Home Aktualitet Dhune ne Superlige, gjakosen femije e police

Dhune ne Superlige, gjakosen femije e police

778
1

haliliGoditet me sende të forta presidenti i ekipit të Tiranës, Refik Halili gjatë ndeshjes mes Vllaznisë dhe Tiranës e zhvilluar në stadiumin “Loro Borici” në qytetin e Shkodrës.

Në pjesën e dytë të ndeshjes, Tirana pretendoi një penallti, por arbitri i ndeshjes nuk ka qenë i këtij mendimi duke sjellë edhe revoltën e presidentit të Tiranës pranë vëzhguesit të ndeshjes.

Në këtë moment Halilin ka tentuar të qetësojë tifozët e Tiranës, por aksidentalisht është goditur me sende të forta duke i shkaktuar disa dëmtime në kokë.

Pas precipitimit të situatës ka ndërhyrë FNSH në ambientet e stadiumit, ndërsa mjekët e ekipit të Vllaznisë i kanë dhënë ndihmën e parë Presidentit të Tiranës.

Incidenti ka sjellë edhe ndërprerjen e ndeshjes për disa minuta, deri sa është qetësuar gjendja për të rinisur më pas.

Nga përleshja ka mbetur i plagosur edhe katër policë, 5 tifozë të ekipit të Tiranës. Efektivët e plagosur janë Pjetër Bungaja, Agim Lohja, Tahir Lekndreu, Gjergj Dodani.
Mes të plagosurve raportohen edhe 3 fëmijë të moshës 10-12 vjeç. Ndërsa, i plagosur ka mbetur edhe një tjetër tifoz, Ismet Osmani 40 vjeç, i afërm i njërit prej futbollistëve të Shkodrës, i cili dyshohet se është goditur me thikë nga tifozët e Tiranës.

E ndërsa në fund ndeshja përfundoi 1-1, përleshja mes dy tifozerive vazhdon edhe jashtë ambienteve të stadiumit.

Pas përfundimit të ndeshjes tifozët e Tiranës janë hedhur në fushë, ndërsa kanë thërritur “e pushtuam” e “pushtuam”, po kështu janë thyer stolat dhe provokuar tifozët e Vllaznisë.

shkoder-dhune1Tifozeria e Tiranës ka ngelur brenda stadiumit, pasi stadiumi është pushtuar nga tifozët e Shkodrës. Por situata mund të rëndohet, pasi tifozët shkodranë nuk po largohen rrethimi i stadiumit. Ndërkaq, pritet mbërritja e forcave speciale nga Tirana për të qetësuar situatën.

Rreth 20 tifozë të Tiranës janë shoqëruar në komisariat.

FSHF: Dënojmë ashpër çdo akt të dhunshëm që dëmton lojën
Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar pas dhunës së sotme në stadiumin e Shkodrës, duke dënuar ashpër aktet që dëmtojnë lojën në fushë. Në një deklaratë për shtyp, FSHF thekson se Policia dhe Prokuroria duhet të ndalojnë shkaktarët e kësaj dhune, duke u shprehur se autorët e kësaj dhune të dënohen sipas ligjeve në fuqi.

Deklarata e FSHF pas incidentit në Shkodër
Federata Shqiptare e Futbollit, e shqetesuar per ngjarjet e renda te ndodhura ne ndeshjen e javes se trete te Kampionatit kombetar te Superliges, Vllaznia – Tirana luajtur ne stadiumin “Loro Borici” te qytetit te Shkodres, kerkon ti beje me dije opinionit publik dhe mediave te interesuara se:

Denon ashper, cdo akt te dhunshem i cili demton lojen dhe prish imazhin e futbollit. Federata Shqiptare e Futbollit garanton se te gjitha organet e drejtesise sportive, mbeshtetur ne rregullore, do te denojne energjikisht, veprime te tilla. Institucioni i futbollit shqiptar, do te kerkoje mbledhjen e tyre dhe marrjen e vendimeve, sa me shpejt te jete e mundur.

Federata Shqiptare e Futbollit, kerkon nga Policia e Shtetit, qe te marre masa te forta, per te siguruar mbarevajtjen normale te ndeshjeve te futbollit. Pa nderhyrjen e saj profesionale, organizatoret e ndeshjes e kane te pamundur te kontrollojne veprimet e dhunshme neper stadiume. Per kete arsye, ajo kerkon nderhyrje energjike nga ana e Policise se Shtetit per te frenuar te gjitha aktet e dhunshme te cilat vetem prishin imazhin e futbollit. Policia dhe Prokuroria duhet te ndalojne shkaktaret e kesaj dhune dhe ata te denohen sipas ligjeve ne fuqi. Nuk mund te penalizohet futbolli, per hir te disa individeve, te dhunshem dhe te papergjegjshem.

FSHF kerkon edhe nga sportdashesit, qe te distacohen nga veprime te tilla te dhunshme, qe s’kane asnje lidhje me lojen e bukur te futbollit por vetem e shkaterrojne ate.

Braçe: Kjo s’ka lidhje me qytetarinë, por me rrugaçërinë e stadiumeve
Edhe deputeti i Partisë Socialiste Erjon Braçe ka dënuar përleshjen e sotme mes tifozëve të Tiranës dhe Vllaznisë në Shkodër. Duke e cilësuar të patolerueshme situatën e krijuar, Braçe shkruan në rrjetin social “Facebook” se ngjarje të tilla nuk kanë të bëjnë me qytetarinë e Tiranës dhe Shkodrës por me “rrugaçërinë e stadiumeve”. Kreu i Komisionit të Ekonomisë, dënon ndërkaq edhe dhunë e ushtruar ndaj Refik Halilit, të cilin e cilëson si një njeri të qetë.

