Home Sport Seria A, kalendari: Roma-Inter në javën e pestë

Seria A, kalendari: Roma-Inter në javën e pestë

767
0

Del Neri, Ranieri, Allegri dhe Benitez reagojnë pas shortit

Është përcaktuar pardje në mbrëmje kalendari i Serisë A për sezonin 2010-2011, i cili çel siparin më 28 dhe 29 gusht dhe mbyllet më 22 maj 2011. Kampionët e Interit do ta nisin misionin për mbrojtjen e titullit nga “Dall’ara” e Bolonjës, ndërkohë që Milani pret Leçen e ngjitur këtë sezon në elitën e futbollit italian. Juventusi shkon në Bari, kurse Fiorentina luan në shtëpi me Napolin, në atë që cilësohet ndeshja më e fortë e javës së parë. Nisje e lehtë edhe për Romën, që do të presë në “Olimpiko” Çezenën.
Sfidat “e nxehta”
Sfidat “e nxehta” fillojnë në javën e pestë me përballjen Roma-Inter, e programuar më 26 shtator në kryeqytet. Ndeshja e kthimit do të luhet në “San Siro” më 6 shkurt 2011. Menjëherë pas verdhekuqve kampionët kanë një tjetër përballje të vështirë, atë kundër Juventusit në javën e gjashtë më 3 tetor. Në javën e nëntë (31 tetor) i takon Milanit të luajë përballë Juves. Përsa u përket përballjeve derbi, ato nisin më 7 nëntor mes Lacios dhe Romës në javën e dhjetë, ndërkohë që java e 12-të (14 nëntor) rezervon spektakël në “San Siro”: Inter-Milan. E rëndësishme është java e 17-të më 19 dhjetor, ku Milani pret Romën kurse Fiorentina Interin. Në “Marasi” luhet derbi Sampdoria-Xhenova.
Reagimet
Përkundër javës së parë ku llogariten ndeshje të lehta për favoritët, trajnerët Claudio Ranieri, Luigi Del Neri, Masimiliano Allegri dhe Rafael Benitez, të gjithë kanë qenë të matur në deklarimet e tyre pas shortit. Ranieri: “Secili kampionat prezanton një tregim të ri. Ne nuk mund të mendojmë për një start të lehtë apo të vështirë. Secila ndeshje duhet të luhet dhe herët apo vonë do të përballemi me të gjithë”. Del Neri: “Është një kalendar interesant pasi që shohim Romën dhe Interin të ndeshen në javën e pestë, të dy këta kandidatë për titull. Ne fillojmë ndaj Barit më 29 gusht dhe më pas e mbarojmë me Napolin në maj. Ne duhet të bëjmë impenjim maksimal gjatë gjithë sezonit”. Allegri: “Ne duhet të fillojmë mirë dhe ta menaxhojmë periudhën kur do t’i luajmë ndeshjet e rëndësishme. Starti është paksa i papërshtatshëm sepse po luajmë ndaj ekipeve të sapo promovuara. Por, ne duhet të tregojmë intensitet dhe përkushtim”. Benitez: “Ne duhet të përgatitemi për secilën ndeshje që na e tregon lista dhe ta fillojmë sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme. Unë mendoj se ndeshjet kyçe për ne do të jenë ndaj Romës në Olimpico dhe ndaj Juventusit në Meazza
Maradona: Më tradhtuan dhe më gënjyen

Dy ditë pas fundit të aventurës në krye të kombëtares së Argjentinës, Diego Armando Maradona hidhet në kundërsulm.Dy janë objektivat kryesorë të sulmeve të tij: kreu i Federatës Argjentinase të Futbollit, Hulio Grandona dhe menaxherin e kombëtares, Karlos Biljardo. “Grandona më kishte dhënë disa garanci, është gënjeshtar. Vetëm në fund më kërkoi të heq dorë nga stafi im”, tha lidhur me presidentin e federatës. Kurse për Biljardon: “Më tradhtoi. Më pati thënë se do të lërë kombëtaren bashkë me mua”. Në takimin e parë me median pas shkarkimit, ish-“djaloshi i artë” lexoi një komunikatë me tone të ashpra ndaj drejtuesve të federatës. “Ka njerëz që nuk i duan të mirën futbollit argjentinas. E vetmja gjë që shohin është interesi i vet”, shprehet 50-vjeçari në deklaratë, duke shtuar se largohet nga detyra me ndërgjegjen e pastër.
Pasanikët e sportit, Roxher Federer i pari

Revista amerikane “Sports Illustrated” ka publikuar një listë me 20 sportistët jo-amerikanë që kanë fituar më tepër para’ në periudhën korrik 2009-qershor 2010. Sipas revistës, tenisti zviceran Roxher Federer ka fituar më shumë nga të gjithë, afro 62 milionë dollarë. Pas tij vjen Leo Mesi me 44 milionë. Vendin e tretë e mban Dejvid Bekam (40,5 milionë), duke lënë pas Kristiano Ronaldon. Në xhepat e portugezit madrilen kanë shkuar 40 milionë dollarë. Valentino Rosi renditet i shtati (35 milionë), e më pas Nadal i nënti (27,5), Hamilton i dhjeti (26,7), duke vijuar me Kaka’, Henri, Raikonen, Baton, Ronaldinjo, Alonso, Tevez dhe Sharapova. Kurse listën e 50 sportistëve amerikanë që kanë përfituar më shumë të ardhura e kryeson golfisti Tajger Uds me 90,5 milionë dollarë gjithsej, 20,5 prej të cilave nga çmimet që lidhen me golfin dhe 70 nga sponsorët. LeBron Xhejms (i pari nga basketbollistët) mban vendin e katërt me 45,7 milionë dollarë (15,7+30 nga sponsorët), i gjashti Shakill O’Nill me 36 (21+15). Menjëherë pas tij vjen ish-shoku i skuadrës te Lejkërsat, Kobe Brajant. Ky i fundit ka fituar 33 milionë dollarë (23+10).
Loja e skuadrës, edhe Ekleston mbështet Ferrarin

Bosi i Formula 1, Berni Ekleston, nuk ka asnjë kundërshtim me urdhrat për lejimin e parakalimeve mes pilotëve të së njëjtës skuadër, si në rastin e fundit me Ferrarin në Hokenhaim.Ferrari ka ndërmend të kërkojë në shtator heqjen e rregullit që ndalon dhënien e urdhrave për parakalim brenda të njëjtës skuderi, duke e quajtur një rregull të tillë “hipokrizi”. Sipas drejtuesve të “Kokëkuqes”, ky rregull është shkelur vazhdimisht, por në forma të fshehura. Për shembull me anë të urdhrave të tipit “ngadalëso, po harxhon shumë”, “gomat po të konsumohen shpejt” apo “frenat po ftohen”. Në këtë “betejë” skuderia nga Maranelo nuk është vetëm. Ka aleatë, të fuqishëm madje. “Jam dakord që ky rregull të hiqet. Skuadra duhet të menaxhojë situata të tilla dhe të vendosë vetë si do të veprojë”, ka thënë berni Ekleston për një faqe interneti në Britani. Të njëjtim mendim ka edhe shefi i Meklarenit, Ros Braun: “Ky rregull nuk është më realist. Skuadrat dhe FIA duhet të gjejnë një zgjidhje të përbashkët”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here