Liderët e katër shteteve të rajonit gjatë takimeve bilaterale në Prevallë të Prizrenit, kanë theksuar nevojën e thellimit të bashkëpunimit, veçanërisht në sektorin e ekonomisë, qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe forcimin e sundimit të ligjit.
“Temë e të gjitha takimeve ishin fushat, në të cilat mund të zgjerohet edhe më tej bashkëpunimi. Në këtë plan u theksua nevoja e bashkëpunimit sa më të theksuar në fushën e ekonomisë, në liberalizmin e lëvizjes së qytetarëve, në fushën e sundimit të ligjit dhe luftimit të krimit të organizuar e fusha të tjera”, thuhet në komunikatën e Presidencës së Kosovës, të lëshuar pas takimeve kokë më kokë të liderëve të rajonit.
Me ftesë të presidentit Fatmir Sejdiu, në Prevallë të Prizrenit, ka filluar punimet samiti i tretë rajonal, ku po marrin pjesë presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ai i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, dhe presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq.
Sipas agjendës zyrtare, tashmë ka përfunduar pjesa e parë e punimeve me përmbylljen e takimeve bilaterale ndërmjet katër presidentëve, secili me secilin.
Pasi kanë përfunduar mëngjesin së bashku, të katër presidentët kanë filluar takimet bilaterale.
Fillimisht janë takuar presidenti i Kosovës dhe ai i Shqipërisë si dhe paralelisht është mbajtur takimi tjetër ndërmjet presidentit të Maqedonisë dhe atij të Malit të Zi.
Në formë rotacioni, takime të tilla janë zhvilluar deri në mesditë.
Më pas, presidentët kanë vazhduar për një drekë të përbashkët pune.
Kurse, në orët e pasdites pritet të mbahet një takim i përbashkët ndërmjet katër presidentëve, pas të cilit ata do të dalin para medieve për të prezantuar rezultatet dhe mesazhet politike që kanë samitet e tilla.
Kosova si shteti më i ri në rajon dhe Evropë. Ka vendosur tashmë marrëdhënie diplomatike në nivel ambasadash me Shqipërinë dhe Maqedoninë.
Ndërkaq, me Malin e Zi ende nuk është vendosur një nivel i tillë i marrëdhënieve.
Sidoqoftë, pas njohjes së komunitetit malazez si pakicë në Kosovë, vendosja e marrëdhënieve në nivel ambasadash me Podgoricën shihet vetëm si çështje kohe.
Ky samit është vlerësuar se do të shtyjë përpara procesin e bashkëpunimit në rajon si dhe do të promovojë paqen dhe stabilitetin e kësaj pjese të Evropës.
Ndërkaq, thirrja e këtij samiti nga presidenti Fatmir Sejdiu nga politika kosovare dhe analistët është cilësuar si mesazh i Kosovës përmes së cilit shprehet gatishmëria për bashkëpunim me të gjithë fqinjët.