“Kjo qe po ndodh tani ne stadiumin e Shkodres eshte e patolerueshme!!
Nuk ka lidhje me Shkodren dhe qytetarine e saj, as me Tiranen.
Ka lidhje me: rrugacerine e stadiumeve!! po po, me rrugacet e stadiumeve!!

Keta kane marre peng stadiumet dhe futbollin!!
Nuk di cte them me; Une e njoh Refik Halilin, me te nuk shkemben dot nje fjale konfliktuale, jo me te arrije gjithcka tek goditja e gjakosja e tij!!

Nuk e meriton!! Eshte e turpshme!! Kurse kjo e fundit ku, rrugacet zene fushen e lojes dhe rrihen me njeri tjetrin, duhet te ndeshkohet pa fund, penalisht madje!!

E fundit; Jo mor jo, nuk eshte pune e policise, nuk mundet qe stadiumi te mendohet si shesh lufte per bandat e rrugaceve.

Po ne teater me police shkoni?!”, shkruan Braçe.

Basha: E dënueshme skema e provokimit të konfliktit
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha dënon dhunën e sotme në stadiumin “Loro Borici”, duke u shprehur se kjo është një ngjarje e dënueshme dhe e shëmtuar. Në një deklaratë për shtyp, Basha thotë se e dënueshme “është skema e provokimit të konfliktit dhe roli aspak profesional i policisë”. Duke bërë thirrje që tifozeria e Tiranës dhe Shkodrës të distancohen nga sjellje të tilla, thotë se nxitës për këtë situatë janë “Kasandrat e pushtetit që nxisin dhe shpërndajnë stigmatizime të mbushura me urrejtje dhe mllef ideologjik kundër ekipeve dhe tifozerive të Tiranës dhe Vllaznisë”.

“Dhuna e ushtruar sot në ndeshjen mes Tiranës dhe Vllaznisë, ka tronditur thellë dhe shqetësuar sportdashësit dhe mbarë opinionin qytetar. Dy ekipet dhe tifozeritë e tyre, ndajnë prej dekadash miqësi dhe solidaritet shembullor, brenda dhe jashtë fushës së blertë.

Aktet e dhunës të dëshmuara sot, janë një dukuri e shëmtuar dhe e dënueshme. Po kaq e dënueshme është skema e provokimit të konfliktit dhe roli aspak profesional i policisë.

Kasandrat e pushtetit që nxisin dhe shpërndajnë stigmatizime të mbushura me urrejtje dhe mllef ideologjik kundër ekipeve dhe tifozerive të Tiranës dhe Vllaznisë, janë shprehje e një mendësie primitive. Jam i bindur se qytetaria e Tiranës dhe Shkodrës, dhe sportdashësit e tyre distancohen prerazi nga këto vullnete të mbrapshta dhe do të dinë tu japin vendin që u takon provokatorëve”, thuhet në reagimin e kreut të PD, Lulzim Basha.

Klubi Vllaznia: Kemi pamje që faktojnë dhunën e tifozëve të Tiranës
Klubi “Vllaznia” ka dënuar ngjarjen e ndodhur në Shkodër pasditen e sotme, si dhe sjelljen e tifozëve të Tiranës. Në një deklaratë për shtyp, drejtuesit e këtij klubi thonë se disponojnë pamje filmike që faktojnë dhunën e tifozëve të Tiranës, ndërsa shprehen se këto pamje do t’i çojnë para organeve të drejtësisë, në mënyrë që të merren masa.

“Refik Halili u qëllua nga tifozët e Tiranës aksidentalisht. Kemi pamje që faktojnë dhunën e tifozëve të Tiranës, të cilat do t’i çojmë para organeve të drejtësisë, që të merren masa. Jemi të indinjuar për ngjarjen e rëndë në stadium. Tifozët e Tiranës dhunuan fëmijët e akademisë, kanë treguar sjellje rrugaçërore. Një tifoz u godit me thikë, dhe ndodhet në gjendje të rëndë. Morëm masa për ngjarjen, tifozët e Tiranës të dhunshëm”, thuhet në deklaratën e klubit “Vllaznia”.

Policia e Shtetit: Situata në stadium është normalizuar
Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Shkodër, ku tifozët e Tiranës dhe Vllaznisë janë përleshur me njëri-tjetrin, ku si pasojë kanë mbetur disa të plagosur edhe nga radhët e policisë, Policia e Shtetit jep detaje. Duke theksuar se janë marrë masa për identifikimin dhe arrestimin e autorëve, Policia e Shtetit thotë se tashmë situata në stadium është normalizuar.

“Situata në Stadiumin e Shkodrës, tashmë është normalizuar. Në sajë të ndërhyrjes së forcave të policisë u bë i mundur parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm të situatës, duke e normalizuar atë, megjithëse pati të lënduar nga forcat e policisë.

Strukturat e Policisë së Shtetit kanë ndërmarrë të gjitha masat për identifikimin e vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të akteve të dhunës.

Po ashtu do të ndërmerren masa ligjore dhe ndaj organizatorëve të aktivitetit.

Ndërkohë për garantimin e sigurisë së tifozëve të ekipit të Tiranës janë marrë masa për shoqërimin e tyre me forca të Ndërhyrjes së Shpejtë Tiranë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

1 COMMENT

  1. Asht mire qe sportedashesit, s' po them tifozat kokeshkretë, te publikojne me emna " rrugaçet e dhunshem" qe t' mos largohen nga stadiumet femijet, te rinjte e te moshuarit qe boll pak kane mbetë…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here