Ish-kryeministri, Fatos Nano është rikthyer sërish në vëmendjen politike, pas takimit kokë më kokë të zhvilluar me kryeministrin Edi Rama ditën e sotme në qytetin e Durrësit. I kontaktuar nga “BalkanWeb” lidhur me temën e këtij takimi, Nano nuk dha detaje por tha se “nuk bëhet fjalë për çështje timoni, por destinacioni”. Ai gjithashtu përdori edhe shprehjen e kryeministrit Rama “nuk keni parë gjë akoma”.
Metafora e timonit është kthyer ditët e fundit në kryefjalën e replikave në distancë mes PS dhe LSI, ku spikat kryeministri Rama i cili hapur kërkon në fushatë të paktën 71 mandate për të “drejtuar i vetëm timonin e qeverisë pa të tjerë në prehër”.
Sipas burimeve të sigurta për “BalkanWeb” nga zona e vilave qeveritare në Durres, sot rreth orës 17.30 pasdite ish-kryeministri Fatos Nano ka hyrë pas shumë vitesh në atë zonë për t’u futur në vilën e kryeministrit aktual. Lideri historik i Partise Socialiste dhe kryetari i sotem i socialistëve, kanë ndenjur për më shumë se dy orë së bashku.
Të njëjtat burime tregojnë për “BalkanWeb” se më pas Edi Rama është larguar drejt Tiranës, ndërsa Fatos Nano drejt Golemit në shoqerinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë Ëngjëll Agaçi. Nuk dihet se për çfare ka folur Edi Rama me paraardhësin e tij, po kjo nuk është hera e parë që të dy takohen larg vëmendjes së mediave.