Maskat shfaqen sërish në rrugët e Shqipërisë. Këtë herë pre e tyre ka rënë një furgon pasagjerësh që udhëtonte drejt fshatit Vranisht në Vlorë. Ka qenë vetë drejtuesi i mjetit Vasil Pazaj, i cili në lidhje telefonike për News24 ka denoncuar ngjarjen e rëndë.
Ai ka rrëfyer se dy persona te maskuar i kanë zënë pritë dhe nën kërcënimin e armëve, i kanë bërë shenjë të ndalojë. Grabitësit kanë qëlluar disa herë në ajër, por drejtuesi i mjetit nuk ka ndaluar duke u larguar me shpejtësi. Fatmirësisht të shtënat, nuk kanë prekur asnjë prej pasagjerëve.
Ndërkohë, nga burime të policisë mësohet se grabitësit janë fshehur në pyll, Policia është vënë menjëherë në ndjekje të tyre, ndërkohë që ngjarja ka terrorizuar pasagjerët dhe drejtuesin e furgonit, i cili i bën apel shteti që të parandalojë ngjarje të tilla.
SHOFERI: MASKAT ME DREJTUAN ARMEN NE FYTYRE, POR NUK NDALOVA
Vasil Pazaj i cili drejtonte mjetin me targë ‘AA121DF’, ka denoncuar ngjarjen gjatë një lidhje telefonike me gazetaren Ola Bruko.
Pazaj rrëfeu për News24 se dy persona të maskuar me trup të imët dhe gjatësi mesatare i kanë dalë para furgoni dhe kanë tentuar ta ndalojnë nën kërcënimin e armës, duke shtënë 6 apo 7 herë në ajër. Shoferi i automjetit, i cili prej 10 vitesh e përshkonte këtë rrugë nuk i është përgjigjur thirrjes së grabitësve, por është larguar me shpejtësi nga vendngjarja.
“Unë kam 10 vjet linjë të Vranishtit, iki nga Vlora në Vranisht dhe nga Vranishti në Vlorë. Është rasti i parë që më ndodh dhe shteti duhet vërë dorë në këto probleme. Kanë goditur vetën në ajër, në momentin që po shkëputesha ma drejtoi armën tek timoni. Ma bëri me dore mbaje dhe unë nuk e mbajta po i dhashë me shpejtësi”, rrëfeu shoferi.