef Daul, shprehu bindjen se Shqipëria do të dijë të plotësojë kushtet dhe detyrimet e kërkuara për anëtarësimin sa më shpejt në Bashkimin Europian.
Presidenti Topi deklaroi se “me vullnetin politik të palëve, pas rivendosjes së dialogut politik institucional mes mazhorancës dhe opozitës, si dhe me angazhimin serioz të tyre, ekzistojnë të gjitha mundësitë që zgjidhja të vijë në mënyrë institucionale dhe në funksion të demokracisë dhe të interesave të qytetarëve shqiptarë”.
Ndërsa kryetari i Grupit të Partive Popullore të Parlamentit Europian, Zhozef Daul, nënvizoi faktin se “palët dhe drejtuesit e lartë politikë shqiptarë duhet të shohin nga e ardhmja demokratike e të zbatojnë rregullat që imponon demokracia në respekt të Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës”.
Në të njëjtën kohë, zoti Daul garantoi se “procesi i liberalizimit të vizave për shqiptarët nuk do të ndalet për asnjë arsye, sepse shqiptarët duhet të lëvizin të lirë dhe se Shqipëria, pas përparimeve të mëdha e të dukshme që ka bërë, meriton plotësisht të jetë pjesë e familjes europiane.”
Ligji faljes, të hënën në komision
Ditën e hënë Komisioni i Ligjeve do të diskutojë dhe më pas miratojë nen për nen ligjin e faljes së Presidentit. Projektligji i qeverisë për “Ligjin e faljes” përcakton kritere të qarta në ligjin për faljen, në bazë të të cilit Presidenti i Republikës ushtron kompetencën kushtetuese për të drejtën e faljes.
Shtyrja e ligjit për falje nuk u miratua ditën e mërkurë, pasi deputetët socialistë kërkuan kohë për të paraqitur disa amendamente që forcojnë kriteret dhe kategoritë e të dënuarve që përfitojnë nga ligji për faljen. Ndërkohë, ditën e martë do të nisë seanca dëgjimore për kandidaturat e presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë.